Kodheli-Thaçit: Bashkohuni në të mirë të shqiptarëve

Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli gjatë vizitës së saj në Maqedoni u ndal në Tetovë, ku takoi kreun e PDSH-së Menduh Thaçi.

Kodheli e njohu Thaçin me diskutimet që zhvilloi me krerët më të lartë maqedonas, me të cilët theksoi nevojën e implementimit të drejtë dhe të menjëhershëm të Marrëveshjes së Ohrit.

Kodheli dhe Thaçi diskutuan gjithashtu edhe lidhur me arsimimin e shqiptarëve në tërësi dhe pjesëmarrjen e angazhimin e femrës shqiptare në veçanti, në të gjithë aktivitetet dhe strukturat vendimmarrëse në vend.

Ministrja Kodheli kërkoi që shqiptarët e Maqedonisë të jenë më të bashkuar dhe të përkrahin njëri-tjetrin.

“Vetëm bashkimi real i faktorit shqiptar në Maqedoni do të rrisë forcën e përfaqësimit dhe do të garantojë më shumë qytetarët e thjeshtë në të drejtat dhe liritë e tyre kushtetuese”,theksoi ajo.

Ministrja e Mbrojtjes tha se duhet punuar më shumë në këtë drejtim, ashtu siç shpresoj-vijoi ajo -se përpjekjet tuaja edhe në nivel institucional do të jenë garante të barazisë së trajtimit të shqiptarëve.

Bashkëbiseduesit vlerësuan se integrimet euro-atlantike të vendit dhe rajonit janë me interes të veçantë për shqiptarët.
Ministrja e Mbrojtjes  Mimi Kodheli vizitoi në shtëpinë e tij edhe kryetarin e BDI-së Ali Ahmeti. 

SHKARKO APP