Kosova: Do të promovoj gratë në detyra e përgjegjësi
Kandidati për kryetar Bashkie në Tiranë, Halim Kosova, u takua dhe bashkëbisedoi dje me gra të profesioneve të ndryshme në kryeqytet.
Kosova që në hyrje e vlerësoi si arritje ndryshimin ligjor që bën të mundur që listat e këshillit bashkiak të jenë të përbëra në gjysmën e tyre nga gratë.
Doktor Kosova theksoi se ai i ka idetë e qarta se si të ndihmojë në ndërtimin e “një sistemi, i cili do ta ruajë shëndetin e gruas sepse të gjithë pjesëtarët e familjes janë të rëndësishëm por nëna është ajo që i mbledh të gjithë rreth vetes dhe nëna është ajo që që i jep drejtimin e duhur familjes”.
“Ashku sikundër gjatë gjithë jetës sime përbri suksesit tim u kam pasur ju, gra dhe vajza, në sektorin që kam punuar, pse jo të mos e vazhdoj këtë eksperiencë të mirë edhe nesër në bashki që t’u kem ju përkrah për të drejtuar sektorë që kanë shumë nevojë edhe për zemërgjerësinë, dashurinë, njerzillëkun”, tha Kosova.
Kandidati për kryebashkiak dëgjoi shqetësimet dhe kërkesat e grave.
“Jam e larguar nga puna në Zyrat e Punës, nga ministri Erion Veliaj. Doja të dija si do të veproni ju me administratën?”.
“Drejtësia, ose vënia në vend e asaj që nuk shkon, ose dhënia e hakut të çdo njeriu, ky do të jetë, ka qenë dhe do të jetë prioriteti im”, u përgjigj Kosova.
Kosova shpjegoi se po punohet për një program të detajuar, të saktë dhe efikas për qeverisjen e qytetit.
“Kemi disa plane konkrete që dita ditës po afron periudha që ne do t’i shpalosim dhe pse jo sërish presim sugjerime të vlefshme për këtë moment sepse gjërat nuk vulosen dhe nuk ndryshojnë. Jemi të gatshëm të marrim mendime nga shtresa të ndryshme në mënyrë që ato të bëhen pjesë e programit tonë të nesërm. Program që të jetë realist, i zbatueshëm, i aplikueshëm dhe i prekshëm nga të gjithë. Dhe gjërat që do të vendosim të mos ngelin në letër, por të kenë një impakt direkt tek ju”, deklaroi Kosova.