Konferenca e tretë ndërqeveritare BE-Shqipëri, Spiropali: Hap tjetër drejt objektivit tonë strategjik

Në tryezën e tretë ndërqeveritare me BE, Shqipëria hapi dy kapituj për politikën e jashtme. Detyrat që duhet të plotësojë vendi ynë për këto grupe kapituj, nuk janë aq të vështira sa negociatat për shtetin e së drejtës, administratën publike apo luftën ndaj korrupsionit.

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali ka përshëndetur mbajtjen e Konferencës së Tretë Ndërqeveritare BE-Shqipëri. Kështu Spiropali u shpreh se ky është një hap tjetër i rëndësishëm drejt objektivit tonë strategjik kombëtar Shqipëria në BE brenda dekadës.

”Një hap tjetër i rëndësishëm drejt objektivit tonë strategjik kombëtar, Shqipëria në BE brenda dekadës. Mbështetur në progresin tonë të pamohueshëm, Konferenca e Tretë Ndërqeveritare BE-Shqipëri vendosi sot çeljen e negociatave për grup-kapitullin VI-Marrëdhëniet e jashtme dhe Politika e jashtme, e sigurisë dhe e mbrojtjes. Shqipëria do të vazhdojë të jetë promotore e bashkëpunimit rajonal, kontribuese aktive për mbrojtjen e lirisë, sigurisë dhe paqes”, shkruan Spiropali.

Sipas projeksionit të grupit negociator shqiptar, konferenca e katërt ndërqeveritare me BE do të mbahet në mars, ndërsa e pesta në dhjetor të vitit 2025.

SHKARKO APP