Komision për të hetuar Bashën për Krushën? Rama e kthen: S’ka lidhje, por për të renditur faktet
Në emisionin ”Real Story”, po flitet për çështjen e Kosovës, krimet e luftës, përfshirjen e kreut të PD, Lulzim Basha me çështjen e kasetës së masakrës së Krushës. Numri dy i partisë socialiste, Taulant Balla është nismëtari i ngritjes së një Komisioni të Posaçëm që siç thotë ai, do të mbledhë prova dhe dëshmi për t’i dërguar më pas një raport këshillit të Europës që të zbardhë të vërtetën rreth akuzave për krime lufte.
Kryeministri Edi Rama, i pyetur për ngritjen e Komisionit, sqaroi se ky nuk është një komision që do hetojë Lulzim Bashën, por se ai ka tjetër kuptim. ”Çështja e Lulzim Bashës, është një çështje e lidershipit, e karakterit të tij”,-tha Rama, ku shtoi se ky Komision Parlamentar do të hetojë të gjitha faktet për çfarë ka ndodhur në të vërtetë.
”Ç’a po gënjej unë? Kam kërkuar që kryetari i opozitës të japë shpjegime. Lulzim Basha për të kaluarën e tij ka qënë gjithmonë i kursyer në informacion dhe jo transparent. Nuk po e bëj për zgjedhjet. Ne sapo kemi mbyllur vitin e 7 të mandatit. Natyrisht me idenë e kurorëzimit të shumë punëve. Debati u hap nga media dhe jo nga partia jonë. Balla ka folur për një komision, dhe është projektuar menjëherë për Bashën. Letra e Pacollit sot është ajo ç’ka është në idenë e PS për të ngritur një Komision. Nuk hyn Lulzim Basha këtu. Nuk jam ngritur kundër drejtësisë por fletë-rrufesë. Ka dokumenta që lidhen me procese që janë gjetur në Shqipëri. Një fakt që e kam dëgjuar është që për një njollë gjaku, këtu jo është bërë hetim po është shkulur syvaja. Nuk ka qënë gjak njeriu, por bagëtish që kanë qënë të varura. Po iu flas për diskutime të brendshme që i kemi mbledhur dhe çfarëdo gjëje që ka ndodhur. Të vonuar në këtë proces? Me llafe kafenesh merreni ju se nuk e pranoj. Nuk akuzoj asnjëherë pa prova. Ndërkohë që retorika politike, është ndryshe nga plehu i gojës. Për mua është koha për ta bërë këtë. E vonuar ose jo, ha diskutim”,-tha më tej Rama.
Gjatë diskutimit, u përmend edhe fakti që ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, i ka drejtuar një letër publike kryeministrit Rama, lidhur me raportin e Dick Marty. Në letrën e publikuar në facebook, Pacolli i kërkon kryeministrit që të kundërshtojë në mënyrë diplomatike raportin e Dick Marty dhe së bashku me Republikën e Kosovës, të udhëheqin një fushatë informuese dhe diplomatike rreth mosndëshkueshmërisë së thellë të krimeve të luftës, që Serbia ka kryer në Kosovë.
Sipas politikanit dhe biznesmenit kosovar, raporti i Dick Marty ishte rezultat i një dezinformomi e fushate politike të sponsorizuar nga Rusia dhe Serbia për të sulmuar pavarësinë e Kosovës dhe UÇK-në, ndaj sipas tij, duhet një fushatë e mirëdrejtuar politike e diplomatike në Këshillin Evropian për të kundërshtuar këtë raport.