KQZ i hoqi mandatin Belerit, Himara mban zgjedhjet për kryebashkiak më 4 gusht!

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka caktuar 4 gushtin si datën për mbajtjen e zgjedhjeve për kryetarin e ri në bashkinë e Himarës. Caktimi i datës së zgjedhjeve u bë disa orë pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Shqipërisë njoftoi më 5 korrik se ia ka hequr Alfred Belerit mandatin e kryetarit të zgjedhur të Himarës, pasi Gjykata e Apelit e mbajti në fuqi dënimin e tij me burgim muajin e kaluar.

“Jemi në kushtet e humbjes së mandatit të kryetarit të Bashkisë Himarë, dhe e shpallim të pavlefshëm këtë mandat”, tha të premten Ilirjan Celibashi, kreu i KQZ-së.

Beleri, me shtetësi shqiptare dhe greke, i fitoi zgjedhjet e majit 2023 si kandidat i opozitës për kryetar të Bashkisë së Himarës qytet i banuar edhe me popullsi greke në jug të Shqipërisë. Por, ai u arrestua pak ditë para zgjedhjeve nën dyshimet për blerje votash dhe u dënua me dy vjet burgim në mars. Apeli e konfirmoi dënimin e tij në qershor. Beleri ishte i pranishëm në seancën që u zhvillua në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të premten. Ai u përcoll nga forcat e policisë nga burgu i Fierit, ku po e vuan dënimin.

 

SHKARKO APP