Kokaina në banane, Shqipëria pikë grumbullimi dhe tranziti për BE

Nga: Redjon Shtylla

Është kthyer një trend klamuflimi i kokainës në arkat me banane që vijnë nga Ekuadori. 14 pako me kokainë u kapën sot në Portin e Durrësit. Kokaina u gjet pas një kontrolli të Policisë Kufitare, ku nga skaneri rezultoi se kontejneri kishte pësuar modifikime në pjesën e bazamentit, në të cilën edhe u gjet më pas e fshehur droga.

Kontejneri është nisur nga Ekuadori më datë 26 maj dhe ka ndaluar në 5 porte. Ndalesa e parë ka qenë në një port të Ekuadorit. Aty ka qëndruar për 2 ditë dhe më pas mëngjesin e 29 majit është nisur drejt Marokut të Afrikës së Veriut. Edhe në këtë ndalë, kontejneri ka qëndruar nga data 16-24 qershor. Nga Maroku, kontejneri ka udhëtuar drejt portit të Greqisë për të mbërritur më pas në Portin e Durrësit, ku u kap dhe sasia prej 15 kg kokainë.

Në një kohë shumë të shkurtër, Policia ka kapur tonelata me kanabis në portin e Durrësit, që është kthyer në një rrugë të artë për trafikantët. Lind pyetja përse pikërisht kokaina kapet në Durrës, kur rruga për të ardhur deri në këtë port është e gjatë? A është Shqipëria një pikë grumbullimi e kanabisit dhe më pas shpërndahet në vendet e Ballkanit e jo vetëm? Pikëpyetjet janë të shumta, por përderisa kapen në portin e Durrësit dhe jo në atë të Italisë, ka shumë hije që të çojnë në hipotezën që Shqipëria është një pikë grumbullimi. A lejohet kalimi i tonelatave me kanabis nga portet e Europës për tu kapur veç në Durrës? Këto përgjigje nuk mund ti japim ne.

Më 18 qershor po në Portin e Durrësit u kap një sasi shumë e madhe kokaine, 324 kilogramë që kalonte tranzit në territorin shqiptar me destinacion Italinë. Më 10 prill një tjetër sasi prej 143 kg kokainë e ndarë në 120 pako u kap nga Policia Shqiptare. Kokaina u gjet po në një konteinier të mbushur me banane. Pakot e kokainës kishin të stampuar foton e Pablo Eskobar. Kurse më 1 prill në Portin e Durrësit u kap një tjetër sasi më e vogël, 49 kg kokainë, që vinte nga Amerika Latine në një konteinier po me banane.

Shqetësimin për kanabisin e kemi lexuar edhe në raportin zyrtar të Kombeve të Bashkuara, ku Shqipëria del si shteti kryesor i origjinës së kanabisit në Europë dhe të 6-tën në botë. Disa nga rrjetet në zhvillim, veçanërisht rrjetet shqiptare, janë gjithashtu të përfshira në shpërndarjen e kokainës rreth Europës dhe brenda disa vendeve europiane, duke u mundësuar atyre të implementojnë një model biznesi “nga fundi në fund”, shqiptarët zënë vend të rëndësishëm mes shtetasve të huaj të arrestuar për konfiskim individual të kokainës gjatë viteve 2018-2020.

Shiritat e verdhë të Policisë tek kodrat apo fushat me kanabis në Shqipëri nuk shihen gjëkundi. Viti nisi me një raport të televizionit italian “Rai 3”, ku u tha se kultivimi i kanabisit është rritur me 1200%. Kurse për vitin 2019, sipas Prokurorisë së Përgjithshme, u dyfishua mbjellja e kanabisit. Polica trumpeton se po arreston trafikantët por historia është ndryshe pasi të fortët po hanë kokat dhe në krah kanë uniformat blu.

Opozita akuzon thuajse çdo ditë se Shqipëria është e mbjellë me drogë nga veriu në jug, si pjesë e projektit të kryeministrit Edi Rama për të bashkëqeverisur me krimin. Nuk ka asnjë bos droge të arrestuar, nuk ka asnjë Drejtor Policie të larguar.

SHKARKO APP