Kodi Zgjedhor, Kaso: Një qeveri normale do të priste Venecian, por opozita nuk do të lejojë…
Kodi Zgjedhor kaloi procedurën e fundit sot në Parlament, ku mazhoranca rrëzoi dekretin e Presidentit Ilir Meta, i cili e riktheu atë për rishqyrtim. Sekretari për çështjet zgjedhore në PD, Ivi Kaso thotë se gjithmonë ndryshimet në legjislacionin zgjedhor kanë marrë vulën e Venecias, ndërsa në këtë rast, Kaso thotë se kemi një qëndrim refraktar të mazhorancës.
”Opinioni i Venecias ka atë vlerë që ai ka mbartur gjithmonë, sa herë kemi pasur ndryshime në legjislacionin zgjedhor. Ka qenë gjithmonë një opinion i përbashkët mes Komisionit të Venecias dhe ODIHR, i cili i ka vënë vulën përfundimtare ndryshimeve në kornizën ligjore. Kjo gjë pritet edhe këtë herë, pavarësisht ndryshimeve të njëanshme. Qartazi, kemi një qëndrim refraktar të mazhorancës. Nguti për ta miratuar në mënyrë të njëanshme legjislacionit, vetëm për llogari elektorale të të njëjtës palë dhe tmerrin që mazhoranca në pushtet ka, jo vetëm nga zgjedhjet e lira në përgjithësi, por nga çfarëdo zëri të arsyeshëm që në zgjedhjet e ardhshme do t’i shohë në një klimë politike sa më pak të tensionuar”,-tha në ”A2cnn”.
Për më tepër, Kaso theksoi se Rama do të bëjë ç’të mundet për të ndryshuar në tavolinë rezultatin e zgjedhjeve, por ai thotë se opozita nuk do të lejojë askënd të fusë duart në kutitë e votimit.
”Beteja e opozitës ka qenë dhe është, të vihet në krye të zemërimit popullor, të marrë përgjegjësitë e saja si opozitë për t’u dhënë shqiptarëve alternativën më të mirë. Kjo është detyra e opozitës. Edi Rama dhe kjo mazhorancë nuk do të lënë gurë pa luajtur për ta ndryshuar në tavolinë rezultatin e zgjedhjeve. Me rregulla loje nuk kanë asnjë shpresë. Detyra e opozitës është të mobilizojë çdo zë. Ne do të marrim të gjitha përgjegjësitë që askush të mos guxojë të fusë duart në kutitë e votimit. Kush guxon do të përballet me ligjin”,-tha më tej.