Konflikti Rusi-Ukrainë, Meta pret në takim Peleshin dhe Shefin e FA: Të forcohen kapacitetet tona mbrojtëse

Nisur nga situata shqetësese për nisjen e një lufte Rusi-Ukraine, Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta ka zhvilluar këtë të premte një takim me ministrin e Mbrojtjes dhe me shefin e Forcave të Armatosura, ku u ka kërkuar që të forcohen kapacitetet mbrojtëse të vendit. ”Nënvizova rëndësinë e koordinimit sa më të efektshëm me Aleancën, si dhe marrjen e masave për vijimin e reformave në funksion të forcimit të mëtejshëm të kapaciteteve tona mbrojtëse”,-shkruan Meta në facebook.

Postimi i plotë

Prita sot në një takim Ministrin e Mbrojtjes, z.Niko Peleshi dhe Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjeneral Major Bajram Begaj.

Ndamë shqetësimin e përbashkët me të gjithë partnerët tanë të NATO-s për kërcënimin e një agresioni të mundshëm rus ndaj Ukrainës, që do të ishte një shkelje flagrante e të drejtës ndërkombëtare.

Nënvizova rëndësinë e koordinimit sa më të efektshëm me Aleancën, si dhe marrjen e masave për vijimin e reformave në funksion të forcimit të mëtejshëm të kapaciteteve tona mbrojtëse.

Në këtë kontekst, u vlerësua edhe plotësimi dhe fuqizimi i gjithë zinxhirit komandues në Forcat e Armatosura, në përputhje me sistemin gradë-funksion.

SHKARKO APP