”Korrupsion në zgjedhje”, kalon për gjykim çështja ”Beleri”. Avokati: Po mbahet në qeli politikisht dhe pa prova

GJKKO-ja ka kaluar për gjykim dosjen për Fredi Belerin, kryetarin e zgjedhur të Himarës, në akuzë për blerje votash, por ende nuk është betuar pasi është në burg. Beleri do të gjykohet për akuzën e “korrupsionit në zgjedhje”. Ndonëse paraqiti një deklaratë ku kërkonte të përfaqësohej me avokat gjatë seancës Beleri është paraqitur në gjykatë. Sipas avokatit të tij, Edmond Dëma, Beleri ka këmbëngulur para gjykatës se po mbahet në qeli politikisht dhe pa prova.

Më herët Gjykata e Posaçme i mbylli derën kreut të PBDNJ-së, Vangjel Dule, i cili kishte kërkuar përmes avokatëve të Belerit, që të ishte i pranishëm. Në fjalën për gazetarët, Dule tha se Fredi Beleri po ndalohet që të kryejë betimin në kundërshtim me ligjin.

“Ju përgjigj gjykatësja me një vendim negativ. Pa hyrë në detaje të procedurës gjyqësore. Beleri në mënyrë të padrejtë në kundërshtim me parimin botërisht të respektuar të prezumimit të pavarësisë ndalohet të kryej betimin si kryebashkiak i zgjedhur. Mjafton t’u përmend rastin e një deputeti të zgjedhur i cili ishte i paraburgosur dhe u lejua që të kryeje betimin si deputet. Drejtësia duhet që pataten e nxehtë ta trajtojë me frymën e ligjit germën e ligjit të praktike të njohura botërisht. Askush nuk ka të drejtë ta paragjykojë procesin gjyqësor”,-tha Dule.

Kreu i PBDNJ-së kërkoi nga drejtësia që të trajtojë çështjen Beleri sipas ligjeve në fuqi, pasi sipas tij të pengosh Belerin nga ushtrimi i detyrës çon drejt një precedenti të rrezikshëm në jetën politike dhe juridike.

SHKARKO APP