Koka: Brenda vitit që vjen do të kemi Kadastrën Kombëtare të Pyjeve

Ministri i Mjedisit, Lefter Koka, deklaroi sot se, brenda vitit që vjen do të kemi Kadastrën Kombëtare të Pyjeve, e cila do të sjellë në shifra gjendjen e pyjeve në vendin tonë.

Duke folur në seancën plenare në interpelancën e kërkuar nga deputeti Pirro Kapurani, ministri i Mjedisit sqaroi se për shkak të tranzicionit, në të cilin kaloi vendi për mbi 20 vite, janë dëmtuar dhe djegur rreth 40 mijë hektarë pyje, riaktivizimi i natyrshëm i të cilave është i pamundur. Ndaj, tha ai, ministria e Mjedisit do të angazhohet për riaktivizimin e kësaj sipërfaqeje. “Në vitet 1990, pyjet janë dëmtuar shumë dhe duhet pasur parasysh se ato duan vite të rinovohen. Sot janë 40 mijë ha që duhen pyllëzuar, që janë djegur dhe kostoja mesatare e një ha është 2 mijë euro, kur do të duhen të paktën 10 vjet që të rriten. Pra, sektori i pyjeve kërkon durim, edhe kur në mënyrë të padrejtë nga njerëzit mund të paragjykohet, se rezultati nuk është për politikë, por në shërbim të fëmijëve tanë”, tha Koka. Ai evidentoi nevojën e menjëhershme të një ligji të ri, të një moratoriumi dhjetëvjeçar që të ndalë prerjet. Ministri konkretisht foli për minierën e Bulqizës, si një vend në të cilin ende vazhdohet të abuzohet me drurët që priten dhe që po shfarosin pyjet e Lurës. Përveç moratoriumit, Koka tha se në ligjin e ri do të kërkojmë kalimin e fondit të pyjeve në varësi të komunave dhe bashkive dhe një specifikim të mirë të numrit të specialistëve që do të merren me to. Koka, duke vijuar me objektivat e ministrisë së Mjedisit, bëri të ditur gjithashtu se synohet të rritet nga 15 % në 17 % sipërfaqja e zonave të mbrojtura. Ai tha se është rritur bashkëpunimi me Policinë e Shtetit për uljen e rasteve të kontrabandës me drutë. Sipas tij, është ulur edhe niveli i eksportit të lëndës drusore. “Sot që flasim eksportojmë vetëm 50 mijë m3 lëndë drusore në vit”, deklaroi Koka. Ai informoi edhe për dy iniciativa të tjera të qeverisë për mbrojtjen e pyjeve. E para, tha ministri Koka, është kërkesa që i kemi bërë Komisionit të Ekonomisë për rimbursimin e TVSH-së për lëndët drusore që importohen për ngrohje. Sipas Kokës, kjo do të ishte një masë ligjore efikase për përdorimin e një alternative tjetër për ngrohjen. Ministri Koka po ashtu bëri të ditur se krijimi i Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura është një tjetër masë efikase për mbrojtjen e pyjeve.

SHKARKO APP