Konfirmohet varianti britanik i Covid-19, masat s’ndryshojnë. Manastirliu: Në 14 muaj vaksinohet e gjithë popullata
Këtë të enjte u mblodh Komiteti Teknik i ekspertëve për situatën e Covid-19 në vend dhe takimi nisi me zëvëndësimin e anëtarëve, pasi mjeku Tritan Kalo dha dorëheqjen dhe Najada Çomo është kandidate për deputete. Dhimitër Kraja do të jetë anëtari i ri i Komitetit Teknik i Ekspertëve, pas largimit të mjekut Najada Çomos, pasi kjo e fundit u kandidua për deputete. Alban Ylli zëvendëson Tritan Kalon. Nga ana tjetër është shtuar edhe një anëtare e re. Ajo është Ermira Kola.
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, tha se në vendin tonë konfirmohet varianti britanik i Covid-19. ”Në vlerësimin e situatës janar-shkurt janë analizuar kampione, laboratori ka përdorur kite specifike dhe në këtë rast ISHP ka bashkëpunuar me Ankaranë. Rezultet treguan se kampionet ishin infektuar me mutacionin britanik. Varianti është në qarkullim në më shumë se 70%. Dyshimet e arsyeshme që ekspertët patën që në momentin që filloi rritja e infektimeve, tashmë është e konfirmuar. Shqipëria ka në qarkullim edhe këtë mutacion”.
Kryetarja e Komitetit të Ekspertëve, Mira Rakacolli tha se masat aktuale nuk do të ndryshojnë, të paktën edhe për dy javë, kur pritet të bëhet një tjetër rivlerësim i situatës. ”U vlerësuan indikatorët e situatës dhe nga analiza e tyre jemi në atë situatë që paraqitet e qëndrueshme dhe ajo tendencë ulje vazhdon të mbetet e tillë, por natyrisht tashmë kemi variantin e ri dhe mendojmë që masat e kanë dhënë efikasitetin dhe ti mbajmë në këtë status, pra ora policore do të jetë ajo që kanë qenë, mësimi online, kjo dhe për shkak të infektimeve te të rinjtë, edhe ndalimi i udhëtimve me Britaninë edhe për dy javë. Sa për vendimin e Gjykatës Kushtetuese për grumbullimet e quajmë të arsyeshme, pra do e rivlerësojmë situatën dhe masat pas dy javësh. Nuk kemi asnjë nivel të dëshiruar të zbatimit të masave, megjithë përmirësimin e lehtë nuk jemi aty ku duhet”,-tha ajo.
Nga ana tjetër, Manastiliu theksoi se gjatë muajit prill në vendin tonë do të mbërrijnë 68 mijë doza të Astra Zenecës dhe se synimi është që brenda 14 muajve të vaksinohet e gjithë popullata.
”Ne kemi tre skenare dhe skenari më ambicioz është vaksinimi i popullatës brenda 14 muajve. Kemi doza për 800 mijë qytetarë. Në tërësi mbulojmë 800 mijë qytetarë. Jemi në negociata për të patur kontrata të tjera në mënyrë që të kemi një mbulim të krej qytetarëve. Besoj se shumë shpejt do të kemi një informacion dhe lajmin për kontrata të tjera që vaksinimi masiv i popullatës të vijojë. Brenda pranverës, do të intesifikojmë vaksinimin, por nëse krahasohemi me rajonin jemi në vendin dytë pas Serbisë. Të kemi vaksinim të popullatës që të çlirojmë dhe turizimin, kjo falë përpjekjeve dhe negociatave që ne kemi bërë”.
Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico, tha se situata në vend mbetet delikate, pavarësisht se në dy javët e fundit ka pasur një rënie të rasteve. ”Incidenca dy javore ka pasuar një rënie. Mesatarja e rasteve ditore ka rënë në 819, rastet aktive kanë pësuar një ulje të lehtë, por që duhet të vijojë monitorimi. Nuk është akoma momenti për t’u gëzuar, masat duhet të vijojnë. Qytetarët të mbajnë maskën, distancën dhe higjienizimin”.
Masat që janë ende në fuqi
-Ndalimi i qarkullimit të lëvizjes për qytetarët nga ora 20:00 e mbrëmjes-6:00 të mëngjesit, me përjashtim të emergjencave shëndetësore dhe për arsye pune (në këtë rast është e domosdoshme leja nëpërmjet aplikimit tek e-Albania.
-Ndalimi i aktiviteteve të bareve, restoranteve, klubeve, nga ora 20:00 e mbrëmjes-06:00 të mëngjesit (me përjashtim të shërbimit delivery).
-Nisur nga rritja e rasteve të infektimeve të reja në grupmoshën 15-24 vjeç, shkollat e mesme vijojnë me skenarin e tretë, pra atë online ne zonat e riskut të lartë.
-Universitetet vijojnë online
-Pezullim të fluturimeve me Britaninë e Madhe