Kosova takon të rinjtë: Thinjat e mia tregojnë devotshmëri
Kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës Halim Kosova zhvilloi një bashkëbisedim me të rinjtë e kryeqytetit, në kuadër të takimeve për zgjedhjet vendore të 21 Qershorit.
Kosova shprehu angazhimin e tij për projekte punësimi e strehimi, ndërsa theksoi se Tirana i ka një borxh të madh të rinjve dhe të rejave të cilët janë pjesa më energjike dhe vitale e shoqërisë.
“Pa diskutim që petku më i bukur që qyteti i Tiranës ka, është rinia. Eshtë rinia ajo që me iniciativën e saj i ka dhënë gjallërinë e duhur Tiranës drejt një kryeqyteti Europian. Tirana nuk ka bërë aq sa duhet për rininë, duke marrë parasysh sakrificat që rinia ka bërë, duke marrë parasysh se është pjesa më vitale e komunitetit. Tirana ka qenë me fat që në gjirin e saj vijnë qindra e mijëra të rinj për të studiuar, për të krijuar një prespektivë për veten, për familjen dhe pse jo për të gjithë shoqërinë”, theksoi ai
Në vijim Kosova theksoi se nëse do të fitojë garën më 21 Qershor, Bashkia e Tiranës do të shohëtë gjitha urat e komunikimit që mendimet e të rinjve të vijnë në Bashki.
Kandidati i PD thekson bindjen e tij për krijimin e mundësive, por sidomos parimin e meritës, për të vlerësuar çdokënd sipas zotësisë që ka.
“Ne duhet të kthejmë meritën e gjithësecilit në mënyrë që djersa që ju derdhni në fakultete dhe jashtë saj, të justifikohet në jetë.
Eshtë shembull shumë pozitiv për çdo njeri dhe nxitës për të ardhmen në qoftë se shikoni që sipas meritës, ti ke edhe mundësi të punësohesh.
Bashkia e ardhshme, unë mendoj që duhet të jetë një menaxhere, një ambasadore, një rregullatore midis atyre që diplomohen dhe gjithë bizneseve në vend. Bashkia do të ofrojë grante në mënyrë që kush ka një ide, ose një grup të rinjsh me ide, të kenë mundësinë që atë ide ta vënë në jetë”, u shpreh Kosova.
Në lidhje me strehimin, Kosova tha se “në një qytet ku biznesit i janë ngurosur 8.000 apartamente që nuk i shiten dhe Tirana ka kaq shumë nevoja për punësim, unë jam duke vrarë mendjen, po brenda kuadrit ligjor, se si këto apartamente t’i ofrohen qytetarit nëpërmjet Bankës me kredi shumë të ulur”.
Duke iu përgjigjur kritikave të kundërshtarëve politikë dhe etiketimeve si një kandidat i lodhur, Kosova tha se “flokët mund të të thinjen ose mund të të bien. Ajo që unë mendoj është kjo, të të thinjen ose të të bien duke ndihmuar tjetrin, apo të të bien ose thinjen se si ta shkatërrosh tjetrin, t’ia groposësh të ardhurat e tij, t’i groposësh shpresën, ta rrjepësh përditë, është një diferencë shumë e madhe.
"Unë e them me plot gojën dhe i dal çdo njeriu përballë që thinjat e mia janë devotshmëri, janë përkushtim për pacientin, janë 24 orë në shërbim të tij ashtu sikurse nesër jap zotimin tim se do të jem 24 orë në shërbimin tuaj” ,deklaroi Halim Kosova.