Konflikti Shqipëri-Greqi për naftën në Jon, PDIU: Duhet ligji për kufijtë detarë

"Shqipëria dhe Greqia janë janë duke zhvilluar një konflikt të heshtur në lidhje me zonat detare të kërkimit të naftës në Jon, – deklaron PDIU-­ja, – për këtë arsye dhe disa të tjera, Qeveria shqiptare duhet të qartësojë publikisht pozicionin në lidhje me Marrëveshjen e Detit dhe të miratojë ligjin për kufijtë detarë. PDIU­ja, nëpërmjet një deklaratë shprehet se “ka ardhur koha e miratimit të ligjit për kufijtë detarë të Shqipërisë, sipas detyrimeve ndërkombëtare dhe Shqipëria duhet të kërkojë ndërmjetësim ndërkombëtar për Marrëveshjen e Detit dhe kërkimin e naftës në det.”

Në deklaratë thuhet edhe se ditët e fundit "jemi njohur me një diskutim të zhvilluar në Komisionin e jashtëm të Parlamentit grek në lidhje me marrëdhëniet greko-shqiptare. Prej atij diskutimi që përfshinte ministrin e ri të jashtëm dhe përfaqësues të disa partive ekstremiste dhe fashiste greke, PDIU-ja beson se ka ardhur momenti të vendosen pikat mbi “i” për disa çështje. Ne nuk na shqetëson retorika, ëndrrat e çmendura të qarqeve shoviniste dhe fashiste greke, sa kohë që ato izolohen dhe nuk bëhen politikë zyrtare e shtetit fqinjë. Ne na interesojnë qëndrimet e diplomacisë sonë në lidhje me disa çështje të rëndësishme që mbeten pezull në marrëdhëniet midis dy vendeve, veçanërisht ajo e përkufizimit të kufijve detarë. Për PDIU­në është inkurajuese të dëgjojmë lajme se Greqia zyrtare mund ta rishikojë pozicionin e vet për njohjen e Kosovës, por mbetet zhgënjyes fakti se kjo njohje mund të shkëmbehet me pranimin e Marrëveshjes së detit. Ky shkëmbim do të ishte pranim i drejtpërdrejtë edhe nga ana e Greqisë i faktit se me Marrëveshjen e hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese, Greqia përfitonte territor shqiptar. Pra Greqia synon të bëjë Pazar me këtë territor, por ne nuk mund ta pranojmë pazarin. PDIU kërkon që sa më shpejt të miratohet ligji për kufijtë detarë, një projekt i sugjeruar nga ekspertët e fushës, një detyrim ndërkombëtar I Shqipërisë dhe që na vendos në një pozitë më të barabartë me Greqinë në lidhje me këtë çështje të mbetur pezull mes nesh".

SHKARKO APP