Komiteti Shqiptar i Helsinkit: Ministria po fsheh numrin e të burgosurve të sëmurë me COVID-19

Situata e krijuar në burgje me covid 19 ka qenë në qendër të vëmendjes së Komitetit Shqiptar të Helsinkit prej gati 4 javësh. Madje për këtë i është drejtuar Ministrisë së Drejtësisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve me një paketë rekomandimesh, për të cilat vijon të mbetet në pritje të përgjigjes.

Në një deklaratë për mediat, Komiteti Shqiptar i Helsinkit bën me dije se që prej datës 13 mars, nëpërmjet një njoftimi për shtyp në faqen e saj zyrtare informoi publikun mbi pavërtetësinë e informacioneve të shpërndara në rrjetet sociale, lidhur me infektimin e disa prej të dënuarve të akomoduar në IEVP Reç, Shkodër.

Në njoftimin zyrtar të këtij institucioni, citohet: “Por për të qënë transparent me publikun, informojmë dhe sigurojmë, se deri më tani, në IEVP-në Reç, ashtu si dhe në të gjitha IEVP-të e tjera në të gjithë vendin, nuk ka asnjë person që të ketë shfaqur shenja të virusit “Covid-19”.

Më tek, e njëjta kërkesë është bërë në datën 3 Prill, ndërkohë që kurba e personave të prekur me Covid-19 në vendin tonë po pësonte një rritje graduale. Komiteti Shqiptar i Helsinkit konstaton se Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nuk ka reaguar zyrtarisht lidhur me këtë çështje, ndërkohë që institucionet penitenciare nuk disponojnë faqe zyrtare.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit sugjeron marrjen e masave konkrete për ofrimin e informacioneve në mënyrë periodike si dhe sipas nevojës, me qëllim sqarimin e opinionit publik, e në veçanti të familjarëve të cilët kanë të afërm të tyre të akomoduar në sistemin e burgjeve në vendin tonë.

Gjithashtu, KShH i rekomandon Ministrisë së Drejtësisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve të shikojnë mundësinë për të krijuar një mekanizëm që mundëson ofrimin e informacionit për publikun dhe median, në mënyrë të ngjashme me atë të përdorur nga institucionet e shëndetit publik, në vendin tonë.

Me qëllim shmangien e referimit të lajmeve të pavërteta që krijojnë shqetësim apo panik në popullatë, dhe në respektim të garantimit të transparencës, sistemi penitenciar kemi mendimin se duhet të funksionojë në mënyrë proaktive në këtë drejtim.

SHKARKO APP