Koleget e PS-së dënojnë cenimin fizik të Ekonomit: Sulm ndaj grave që kontribuojnë dhe luftojnë për një shoqëri të drejtë

Gratë deputete të Partisë Socialiste, anëtare të Aleancës së grave deputete të Kuvendit të Shqipërisë, dënojnë incidentin e shkaktuar ndaj koleges së tyre, Milva Ekonomi. Në një njoftim për mediat, ato dënojnë aktin duke vënë në dukje se ngjarja e ndodhur sot në Kryesinë e Kuvendit, kur deputeti Xhelal Mziu shtyn me forcë Ekonomin. Sipas tyre, ky akt dhune cenon njëkohësisht edhe institucionin e Kuvendit, si një institucion ku duhet të tregohet me të gjitha format fryma e tolerancës, e respektit, e etikës ndaj kujtdo, e veçanërisht ndaj grave deputete.

Reagimi i grave deputete të PS:

Ngjarja e ndodhur sot në Kryesinë e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, nga pamjet e regjistruara që tregojnë qartë kur deputeti Xhelal Mziu shtyn me forcë kolegen tonë Milva Ekonomi, është një ngjarje e shëmtuar dhe e dënueshme. Ky akt dhune është një sulm jo vetëm ndaj një kolegeje, por edhe ndaj parimeve që duhet të udhëheqin punën tonë. Kur ky akt i papranueshëm ndodh në ambientet e Kuvendit ndaj një deputeteje grua, është akoma më i rëndë pasi dëmton dinjitetin dhe të drejtat e të gjitha grave dhe vajzave që ushtrojnë funksione publike dhe atyre që kontribuojnë në jetën politike e mbi të gjitha cënon standardet morale dhe etike të përfaqësuesve të zgjedhur.

Ky akt dhune cënon njëkohësisht edhe institucionin e Kuvendit, si një institucion ku duhet të tregohet me të gjitha format fryma e tolerancës, e respektit, e etikës ndaj kujtdo, e veçanërisht ndaj grave deputete. Kuvendi është vendi ku qytetarët dhe e gjithë shoqëria presin të shohin nga ne modelin e parë të respektit, tolerancës, komunikimit civil dhe që luftojmë jo me forcën e muskujve por me forcën e argumentit.

Si deputete të këtij Kuvendi kemi detyrimin të respektojmë ligjet dhe standartet që i kemi miratuar bashkarisht, të parashikuara në rezolutat e Kuvendit, si dhe të gjitha detyrimet ndërkombëtare të bëra pjesë e legjislacionit tonë, përfshirë Konventën e Stambollit, Rezolutat e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, për përgjegjësinë tonë në luftën kundër dhunës ndaj grave, gjuhës së urrejtjes dhe intolerancës.

Ne, gratë deputete të Partisë Socialiste, anëtare të Aleancës së grave deputete të Kuvendit të Shqipërisë, dënojmë këtë akt të rëndë dhune, pasi akti i sotëm i dhunës ndaj një gruaje në politikë nuk është vetëm një sulm ndaj një kolegeje, por një sulm ndaj të gjitha grave që kontribuojnë dhe luftojnë për një shoqëri më të drejtë që respekton gratë dhe të drejtat e tyre.

SHKARKO APP