Komisioni i Jashtëm i PE miraton rezolutën për Shqipërinë
Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Europian votoi draft-rezolutën e raportuesit për Shqipërinë Knut Fleckenstein me 51 vota pro dhe 3 kundër.
Dokumentit me 24 pika iu shtuan edhe 16 amendamente që vijnë si propozime të disa prej eurodeputetëve.
Dokumenti final pritet të miratohet në seancën plenare të radhës në Strasburg që do të zhvillohet në datat 27-30 prill.
Ndërkaq raportuesi i Parlamentit Europian, Knut Fleckenstain, ditën e djeshme teksa prezantoi raportin ngriti shqetësimin mbi tensionin dhe konfliktualitetin politik në vend. Megjithatë, ai ftoi kolegët të mbështesin procesin e hapjes së negociatave për Shqipërinë. Ndërsa eurodeputeti, Eduard Kukan, i dërgoi një mesazh të qartë dy forcave kryesore politike në vend: Mos përsërisni të njëjtën histori si me statusin!
Në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian pati edhe debate në lidhje me deklaratat e kryeministrit Rama për bashkim me Kosovën. Eurodeputetja Tanja Fajon u shpreh e shqetësuar në lidhje me deklaratat e kryeministrit Rama.