Koronavirus dhe sherr politik në Itali. Conte: Dua më shumë kompetenca. Lega: Jemi në emergjencë, jo në fashizëm
Që prej datës 21 shkurt Italia është duke u përballur me koronavirusin, që ka shkaktuar 7 viktima dhe 229 të prekur. Institucionet italiane janë në alarm të plotë dhe ekipet mjekësore e të emergjencave civile kanë marrë masa për frenimin e virusit që ka goditur veriun e vendit.
Por veç debateve për mënyrën si po menaxhohet situata, në Romë ka përplasje të forta politike mes qeverisë së Guseppe Contes dhe opozitës që drejtohet nga Matto Salvini.
Kryeministri Guseppe Conte ka fajësuar sot për përhapjen e koronavirisut menaxhimin e dobët të bashkive dhe të guvernatorëve në rajonet e veriut. Në një intervistë për “Rai 1”, Conte deklaroi se do të kërkonte ndryshime ligjore për kompetencat e guvernatorëve dhe strukturave të tjera të rajoneve. Spitalet në Itali varen nga pushteti lokal dhe kryeministri Conte deklaron se në disa raste nuk janë marrë masat e duhura.
Por ndërhyrja e qeverisë në të drejtat e pushtetit vendor ka sjellë përplasje të forta me drejtuesit e opozitës. Kreu i grupit të 125 deputetëve të Lega-s, Riccardo Molinari, ka deklaruar se kërkesa e kryeministri për më shumë kompetenca është fashizëm. “Është mirë që kryeministri të pushojë pak. Lodhja dhe stresi bëjnë që të thotë gjëra të paimagjinueshme dhe fashiste, sipas meje. Të heqim kompetenca e rajoneve për t’ja dhënë qeverisë, kjo është e paimagjinueshme. Të kthehesh në vitin zero (i gjithëpushtetshëm) duke përdoru krizën që po kalon vendi është diçka që nuk mund të bëhet kurrë. Kryeministri Conte duhet të mendohet pak, ose më mirë të japë dorëheqjen, kjo do ishte gjëja më e mirë për gjithë Italinë”, ka reaguar Molinari.
Gjithashtu edhe kreu i Lega Mateo Salvini ka deklaruar se qeveria duhet të japë dorëheqjen, për shkak të paaftësisë në parandalimin e koronavirusit. Ai deklaroi se qeveria duhet të lerë mjekët dhe ekspertët të punojnë dhe të mendojë për krizën ekonomike që po vjen, pas shpërthimit të koronavirusit. Salvini u ka bërë thirrje italianeve që në këtë kohë krize të konsumojnë vetëm produkte “Made in Italia”, për të shmangur humbjet e mëdha të biznesit vendas.
KOHA JONË SONDAZH

