Konfirmohet blerja e votave në Dibër nga PS, arrestohet zyrtari i bashkisë dhe shoqëruesi

Policia e Dibrës ka dalë me një njoftim zyrtar për ngjarjen e djeshme në Maqellarë të Dibrës, ku simpatizantë të PD-së ndaluan një makinë dhe pretendonin se ajo i përkiste kampit socialist dhe se synonte shpërndarjen e parave për blerjen e votës.

Denis Xholi, funksionar i bashkisë së Bulqizës dhe 32-vjeçari që e shoqëronte janë arrestuar me akuzën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” kryer në bashkëpunim dhe “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”

Në njoftim, thuhet se dy persona janë arrestuar në flagrancë si dhe dy personat që ndaluan makinën janë proceduar penalisht pasi duke bllokuar makinën kanë bllokuar rrugën Peshkopi-Maqellarë.

Policia raporton se pas kontrollit të mjetit janë gjetur dhe sekuestruar një shumë lekësh, modelar për të orientuar zgjedhësit për mënyrën e votimit si dhe fletëpalosje të një subjekti.

Njoftimi i plotë

Specialistët për Hetimin e Krimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër, nën drejtimin e Prokurorisë, bënë arrestimin në flagrancë, për veprat penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” kryer në bashkëpunim dhe “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore” të shtetasve:

A.C., 25 vjeç dhe D. Xh., 36 vjeç, banues në Maqellarë, Dibër.

Më datën 22.04.2021, rreth orës 14:00, në segmentin rrugor Maqellarë-Peshkopi, në automjetin me të cilin udhëtonin shtetasit e lartpërmendur, Policia sekuestroi një shumë lekësh, modelar për të orientuar zgjedhësit për mënyrën e votimit si dhe fletëpalosje të një subjekti politik.

Gjithashtu ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë për veprën penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit automobilistik”, për shtetasit A. S. dhe G. H., banues në Dibër, pasi u kanë bllokuar rrugën dy shtetasve të arrestuar, në afërsi të rrethrrotullimit të Maqellarës, duke bllokuar rrugën Peshkopi – Maqellarë.

Materialet procedurale në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur iu referuan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, për veprime të mëtejshme.

SHKARKO APP