KQZ: Krijojmë kushtet që PAK të votojnë pa probleme

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në kuadër të përgatitjeve të procesit zgjedhor të 21 Qershorit 2015, një vëmendje të veçantë i ka kushtuar zgjedhësve me Aftësi të Kufizuara.

Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxha vuri në dukje se, problematikat me të cilat janë përballur Personat me Aftësi të Kufizuar gjatë proceseve proceseve zgjedhore të viteve të kaluara.

Sipas saj, “Për këtë arsye Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është angazhuar maksimalisht në marrjen e të gjitha masave që në zgjedhjet e datës 21 qershor të vitit 2015, të shmangë problematikat e evidentuara dhe të krijojë kushtet dhe lehtësitë e duhura, që Personat me Aftësi të Kufizuara të ushtrojnë të drejtën e votës, të barabartë, të lirë dhe të fshehtë.
Si përsëritje e përvojës pozitive në vitin 2013, KQZ për fushatën edukuese zgjedhore për zgjedhjet e 21 qershorit, do të angazhojë sërish persona PAK, me qëllim që çdo material i prodhuar të “flasë” në gjuhën e tyre.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të zbatojë një strategji efektive informimi, sensibilizimi dhe edukimi qytetar për këtë kategori zgjedhësish, e cila do t’i përgjigjet çdo nevoje të tyre për informacion mbi procesin e votimit.

“Duke qenë se aktualisht jemi në fazën e përcaktimit të vendndodhjes së QV-ve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në përputhje me kompetencat e përcaktuara në Kodin Zgjedhor, u ka kërkuar me insistim Kryetarëve të Njësive të Qeverisjes Vendore caktimin e vendndodhjes së Qendrave e Votimit, që kanë të regjistruar zgjedhës me aftësi të kufizuara, në katet e para të objekteve publike.

Në funksion të vendosjes së QV-vë në objekte që lehtësojnë aksesin e kësaj kategorie zgjedhësish, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ju ka vënë në dispozicion Kryetarëve të Njësive të Qeverisjes Vendore, statistikat e evidentuara për Qendrat e Votimit që në zgjedhjet e kaluara ka patur zgjedhës PAK.

Për herë të parë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendor të datës 21 qershor 2015, do të angazhojë pranë Zyrave Rajonale Zgjedhore, 12 Persona me Aftësi të Kufizuara, në 12 qarqet e vendit. Personat e angazhuar në Zyrat Rajonale Zgjedhore do të kenë detyrë të ndjekin në dinamikë problematikat e zgjedhësve PAK dhe evidentimin e tyre në kohë, me qëllim marrjen e menjëhershme të masave për zgjidhjen e saj, në Qendrat e Votimit dhe Zonat e Administrimit Zgjedhor të qarkut përkatës.

Periudha e angazhimit të këtyre 12 personave do të jetë dy muaj para ditës së zgjedhjeve, deri në ditën e zgjedhjeve, pra deri më 21 qershor 2015. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ashtu si në zgjedhjet e vitit 2013, edhe në këtë proces zgjedhor do të bashkëpunojë ngushtësisht me Shoqatat e Personave me Aftësi të Kufizuar në mënyrë që personat me aftësi të kufizuara, ditën e zgjedhjeve, të mund të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar lehtësisht dhe pa pengesa”, sqaroi Hoxha.

SHKARKO APP