“Komisioni i Vlerësimit, garanci për meritokracinë”, Eno Bozdo: PD-ja, gati për tranzicionin e pushtetit
Partia Demokratike po përgatitet seriozisht për tranzicionin e pushtetit, ndaj ka gati platformën e saj të daljes nga kriza ekonomike sociale dhe politike. Për anëtarin e kryesisë së PD-së, Enno Bozdo, nuk ka më asnjë as edhe një ditë kohë për të humbur. Ai thotë për “Gazeta Shqiptare” se PD-ja mbart sot peshën dhe përgjegjësinë historike të ndryshimit.
Bozdo shprehet se në një kohë kur pandemia është plotësisht jashtë kontrollit, ekonomia në rënie të lirë, shoqëria që vuan depresionin nga humbja e shpresës, roli i PD-së në ofrimin e zgjidhjeve dhe shpjegimin e alternativës së saj qeverisëse është i pazëvendësueshëm. Pavarësisht kësaj, demokratët janë të bindur se mazhoranca qeverisëse dhe kreu i tyre, Edi Rama, do të tentojnë sërish manipulimin e zgjedhjeve të ardhshme. “Rama thekson – Bozdo – do të përdorë arsenalin e tij për të fituar zgjedhjet në tavolinë”. Por, Enno Bozdo paralajmëron: “Mjerë ata që do të përfshihen në skenarë të tillë!”. Sipas tij, çfarëdo makinacioni të përdorë Rama, PD-ja përsëri do të qeverisë vendin vitin e ardhshëm.
Z.Bozdo, kjo verë duket se kaloi pa pushime për PD-në, ndërkohë që po përgatiten strukturat për zgjedhjet e 2021-shit. Çfarë po ndodhë momentalisht në PD nisur nga fakti se gjatë muajit gusht u intensifikua puna me anëtarësinë e partisë?
Është i vërtetë konstatimi juaj. Edhe pse gusht, PD-ja ka qenë shumë aktive në trajtimin e çështjeve thelbësore që shqetësojnë sot shqiptarët. Nga ky këndvështrim, kur qeveria është tretur si kripa në ujë dhe në kohën kur pandemia është plotësisht jashtë kontrollit, ekonomia në rënie të lirë, shoqëria që vuan depresionin nga humbja e shpresës, roli i PD-së në ofrimin e zgjidhjeve dhe shpjegimin e alternativës së saj qeverisëse është i pazëvendësueshëm. Në thelb, për t’iu përgjigjur pyetjes suaj, PD-ja po përgatitet seriozisht për tranzicionin e pushtetit dhe ka gati platformën e saj të daljes nga kriza dhe të rindezjes së motorëve të ekonomisë së vendit. Nuk ka më asnjë as edhe një ditë kohë për të humbur. PD-ja mbart sot peshën dhe përgjegjësinë historike të ndryshimit.
Gjatë këtij muaji demokratët do të vijojnë procesin e përzgjedhjes së kandidatëve, finalizimin e programit qeverisës dhe përgatitjen e strukturave për zgjedhjet. Çfarë po merr përparësi aktualisht në PD?
Shumëkush mund ta konsiderojë procesin e përzgjedhjes së kandidatëve si një çështje të brendshme të vetë PD-së. Në të vërtetë PD-ja, si një parti që shumë shpejt do të qeverisë vendin, nëpërmjet këtij procesi është duke dhënë dëshmitë e saj të para mbi mënyrën sesi do të qeverisë Shqipërinë në vitin 2021. Për këtë arsye, ky proces që ndodh për herë të parë në rrafshin politik ballkanik, është shumë i rëndësishëm. Procesi i përzgjedhjes është ndërtuar me kujdes, është statutor, plotësisht transparent dhe meritokratik. Pikërisht janë këto tipare (ligjshmëria, transparenca dhe meritokracia) ato të cilat kanë munguar plotësisht në qeverisjen shtatëvjeçare të Edi Ramës. Nga ana tjetër, Lulzim Basha mbajti premtimin e tij për zgjedhjen e deputetëve nga vetë anëtarësia e PD-së. Ai ia hoqi vetes këtë kompetencë, duke ua kaluar tagrin institucioneve të PD-së. Lulzim Basha decentralizoi dhe zgjeroi vendimmarrjen, duke e bërë atë profesionale dhe transparente. A nuk janë pikërisht këto tiparet që shqiptarët duan (dhe duhet) të shohin te kryeministri i tyre i ardhshëm? A nuk ofron modeli i Lulzim Bashës pikërisht të kundërtën e asaj që ka ofruar Edi Rama prej shumë vitesh? Besoj të gjithë biem dakord që është pikërisht kështu. Për t’iu kthyer më konkretisht pyetjes tuaj: procesi i përzgjedhjes së kandidaturave është i një rëndësie shumë të madhe. Ky proces do të jetë thellësisht i suksesshëm dhe do t’u përcjellë shqiptarëve tiparet kryesore të qeverisjes “Basha”.
Sa besueshmëri gëzon komisioni i vlerësimit të kandidatëve për deputetë në funksion të përzgjedhjes së emrave më të mirë?
Besueshmëri maksimale. Sepse komisioni mbi të gjitha ofron gjykim politik mbi procesin, garanci për meritokracinë si dhe transparencë në këtë proces delikat.
Përmes këtij procesi, a do të ketë PD-ja lojtarë të pastër në garën elektorale të 2021-shit?
Pastërtia e figurës është kusht thelbësor, të cilit duhet t’i binden të gjithë ata, të cilët dëshirojnë të bëjnë karrierë politike në PD. Më lejoni t’ju kujtoj se PD-ja dhe veçanërisht Lulzim Basha mbartin meritën kryesore të pastrimit të shoqërisë dhe politikës nga krimi dhe kriminelët. Pas një apo me shumë dekadash, kur t’i rikthehemi historisë, do të kuptojmë se lufta e PD-së për një politikë të pakapur nga krimi organizuar, siç është kjo e sotmja, ka qenë pikë kthese në historinë e vendit. PD-ja e ka përmbushur këtë interes jetik për vendin dhe ne të gjithë jemi shumë krenarë për këtë gjë!
Deri në 15 shtator, komisioni do të vlerësojë emrat e propozuar nga baza. Si ka ecur procesi në zonën ku ju jeni i deleguar nga qendra? Çfarë emrash janë propozuar nga anëtarësia?
Procesi në zonën ku kam qenë i deleguar eci mjaft mirë. Pjekuria politike, propozimet me vlerë dhe diskutimet e mençura të strukturës së zonës janë tregues të vitalitetit politik të PD-së dhe të demokrateve. Dhe nga informacionet që kam nga kolegët e mi të Kryesisë së PD-së, procesi ka pasur thuajse të njëjtën ecuri pozitive në të gjithë territorin e vendit.
Si e shikoni kthesën e Genc Rulit apo Besnik Mustafajt për të hedhur pas të shkuarën, me qëllim bashkimin e fuqive të demokratëve kundër një qeverie tashmë të konsumuar nga pushteti?
Së pari, më lejoni të theksoj se nuk ka asnjë “kthesë”, sepse edhe “devijim” nuk ka pasur asnjëherë. Unë shoh që të gjithë anëtarët e nderuar të komisionit janë duke dhënë në këto çaste një kontribut jetësor për PD-së. Statura e tyre politike dhe publike, integriteti moral dhe eksperienca vetjake janë pikërisht ato që i duheshin një procesi të tillë delikat dhe të rëndësishëm!
A duhet t’i bashkohen këtij angazhimi edhe figura të tjera si Topalli, Bode, Bregu, Imami, Patozi etj.? Sa janë mundësitë e tyre që të garojnë sërish nën siglën e PD-së?
Kjo është një pyetje që duhet t’u drejtohet personave përkatës. A duan ata vërtetë t’i bashkohen këtij procesi?
Ndryshimet e njëanshme kushtetuese, a i dëmtojnë demokratët në zgjedhjet e ardhshme parlamentare?
Jo ekzaktësisht në terma të drejtpërdrejtë, sepse çfarëdo makinacioni të përdorë Rama, PD-ja përsëri do të qeverisë vendin vitin e ardhshëm. Por këto ndryshime sigurisht kanë dëmtuar rëndë konceptin dhe traditën tridhjetëvjeçare të marrëveshjes politike në Shqipëri. Marrëveshja politike në Shqipëri, qoftë edhe e panënshkruar, është respektuar gjithmonë nga palët, pavarësisht situatës politike në vend. Viti shumë i vështirë 1997 ofron një provë për këtë argument. Marrëveshja e fundit është firmosur në dokumentin e datës 5 qershor. Edi Rama hodhi firmën dhe të nesërmen nuk e njohu më firmën e tij. Në këtë mënyrë ai zhbëri marrëveshjen, që është shumë e rëndësishme për ruajtjen e paqes sociale dhe politike. Ky është një rast i paprecedentë, madje edhe për standardin shqiptar. Për të mos përmendur pastaj ndryshimin “online” të Kushtetutës, në një proces zhbërës nga deputetë të shpërbërë.
Kujt i shërbejnë më tepër ndërhyrjet në Kushtetutë? Pse kaq shumë kundërshtime ndaj këtyre ndryshimeve?
Rama e ka kuptuar se do të humbë thellë në zgjedhje. Këtë e kuptuan të gjithë shqiptarët kur panë në konferencë shtypi një kryeministër të zverdhur, nervoz dhe të trembur, që artikulonte argumente qesharakë kundër koalicioneve. Në të vërtetë, në një situatë normale, nuk ka asnjë dramë të humbësh pushtetin pas tetë viteve qeverisje. Por asnjë vit i qeverisjes së Ramës nuk ka qenë aspak normal, qoftë edhe për një vend si Shqipëria.
Atëherë, përse i duhen Edi Ramës këto ndryshime?
Rama ka marrë mbi vetë një njollë shumë të rëndë historike jo vetëm prej opozitës dhe opinionit publik, por edhe prej faktorit ndërkombëtar, i cili u investua rëndë dhe personalisht në këtë proces. E gjitha kjo, thjesht se ai ka frikë nga humbja pas tetë vitesh qeverisjeje? Nuk besoj se përgjigja është kjo. Rama ka qeverisur me partnerë të rrezikshëm, duke i pasur ata ortakë dhe aksionerë në gjithçka që ka bërë në qeverisje. Këta partnerë, më së shumti të sferës së krimit dhe të megakorrupsionit, janë shumë agresivë dhe po investojnë fort në ruajtjen e “status quo” politike. Kjo është një arsye e fortë, por jo e vetmja. Gjithsesi, koha për ndryshim ka ardhur. Asgjë nuk e ndal dot më!
A e favorizon opozitën e bashkuar reforma e re elektorale? A mund të manipulohen sërish votat? Çfarë garancie jep opozita për mbrojtjen e votës?
Nuk kemi asnjë iluzion se Rama do të përdorë arsenalin e tij të plotë për të fituar zgjedhjet në tavolinë. Këtë e ka treguar edhe në vitin 2017, kur skema e krimit dhe blerjes së votave ia dha në tavolinë rezultatin që donte. Pra, çështja nuk është çfarë do të bëjë Rama, sepse këtë e dimë. Çështja është çfarë do të bëjë opozita. Mund t’ju them se jemi të përgatitur plotësisht për të gjitha variantet nga A-ja deri te ZH-ja. Mund t’ju them gjithashtu se mjerë ata që do të përfshihen në skenarë të tillë. Por, ajo që është kryesorja është se askush nuk mund të blejë dhe të frikësojë të gjithë shqiptarët. Sepse vota e shpresës dhe revoltës, vota për ndryshimin, do të jetë më shumë se çdo lloj pritshmërie optimiste!
Pavarësisht skandaleve të shumta dhe denoncimeve të opozitës, Edi Rama vazhdon të qeverisë vendin. Sipas jush, çfarë e bën atë të rezistueshëm përballë të gjithëve?
Historia moderne e botës është e mbushur me raste tipike kur lideri diktatorial ka sfiduar me dekada të tëra shoqërinë dhe opinionin publik, duke dobësuar sistematikisht institucionet e shtetit dhe opozitën politike apo qytetare. Veçanërisht shekulli i kaluar ofron shembuj të shumtë. Dhe të mendosh se këto ngjarje kanë ndodhur në vende me traditë shumë të zhvilluar demokratike, me parlamente funksionale dhe traditë shekullore parlamentare, me institucione të forta dhe sistem gjyqësor të pavarur prej shekujsh. Le të kthehemi te Shqipëria. Në tridhjetë vitet e fundit në Shqipëri, qeveritë janë rrëzuar nga protestat vetëm dy herë: në 1990 dhe 1997. Të dyja janë çaste historike tejet të specifike. Por, dy herë është shumë pak krahasuar edhe me mesataren ballkanike të këtij fenomeni. Sepse për fat të keq, e kaluara jonë dramatike nën totalitarizëm ka bërë që ne të jemi ende foshnjarakë në traditën e një demokracie funksionale. Njëkohësisht nuk kemi as edhe institucione të forta. Madje, në dallim edhe nga disa vende fqinjë ballkanike, nuk kemi (për fat të keq), kulturën e një shoqërie që proteston kur diçka nuk shkon në vend! Me sa duket, shoqëria shqiptare ka bërë një kompromis të heshtur me veten, që qeveritë duhet të ndryshojnë vetëm pas një procesi zgjedhor dhe mundësisht në fund të termave kohorë qeverisës. Ka arsye të forta që shpjegojnë këtë “kompromis vetjak” dhe ndoshta nuk është kjo intervistë rasti për t’i shtjelluar. Pyetja që ju shtroni është në dukje “asgjësuese”. Madje, opozitarët e opozitës kanë refren të preferuar të tyre edhe pjesën e dytë të kësaj pyetjeje (të cilën ju nuk e bëtë, por kam përshtypjen që e nënkuptuat): pse është kaq e dobët PD-ja sa nuk arrin dot të rrëzojë një pushtet të kalbur si ai i Edi Ramës? Përpara se t’i përgjigjem kësaj pyetjeje, do të ishte mirë që me ndershmëri t’u përgjigjemi disa pyetjeve të tjera. A e ka bërë mirë detyrën e saj opozita në këto vite, duke denoncuar dhe zbërthyer çdo aferë korruptive, duke mbrojtur politikisht (dhe shpeshherë edhe fizikisht) çdo kauzë të drejtë, të pamundurit dhe të dobëtit? A ka sakrifikuar çdo gjë opozita, me qëllimin e vetëm për të ndaluar zhbërjen e shtetit në Shqipëri? A ka mbrojtur opozita drejtësinë sociale, rendin dhe ligjin, duke qortuar rëndë çdo paudhësi qeverisëse? A ka ofruar opozita alternativa të saj të besueshme? A i ka përdorur ajo të gjitha instrumentet që kishte dhe që ka në dispozicion si psh., djegia e mandateve dhe tubime të shumta për të gjithë kauzat sociale? A e ka vënë lideri i saj, Lulzim Basha, veten në dispozicion të interesit publik? A ka punuar ai për interesin publik dhe atë të Shqipërisë? A i ka bërë opozita të gjitha këto sa më sipër? Unë mendoj se po, plotësisht, dhe madje me tepri në disa raste. Kjo është përgjigjja e pyetjes suaj. Sepse shoqëria shqiptare duhet të kuptojë se jo vetëm opozita, por e gjithë shoqëria duhet të reagojë ndaj së keqes. Vetëm kështu mund të sjellim ndryshimin, duke penguar të keqen e madhe. Besoj shumë se për disa muaj, kjo gjë do të bëhet realitet./GSH.AL