Kosova e zboi oligarkinë, kurse Shqipëria pret 25 prillin!

-Brenda një dite, qytetarët e Kosovës zhvilluan një proces model në kutitë e votimit, pa incidente dhe pa asnjë akt dhune apo bllokim procesi. Mijëra qytetarë që prisnin në radhë për votuar dhe pa asnjë incident ishin shembulli më i mirë i asaj që mungon në Shqipëri gjatë zgjedhjeve. Në Kosovë nuk kishte as banda që vinin vërdallë qendrave të votimit për të penguar qytetarët dhe as sekserë të pushtetit që paguanin me zarfe për votat e qytetarëve. Sigurisht nuk kishte as ministra, deputetë dhe drejtorë policie që dilnin në terren për të bllokuar votuesit apo sulmuar kundërshtarët politike. Të paktën ta bëjmë Shqipërinë si Kosova!

Lëvizja Vetëvendosje në Kosovë ka fituar zgjedhjet e 14 shkurtit me një fitore spektakolare. Më shumë se 47 për qind e qytetarëve u kanë dhënë besimin për të drejtuar qeverinë Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit duke i kthyer zgjedhjet në një referendum popullor. Zgjedhjet në Kosovë ishin një leksion demokracie dhe politike për Shqipërinë dhe vendet e tjera. Shteti që ka vetëm pak vite jetë, tregoi se është në gjendje të zhvillojë zgjedhje model që nuk janë parë as në shtete me demokraci të konsoliduar qindra vjeçare. Krahasimi i zgjedhjeve të Kosovës me Shqipërinë, për nga niveli i qytetarisë dhe procedurave është vite dritë larg. Edhe pse një komb, shqiptarët e Kosovës treguan se janë shumë herë para nesh. Fushata zgjedhore në Kosovë ishte një model i jashtëzakonshëm i demokracisë dhe programeve politike. Në Shqipëri fushata është fokusuar te gjobat e pandemisë, sulmet personale dhe të përdorimi i pushtetit për të manipuluar zgjedhjet. Ndërsa në Kosovë, fushata edhe pse me pandemi si të ne, ishte shprehje e demokracisë dhe fokusimit te programet dhe premtimeve politike.

Dita e zgjedhjeve në Kosovë ishte një ngjarje që duhet të bëjë me turp gjithë klasën politike në Shqipëri. Brenda një dite, qytetarët e Kosovës zhvilluan një proces model në kutitë e votimit, pa incidente dhe pa asnjë akt dhune apo bllokim procesi. Mijëra qytetarë që prisnin në radhë për votuar dhe pa asnjë incident ishin shembulli më i mirë i asaj që mungon në Shqipëri gjatë zgjedhjeve. Në Kosovë nuk kishte as banda që vinin vërdallë qendrave të votimit për të penguar qytetarët dhe as sekserë të pushtetit që paguanin me zarfe për votat e qytetarëve. Sigurisht nuk kishte as ministra, deputetë dhe drejtorë policie që dilnin në terren për të bllokuar votuesit apo sulmuar kundërshtarët politike. Të paktën ta bëjmë Shqipërinë si Kosova! Procesi i numërimit të votave në Kosovë ishte një tjetër element që tregon sesa jashtë kohe dhe e prapambetur është mënyra sesi në Shqipëri bëhen zgjedhjet. Në Shqipëri rezultati del pas një jave apo dhe disa muajsh. Në Kosovë, brenda pak orësh doli rezultati dhe qytetarët mësuan se kush do të drejtojë qeverinë. Askush nuk tentoi të bllokonte procesin apo të vidhte votat dhe askush nga partitë politike nuk refuzoi të njihte rezultatin. Por veç modelit të qytetarisë dhe demokracisë, zgjedhjet në Kosovë prodhuan edhe diçka më të rëndësishme me rezultatin që dhanë. Fitorja e Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit nuk është vetëm kurorëzimi i një beteje politike, por dhe fitorja e një modeli të ri politik në Kosovë. Zgjedhjet e 14 shkurtit nuk sollën thjesht një qeveri të re në pushtet, por një model të ri politik për shqiptarët e Kosovës. Albin Kurti dhe Vjosa Osmani janë dy emrat që bashkë me një qeverisje me të mirë kanë premtuar ndryshimin rrënjësor të situatës në Kosovë. Fushata e tyre ishte një manifestim politik për rindërtimin e shtetit të Kosovës dhe pastrimin e tij nga korrupsioni dhe oligarkia. Fitorja e Vetëvendosjes dëshmon se sado që politika e korruptuar dhe oligarkika mund të kapin peng institucionet vendimmarrëse të një vendi, pushteti i tyre nuk është i përjetshëm. Zgjedhjet në Kosovë janë një model që duhet ndjekur nga Shqipëria. Jo vetëm për demokracinë dhe qytetarinë me të cilën u mbajtën, por mbi të gjitha për mesazhin final të ndryshimit të pushtetit dhe nisjen e një epoke të re politike. Mes politikës së korrupsionit dhe oligarkëve, shqiptarët e Kosovës zgjodhën një drejtim të ri. Shqiptarët e Kosovës e thënë fjalën e tyre duke vendosur për një të ardhme më të mirë duke larguar politikën e që mendonte vetëm për krerët e partive dhe oligarkët. Më 25 prill është radha e shqiptarëve të Shqipërisë të vendosin për largimin e qeverisë së korruptuar dhe oligarkëve.

Mili Xhani

 

SHKARKO APP