Kosova një hap më pranë anëtarësimit në Këshillin e Evropës, kryeparlamentarja Nikolla: Një lajm i bukur nga Strasburgu

Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka dhënë lajmin se Komiteti Ministror i Këshillit të Evropës, ka marrë vendim që t’ia përcjellë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kërkesën për anëtarësimin e Kosovës.

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla përshëndet miratimin nga Komiteti i Ministrave i KiE të kalimit në Asamblenë Parlamentare të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

“Një lajm i bukur nga Strasburgu. Komiteti i Ministrave miratoi sot kalimin për shqyrtim në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Kërkesa e Kosoves për t’u anëtarësuar në Këshillin e Europës u miratua me 33 vota, nga 31 vota të nevojshme, për t’u shqyrtuar nga Asambleja Parlamentare. Një arritje për Kosovën, por edhe për Shqipërinë. Kuvendi i Shqipërisë është përfshirë në një veprimtari intensive lobuese për tia arritur këtij qëllimi. Lobimi do të vazhdojë deri në pranimin e Kosovës në organizatën më të madhe evropiane”, shkruan kryeparlamentarja Nikolla.

Kurse ministrja e Jashtme Olta Xhaçka tha se ky është një lajm i mirë, si edhe një hap i rëndësishëm për vendin. “Lajm i mirë nga Këshilli i Evropës! Komiteti i Ministrave vendosi të pranojë kërkesën e Kosovës për anëtarësim dhe t’ia dërgojë Kuvendit Parlamentar për mendim. Një hap i parë i rëndësishëm për t’i dhënë Kosovës vendin e merituar në Këshill”, shkruan Xhaçka.

SHKARKO APP