KQZ-ja e re, Ivi Kaso: Koha nuk premton zgjedhje cilësore. Drafti i PS, atentat ndaj “5 qershorit”!

25 prilli do të ketë në bërthamën e saj një proces zgjedhor që do të administrohet nga “qeveria” e re e zgjedhjeve e cila pritet të marrë formë brenda datës 19 Tetor. Në studion e ABC News, eksperti për çështjet zgjedhor në PD, Ivi Kaso deklaroi se mes personave që presin të marrin postin e kreut të KQZ-së së re, ka një cilësi të lartë kandidaturash. Kjo sipas tij përkthehet në shpresë se kryetari i ri do të ketë eksperiencë të gjatë profesionale.

“Ka një cilësi të lartë në disa kandidatura. Kjo më jep shpresë që ai do të zgjidhet do të ketë një eksperiencë të gjatë profesionale. Ka persona me integritet dhe përgatitje profesionale dje eksperiencë në drejtimin e institucioneve. Koha nuk premton për zgjedhje të mira, dhe fakti që kemi këto kandidatura është një ogur i mirë. Unë shpresoj që të zgjidhet një person i aftë dhe me integritet. Procesi ka shumë sfida përpara. Roli i KQZ-së së vjetër është ndryshe me atë të tanishëm”, tha Kaso.

Kaso bëri një paralelizëm mes pozicionit të PD sot dhe atij të një viti më parë pas djegies së mandateve, duke theksuar se kjo lëvizje ishte një akt politik i partisë së tij. Ai përmendi dy arsyet që e rikthyen PD-në në tryezën politike.

“Djegia e mandateve nuk është blof nga ana e opozitës por akt politik. Palët u bënë bashkë me 14 janar nga presioni i faktorit ndërkombëtar. Nuk ka asnjë lloj vlere të rrisim standardet zgjedhor kur kemi një maxhorancë që nuk i zbaton. Pikë së pari ne u ulëm prej ndërkombëtarëve që të mos bëheshim pengesë për vendin. Së dyti kishim impenjim me zgjedhësit. Detyra jonë është të ndërgjegjësojmë faktorin ndërkombëtar”, tha Kaso.

Drafti i PS

Një atentat ndaj marrëveshjes së 5 qershorit! Kështu e ka quajtur Ivi Kaso kërkesën e socialistëve për ndryshimin e statusit të anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor. Kaso solli në vëmendje deklaratën e Ramës se është gati të grisë marrëveshjen e 5 qershorit nëse nuk do të ketë dakordësi. Ai u shpreh se socialistët po përpiqen të minojnë prezencën e ODHIR  e cila ka qenë prezente në çdo mbledhje te Këshillit Politik.

“Në kohë që po jetojmë dhe me sjelljet konsekuente për të rritur standardin e zgjedhjeve për reformën zgjedhore, nuk mund të them që nuk ja i çuditur. Pasi është bërë e ditur dhe ne kemi theksuar se pas marrëveshjes së 5 qershorit, lideri i maxhorancës ka shprehur hapur pakënaqësitë. Drafti i PS është atentati i radhës për marrëveshjen e 5 qershorit. Rama tha hapur që është gati të grisë marrëveshjen. Së dyti ai miratoi në mënyrë të njëanshme në këshillin politik në datën 21 korrik dërgoi dokumentin, në datë 22 thirri mbledhjen dhe më 30 korrik miratoi ndryshimet kushtetuese. E njëjta gjë filloi kur u rimblodh Këshilli Politik. Shfuqizoi një nga pikat e marrëveshjes. ODHIR ka qenë në tryezën e Këshillit Politik, por e minoi edhe atë”, tha Kaso

Kaso deklaroi se Rama po kërkon të zhveshë gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor nga një mbrojtje e cila ka ekzistuar prej vitit 2003, duke i hapur kështu rrugë sipas tij, korruptimit të tyre.

“Ka paraqitur një draft të njëanshëm. Dhe pasi është penduar për shortin për anëtarët e Kolegjit Zgjedhor. Rama kërkon të zhveshë gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor nga një mbrojtje që e kanë pasur në mënyrë tradicionale. Ka pasur të paktën 5 reforma konsesuale që nuk e kanë prekur garancinë e tyre. Nga njëra anë i ofrohet imuniteti ndaj procedimeve disiplinore duke i trajtuar në mënyrë preferenciale, por nga ana tjetër i heq të drejtën të promovohen dhe të transferohen. Gjyqtarët duhet të kenë mbrojtje që t’i rezistojnë korruptimeve. Kjo ka qenë një garanci e cila ka ekzistuar prej vitit 2003”, tha Ivi Kaso.

/ abcnews.al

SHKARKO APP