Konsolidimi i një procesi pa kthim
Kryeministri Edi Rama dhe Kryeministri Isa Mustafa, në konferencën e përbashkët për shtyp, pas mbledhjes së përbashkët të të dy qeverive;
Kryeministri Edi Rama:
Përshëndetje të gjithëve!
Ishte një mbledhje e pasur në përmbajtje dhe shumë e rëndësishme për nga volumi i angazhimeve të marra.
Së bashku me Kryeministrin Mustafa dhe pjesëtarë të tjerë të të dy kabineteve, nënshkruam sot një sërë marrëveshjesh, të cilat jemi besimplotë se do të konsolidojnë një proces pa kthim, atë të bashkimit të të gjitha forcave dhe të bashkimit të të gjitha institucioneve tona drejt një qëllimi të përbashkët që është, bashkimi ynë kombëtar përmes Bashkimit Europian!
Marrëveshjet e saponënshkruara mbulojnë bashkëpunimin në fushën e sigurisë, në kontrollin e brendshëm dhe kontrollin e kufirit.
Dua të nënvizoj këtu një detaj të thjeshtë, në dukjen e optikës institucionale, mbase, të papërfillshëm, por shumë të rëndësishëm për qytetarët tanë, posaçërisht për qytetarët e Kosovës që i drejtohen Shqipërisë, veçanërisht në sezonin e verës. Jemi plotësisht të angazhuar që, pas kaq shumë vitesh ku kemi një situatë të mbingarkuara me radhë të stërzgjatura dhe kilometrike, këtë sezon ta transformojmë çdo pikë kalimi drejt Shqipërisë, – sigurisht, kam parasysh këtu pikën kryesore të kalimit që është në Rrugën e Kombit, – në një pikë pa radhë, ku kontrolli të bëhet i rastësishëm, ashtu siç bëhet në kufi të Bashkimit Europian, për shembull, me Zvicrën.
Më tutje, morëm në shqyrtim hapat e domosdoshëm për bashkëpunimin ekonomik, për zgjidhjen dhe lehtësimin e tregtisë, dhe firmosëm një Memorandum të rëndësishëm Mirëkuptimi edhe mes ministrive të Financave, shtuar këtu dhe vendosja e piketave të mëtejshme për bashkëpunim në fushën e bujqësisë.
Jemi shumë të vendosur që brenda vitit t’i heqim të gjitha barrierat e natyrës administrative dhe të njehsojmë dokumentet zyrtarë të nevojshëm për tregtinë, në mënyrë që sipërmarrësit të mos jenë të detyruar të punojnë me dy palë autorizime, me dy palë dokumente, kur është fjala për shkëmbimet tregtare dhe posaçërisht për shkëmbimin e prodhimit bujqësor dhe blegtoral, ku është e domosdoshme të kërkojmë me shpejtësi dhe do ta bëjmë këtë, për të njehsuar dhe njohur reciprokisht burimet e certifikimit.
Po ashtu, do të shkojmë më tutje me ndërveprimin për organizimin e përbashkët të mësimit të gjuhës shqipe në diasporë. Ndërkohë që, ecim më tutje mbi themelet, tanimë të vendosura, me marrëveshjen e nënshkruar më parë mes dy ministrive të Arsimit, të unifikimit të sistemit tonë arsimor. Një angazhim themelor në rrugën e bashkimit të forcave dhe përpjekjeve të institucioneve të dy shteteve tona, për të funksionuar si një forcë e vetme në shërbim të një populli, ku gjenerata tjetër meriton të shërbehet me pika referimi të përbashkëta në rrugën e integrimit tonë me njëri-tjetrin dhe me Bashkimin Europian.
Pa dyshim, po kaq e rëndësishme është edhe marrëveshja që u firmos mes ministrisë të Kulturës dhe ministrisë së Diasporës së Kosovës, po ashtu. Ndërkohë që, një integrale e përbashkët në fushën e zhvillimit të zonave ndërkufitare, që tanimë e kemi firmosur, do t’i japë një shtysë shumë të fortë, konkrete, projekteve zhvillimore që do të dinamizojnë ekonominë në zonat kufitare dhe do të krijojnë modele të integruara të zhvillimit ekonomik dhe social mes shqiptarëve në të dy anët e vijës kufitare, në funksion të një transformimi të rëndësishëm edhe të kulturës së projektit në marrëdhënie edhe me Bashkimin Europian.
Faktikisht, në zona si Hasi, Tropoja, Gjakova e me radhë, ne duam të vendosim një gur të rëndësishëm themeli, në funksion të zhvillimit të projekteve të përbashkëta me aktorë privatë dhe publikë. Deri tek dalja me përfaqësi të përbashkëta diplomatike, që sjellin procesin e bashkëpunimit Shqipëri-Kosovë në një fazë të re, guxuam dhe besoj bëmë shumë mirë me Konsullatën në Milano, konsullatë e përbashkët. Së shpejti do të hapet konsullata e përbashkët në Mynih. Shembulli që marrim dhe reagimi jashtëzakonisht pozitiv i qytetarëve tanë na imponon që ne të shkojmë më tutje në këtë proces dhe të vazhdojmë të unifikojmë shërbimin tonë diplomatik, edhe më me kurajo, edhe më me shpejtësi.
Përpara se t’ia kaloj fjalën Kryeministrit Mustafa për të plotësuar bilancin e kësaj mbledhje të dytë të dy qeverive, dua të nënvizoj që qëllimi parësor dhe më i rëndësishëm i politikave të përbashkëta strategjike të dy qeverive është përmirësimi i cilësisë së jetës së qytetarëve tanë, përmirësimi i cilësisë së të jetuarit në hapësirën tonë të përbashkët, ku administrimin e bëjnë dy shtete, por ku aspiratat dhe interesat janë absolutisht të përbashkëta.
Faleminderit nga zemra, Kryeministrit Mustafa, në mënyrë të posaçme edhe Ministrit të Jashtëm, Zëvendëskryeministrit të Parë të Kosovës, zotit Thaçi, për vendosjen në funksion të këtij procesi të gjithë eksperiencës së tij dhe për punën intensive që ka zhvilluar bashkë me Ministrin e Jashtëm të Republikës së Shqipëri, zotin Bushati, në përgatitjen dhe në garantimin e arritjeve të kësaj mbledhje të dy qeverive që, mund ta them me plotë gojën, është një moment i suksesshëm në rrugën e bashkëpunimit. E di që fjala sukses është përdorur dhe shpërdorur shumë nga ne shqiptarët në vite. Kemi arritur të flasim edhe për dreka të suksesshme. Por realisht, kjo ishte një mbledhje me një rëndësi të veçantë dhe mori vendime që do të kenë një peshë të veçantë në rrugëtimin tonë të përbashkët, në funksion të cilësisë së jetës së qytetarëve dhe në funksion të rritjes së forcave sipërmarrëse në ndërveprimin mes dy vendeve.
***
-Dy ditë më parë, përpara mbledhjes së dy qeverive, Biznes Albania dhe Oda e Tregtisë së Kosovës kanë zhvilluar një takim ku ju kanë drejtuar 16 kërkesa. A besoni, zoti Kryeministër, se këto kërkesa reflektohen në marrëveshjen që ju keni nënshkruar sot për tregtinë?
Në mos 100%, 99.99%.
-Nëse synimi dhe pretendimi i dy qeverive është që të bashkëqeverisin, shoqëruar kjo me marrëveshjet respektive që ju sapo përmendët. A mendoni se do të arrihen objektivat përballë një korrupsioni evident në shoqërinë tonë dhe grupeve kriminale gjithashtu që mund të bëhen një pengesë në realizimin e tyre. Si e keni menduar këtë?
Ne besojmë që, lufta me themel kundër korrupsionit është lufta me themel për modernizimin e shtetit. Në një shtet modern ka shumë më pak korrupsion se sa në një shtet arkaik. Sepse nuk janë njerëzit që korruptojnë sistemin, por është sistemi që korrupton njerëzit. Një sistem i cili funksionon, i bën edhe njerëzit që të funksionojnë si pjesë e tij. Një sistem disfunksional e kthen korrupsionin në alternativë shërbimi, në një alternativë shpeshherë më të shpejtë e më efikase. Dhe, këtu, është pika ku duhet të luftojmë, sepse qeveria nuk është as prokurori dhe as gjykatë, detyrat janë të ndara, sigurisht si shumicë parlamentare, ne kemi marrë përsipër dhe do të realizojmë një reformë rrënjësore të sistemit të drejtësisë, por si qeveri, ne duhet të realizojmë një proces modernizimi rrënjësor me çdo çmim. Në fund të fundit, të gjithë qytetarët tanë, edhe të Shqipërisë dhe të Kosovës, kur shkojnë në Gjermani as nuk u shkon ndërmend t’i japin lekë ndonjë nëpunësi, ashtu sikundër edhe nëpunësit as nuk i shkon ndërmend t’i kërkojë lekë qytetarit. Kjo, jo se gjermanët janë më të ndershëm se ne, harrojeni këtë, por sepse kanë shtet modern, që e bën të pamundur subjektivizmin e individit. E kam thënë edhe herë të tjera, nuk kam parë dhe as e imagjinoj dot, ndonjë shqiptar, të Shqipërisë apo të Kosovës, që t’i japë makinës pa rrip sigurie në Gjermani. Kam parë persona të ambasadës gjermane që i japin makinës pa rrip sigurie në Tiranë. Kjo do të thotë që ku të gjesh një shesh, bën përshesh. Varet nga sistemi.
-Duke pasur parasysh që jemi vend që presim hapjen e negociatave me BE-në, jemi një vend anëtar i NATO-s, duke pasur parasysh pozicionin tonë gjeografik dhe kapacitetet ekonomike që kemi, kuptoj interesin dhe përfitimet që mund të ketë Kosova nga ky bashkëpunim me Shqipërinë, ndërsa do të doja të dija në terma konkretë, kush janë përfitimet e Shqipërisë në këtë bashkëpunim ekonomik, përveç shkëmbimeve tregtare?
-Zoti Rama solli rastin e Gjermanisë dhe Francës si shembull për t’u ndjekur mes Shqipërisë dhe Serbisë, por sot në këtë mbledhje të dy qeverive mungonin ministrat serbë, që prej kohësh, në fakt, kanë bojkotuar të gjitha aktivitetet edhe në Kosovë. Realisht, çfarë do të bëhet për të pasur një bashkëpunim real mes Kosovës, Shqipërisë dhe Serbisë?
Në fakt, problem do të ishte sikur serbët të mos kishin vende, por kur i kanë vendet dhe i lënë, kjo është zgjedhja e tyre. Vendet janë aty, mund të kthehen prapë kur ta shohin të arsyeshme. Ajo që është më e rëndësishme është që ndërkohë që ata s’janë aty, qeveria e Kosovës është në krye të detyrës për t’i plotësuar të gjitha detyrimet që parashikon Kushtetuta dhe marrëveshja serbe në Kosovë. Prandaj është e natyrshme kërkesa jonë këmbëngulëse që të ndodhë e njëjta gjë me shqiptarët në Luginën e Preshevës, sepse nuk ka asnjë mundësi krahasimi mes qeverisë së Kosovës dhe qeverisë së Serbisë, në kuptimin e respektimit të lirive dhe të të drejtave të të tjerëve dhe në kuptimin e rrezatimit real të vlerave europiane në këtë aspekt. Është pak paradoksale në fakt që ndërkohë që shteti i respekton kaq mrekullisht këto të drejta akoma nuk ka viza, ndërkohë që shteti tjetër që ka ende shumë punë për të bërë në drejtim të këtyre të drejtave, negocion për të hyrë në Bashkimin Europian. Por, kjo, sidoqoftë është pjesë e problematikave të vetë kohës që po kalon vetë BE.
Për sa i përket pyetjes tjetër, unë mendoj që interesi i një bashkëpunimi strategjik mes Shqipërisë dhe Kosovës është në çdo plan dhe në çdo aspekt. Nuk është një interes thjesht ekonomik, nuk është një interes thjesht tregtar, nuk është një interes thjesht arsimor apo kulturor, por është në çdo plan dhe në çdo aspekt. Sepse jemi bij të një toke, jemi i njëjti popull dhe kemi të njëjtën ëndërr, të bashkohemi duke i dhënë formë bashkimit të shumë ëndërruar kombëtar, por përmes instrumentit të Bashkimit Europian, sepse jetojmë në shekullin e XXI-të dhe nuk ka vend për mitologjira dhe për nacionalizma folklorikë.
-Zoti Mustafa tha që bizneset në të dyja anët e kufirit të mos ta njohin njëri-tjetrin si konkurrentë. Në fakt, dy vendet kanë shkallë të ndryshme të TVSH-së, Shqipëria e ka 20% dhe Kosova 16%, si dhe norma të ndryshme të tatimfitimit. Në këtë aspekt, Kosova është nga ana fiskale më e preferuar në biznes. Çfarë duhet bërë për unifikimin e këtyre taksave dhe a rrezikon që bizneset e huaja rezident në Shqipëri të zhvendosen në Kosovë për këtë arsye?
-Folëm shumë për marrëveshjet, por doja të pyesja edhe për një mosmarrëveshje.. A ekziston midis Shqipërisë dhe Kosovës ndonjë mosmarrëveshje që e ka burimin nga ish Federata Jugosllave dhe këtu e kam fjalën për marrëveshjen e ujërave ndërkufitare? Kohë më parë, një zyrtar i lartë i qeverisë së Kosovës ka thënë se qeveria shqiptare me vendimet e saj po pengon ndërtimin e HEC-it të Zhurit. Ndërkohë që paraardhësi i zotit Rama e ka hedhur topin tek një gjykatë ndërkombëtare. Cili është komenti?
Siç e tha Kryeministri Mustafa, të mos kemi konkurrencë, por mirëkuptim, ne nuk jemi xhelozë që Kosova ka TVSH-në më të ulët dhe që ka tatimfitimin më të ulët, përkundrazi jemi absolutisht të lumtur për këtë dhe nuk jemi në konkurrencë me njëri-tjetrin se kush e ul më shumë TVSH-në. Ne besojmë për nga pikëpamja sistemit të taksimit, qoftë Shqipëria, qoftë Kosova, ofrojnë maksimumin duke pasur parasysh edhe gjithë pjesën tjetër që ka të bëjë me koston e punës, që ka të bëjë me pozicionin gjeografik, që ka të bëjë me mundësinë e qarkullimit brenda përbrenda kësaj hapësire dhe jo më kot, për ne, në çdo diskutim, si qeveri e Shqipërisë, në çdo qasje ndaj investitorëve të huaj, asnjëherë nuk ka kufij. Kur flasim për Shqipërinë, flasim dhe për Kosovën. Kur ftojmë investitorët në Shqipëri, i ftojmë në këtë hapësirë shqiptare, duke i siguruar se paralelisht ne do të heqim të gjitha llojet e barrierave, sikundër bëmë edhe në mbledhjen e sotme.
Përsa i përket paraardhësit, atë jua kam lënë juve ta gjykoni, sepse ju e njihni më mirë se unë dhe jeni më objektiv se unë kur flisni për paraardhësin tim, e kam fjalën për ju në Kosovë.
-Dua t’ju pyes për deklaratën tuaj, që tingëlloi shumë e fortë gjatë mbledhjes së përbashkët, përsa i përket regjimit të vizave me Kosovën. Ju e quajtët atë një turp për BE-në. A i rezervoni një ton kaq të ashpër një çështjeje të tillë edhe në Bruksel, keni arritur ta skuqni Brukselin për një çështje të tillë, apo zëri i trashës, ruhet vetëm për takimet bilaterale me Kosovën. Pasi në rastet konkrete, takimet me zyrtarët e Brukselit duket sikur çështja trajtohet, por me një ton më të ulët?
Më falni që nuk e kam zërin aq të hollë sa e doni ju, por secili ka zërin e vet dhe nuk ka çfarë bën tjetër. Rëndësi ka që zërin e vet të mos përpiqet ta hollojë apo ta trashë, se pastaj mund të mos japë efektin e duhur.
Përsa i përket pyetjes që bëni ju, gjejani ju një fjalë tjetër Bashkimit Europian, për faktin se në gjithë hapësirën europiane, ku unë fus jo vetëm BE-në, por edhe “E”-në se ne jemi në Europë, pavarësisht se nuk e kemi “B”-në përpara, 1.3-1.4 milionë njerëz i mban mbyllur. Dhe kë mban mbyllur? Mban mbyllur ata të cilëve ju njohu shtetin, pas një luftë çlirimtare ku u përfshi edhe BE, në një pjesë të rëndësishme të kësaj lufte dhe nuk u jep viza. Le ta gjeni ju, bashkë me BE-në, nëse ky nuk është turp. Ky është turp i BE-së, është turp i Europës.
Sa për, a jua them apo s’jua u them unë, në anglisht, ato që mendoj në shqip, të jeni të sigurt se nuk kam problem tjetër, përveç faktit që shqipen e flas pak më mirë se anglishten. Por edhe në anglisht di t’i them ato që mendoj në shqip. Të jesh i sigurt për këtë. Mos ki shqetësim.
-Ka një ngërç me godinën e ambasadës së Kosovës në Tiranë. Pronarët e vërtetë të saj kanë fituar gjyqet, por nuk po u kthehet godina. Ka pasur në mbledhjen e sotme një bisedë rreth edhe kësaj teme, për një zgjidhje, kalim në ndonjë godinë tjetër, në respektim të vendimeve të gjykatës?
Nuk ka pasur sot një bisedë drejtpërdrejtë për këtë, por duke qenë se sidomos Bashkia e Tiranës ka dhënë shumë godina, nga ato publiket, pa qira fare këto vite, nuk kemi shumë për të zgjedhur kur vjen puna tek godinat që kemi nevojë. Sidoqoftë, ky nuk është një problem i qeverisë së Kosovës, ky nuk është një problem i përbashkët, ky është një problem që e trajton qeveria e Shqipërisë dhe shteti shqiptar. Do të dëshiroja shumë që të mos krijonim me këtë pyetje, idenë se qeveria e Kosovës rrezikon të humbasë godinën, se nuk është në këtë situatë. Sido që të jetë puna, në rast se do të duhet të lëvizë, do të lëvizë vetëm për të pasur një godinë më të mirë. Për arsye tjetër nuk do lëvizë