Kokëdhima, një tjetër zaptim i Qeparoit
Ndërtimi i një impianti peshkimi në Qeparo, po shkakton një luftë të ftohtë mes disa institucionesh shqiptare. Bëhet fjalë për punimet që kanë nisur 10 ditë më parë, ku një kompani në pronësi të Jani Kokëdhimës, ka nisur gërmimet 5 metra larg bregut të detit, rrëzë një përroi, kanali të ngushtë, ku z.Kokëdhima ka fituar të drejtën për të rritur peshq. Z. Jani Kokëdhima është djali i xhaxhait të deputetit Koço Kokëdhima. Në të majtë të vendit ku firma e tij nisi punimet është ngritur dhe ‘kështjella’ e shumë përfolur e ndërtuar nga vëllai i deputetit Kokëdhima. Kontratën për ndërtimin e këtij impianti të peshkut, z. Jani kokëdhima e siguroi në vitin 2011, në kohën kur Ministria e Mjedisit drejtohej nga ish-ministri Mediu.
Por punimet nuk nisën dot asnjëherë sepse kompania e Kokëdhimës nuk u pajis dot me leje nga disa institucione qendrore dhe lokale. Por me ardhjen e socialistëve në pushtet z. Jani Kokëdhima nisi punimet, madje ky urdhër i ministrit Panariti i vuri në dispozicion Kokëdhimës dhe një skrap në pronësi të shtetit për të mundësuar gërmimet.
Lapsi.al ka mësuar se punimet janë ndërprerë 4 ditë më parë, pas një ndërhyrje të Bashkisë së Himarës, e cila e konsideroi të paligjshëm punimet pasi nuk ishte pajisur me leje prej saj. Të njëjtat burime informojnë se kompania e Kokëdhimës, ka nisur punimet pa marrë aprovimin e Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, ndërsa kjo agjenci ka urdhëruar gjithashtu bllokimin e punimeve. Për këtë problem është njoftuar dhe kryeministri i vendit Edi Rama nga vartësit e tij, ndërsa projekti i z.Jani Kokëdhima ka shkaktuar shumë dyshime në Tiranë dhe Qeparo, për vetë faktin se ai pretendon se do të ndërtojë një impiant të rritjes së peshkut në një përrua, duke siguruar 2500 metra katrorë tokë që gjendet fare pranë bregut të detit dhe pak metra larg kështjellës së djalit të xhaxhait të tij. Dyshimet janë se impianti i peshkut është thjesht preteksti dhe hapi i parë për kapjen e truallit dhe më pas ndryshimin e destinacionit të tij për qëllime turizmi, duke shfrytëzuar pozicionin dhe vendin e bekuar ku ka marrë lejen
(Marre nga lapsi)