Koronavirusi/ Qeveria firmos vendimin, Kavalishenca e Ushtrisë kthehet në karantinë

Këshilli i Ministrave të Shqipërisë ka marrë sot vendime sa i takon situatës së koronavirusit.

Në VKM-të e marra sot nga Këshilli i Ministrave, thuhet se shtëpia e pushimit të ushtarakëve në Plepa do të kthehet në karantinë. Po ashtu, në tjetër vendim për koronavirusin thuhet edhe se Ministrisë së Shëndetësisë i shtohet fondi prej 400 milionë lekësh.

Një tjetër VKM saktëson se do të dhurohen 200 milionë lekë për kategorinë e shpenzimeve kapitale dhe 200 mln lekë për kategorinë e shpenzimeve korrente.

VENDIMET:

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 09 Mars 2020:

V E N D I M PËR MARRJEN E MASAVE PËR NGRITJEN E INFRASTRUKTURËS PËR SHËRBIMIN E KARANTINËS DHE PËR NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E MIRATUAR PËR MINISTRINË E MBROJTJES

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.15/2016, “Për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive”, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes dhe ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

  1. Caktimin e shtëpisë së pushimit të ushtarakëve të FARSH-it, prona nr.231, me emërtim “Shtëpia e pushimit të ushtarakëve”, me vendndodhje në Plepa, Durrës, si strukturë për shërbimin e karantinës, në funksion të marrjes së masave për parandalimin e përhapjes së infeksionit nga COVID-19.
  2. Caktimin e Ministrisë së Mbrojtjes si autoritet kontraktor për zhvillimin e procedurave të prokurimit, si më poshtë vijon:
  3. a) rikonstruksion të objektit prona nr.231, me emërtim “Shtëpia e pushimit të ushtarakëve”, me vendndodhje në Plepa, Durrës, për përshtatje si infrastrukturë karantine;
  4. b) blerje mallrash/pajisjesh për përshtatjen e dhomave për nevoja të karantinës;
  5. c) sigurimin e ushqimit të gatuar sipas nevojave;

ç) sigurimin e shërbimit të lavanderisë.

  1. Ministrisë së Mbrojtjes, në buxhetin e miratuar për vitin 2020, në artikullin buxhetor 602, “Mallra dhe shërbime”, dhe në artikullin buxhetor 231, “Shpenzime kapitale”, i shtohet, përkatësisht, fondi prej 13 824 000 (trembëdhjetë milionë e tetëqind e njëzet e katër mijë) lekësh dhe 11 000 000 (njëmbëdhjetë milionë) lekësh.
  2. Efektet financiare, sipas pikës 3, të këtij vendimi, të përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për vitin 2020.
  3. Ministria e Mbrojtjes të koordinojë punën me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për përcaktimin e kushteve/kërkesave për funksionimin optimal të objektit të caktuar si infrastrukturë karantine.
  4. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të marrë të gjitha masat për të siguruar shërbimin shëndetësor dhe psikosocial për personat që vendosen në karantinë, sipas legjislacionit në fuqi.
  5. Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletore zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

V E N D I M PËR NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIN 2020, MIRATUAR PËR MINISTRINË E SHËNDETËSISË DHE MBROJTJES SOCIALE, PËR MARRJEN E MASAVE PËR PLOTËSIMIN E NEVOJAVE PARAPRAKE PËR INFEKSIONIN E SHKAKTUAR NGA COVID-19

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

  1. Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, në buxhetin e miratuar për vitin 2020, në programin “Planifikim, Menaxhim dhe Administrimi”, i shtohet fondi prej 400 000 000 (katërqind milionë) lekësh për marrjen e masave për plotësimin e nevojave paraprake për infeksionin e shkaktuar nga COVID-19, i ndarë, përkatësisht,:

200 000 000 (dyqind milionë) lekë në kategorinë e shpenzimeve kapitale;

200 000 000 (dyqind milionë) lekë në kategorinë e shpenzimeve korrente.

  1. Efekti financiar, prej 400 000 000 (katërqind milionë) lekësh, të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2020.
  2. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE

SHKARKO APP