Komisioni i Jashtëm diskuton për situatën në Maqedoni

 

Komisioni për Politikën e Jashtme zhvilloi një seancë informuese me përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Jashtme mbi situatën dhe zhvillimet e fundit në Republikën e Maqedonisë.

Të pranishëm në mbledhje ishin Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme, z. Qirjako Qirko, Drejtori i Rajonit dhe Vendeve Fqinje, z. Bashkim Rama dhe z. Sajmir Bala.

Kryetarja e komisionit znj. Dade shprehu shqetësimin për faktin që komisioni prej kohësh ka dhënë aprovimin për Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Republikën e Maqedonisë, emërim i cili nuk ka marrë dekretimin nga ana e Presidenti.

“Nuk i ndërhyj kompetencave që ka Presidenti i Republikës, por besoj që është urgjente që Republika e Shqipërisë të paraqitet në nivelin më të lartë të Ambasadorit në prezencën tonë diplomatike në Ambasadën që kemi në Shkup, e cila ndoshta do të ndihmonte për një funksionim më të mirë në të gjitha parametrat, duke ditur që Ambasada jonë në Shkup ka një rol për të luajtur jo vetëm me qeverinë e Republikës së Maqedonisë por edhe me faktorin shqiptar atje”, – deklaroi znj. Dade gjatë mbledhjes.

Ndërsa, z. Qirjako Qirko tha se zhvillimet në Maqedoni kanë një vëmendje të veçantë nga ana e shërbimit të jashtëm jo vetëm për stabilitetin e Maqedonisë, por për të gjithë rajonin.

“Nga ana jonë janë ndjekur të gjitha zhvillimet dhe do të kontribuohet për rivendosjen e dialogu politik dhe të stabilitetit të këtij vendi”, – tha z. Qirko.

Z. Bashkim Rama bëri referimin mbi situatën e veçantë që Maqedonia po kalon, e cila lidhet pikërisht me krizën politike. Sipas tij, dy janë momentet kryesore të kësaj krize.

“E para, opozita social demokrate nuk i ka njohur zgjedhjet, duke i ka cilësuar ato si të parregullta dhe nuk ka hyrë në Parlament. E dyta, partia shqiptare më e madhe që ishte në opozitë nuk mbështet kandidaturën e Presidentit me argumentin e mungesës së konsensusit. Këtu zë fill, por kriza në Maqedoni montohet në një sfond më të gjerë. Integriteti me problematikat që sjell në lidhje me njohjen e Greqisë e cila reflekton ose ndikon në acarim ose në zgjatjen e krizës”, – u shpreh ndër të tjerash z. Rama.

Pas prezantimit përfaqësuesit të Ministrisë së Punëve të Jashtme ju përgjigjën pyetjeve të anëtarëve të Komisionit për Politikën e Jashtme.

SHKARKO APP