Koncesioni i ri të hidrokarbureve, PD-KQZ-së: U shkelën rregullat e përbashkëta për zgjedhjet
Partia Demokratike ka kërkuar që KQZ-ja të marrë masa për respektimin e Kodit Zgjedhor pas aktit të qeverisë ”Rama 2” për koncesionin e ri të hidrokarbureve, të cilën e shikon si shkelje të rregullave të përbashkëta për zgjedhjet.
Në kërkesën e PD-së për KQZ-në, citohet rregulli i shkelur nga qeveria, që është ndalimi i dhënies së kontratave publike të koncesionit/partneritetot publik privat (PPP), për të cilat nuk është bërë njoftim publik se do të zhvillohen, nuk janë vijim i një procedure koncesionare të identifikuar dhe nisur apo nuk janë parashikuar për t’u financuar nëpërmjet buxhetit të miratuar të vitit zgjedhor, katër muaj para zgjedhjeve.
”Katër muaj para datës së zgjedhjeve, deri ditën e zgjedhjeve ndalohet dhënia e kontratave publike të koncesionit/partneritetot publik privat (PPP), për të cilat nuk është bërë njoftim publik se do të zhvillohen, nuk janë vijim i një procedure koncesionare të identifikuar dhe nisur apo nuk janë parashikuar për t’u financuar nëpërmjet buxhetit të miratuar të vitit zgjedhor”. Procedurat e koncesionit që do t’u kushtojë qytetarëve 100 milionë euro për 10 vjet u bënë publike gjatë periudhës së ndaluar nga Kodi për nxjerrjen e të tilla akteve nga qeveria”,-shkruhet në shkresën e publikuar nga Partia Demokratike.