KQZ: Mediat vizive të publikojnë tarifat e reklamave politike

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i kërkon Operatorëve Radiotelevizivë me shtrirje lokale dhe kombëtare në të gjithë Shqipërinë të respektojnë detyrimin që i ngarkon Kodi Zgjedhor për dorëzimin në KQZ të tarifave zyrtare për çdo segment kohor për transmetimin e reklamave politike gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 21 qershorit 2015.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve argumenton duke cituar ligjin për Operatoret Radiotelevizive, duke u shprehur se “në bazë të nenit 84 të Kodit Zgjedhor, Operatorët Radiotelevizivë me shtrirje lokale dhe kombëtare detyrohen që në çdo rast të zbatojnë tarifa të njëjta brenda të njëjtit segment kohor përgjatë gjithë kohës së fushatës”.

Gjithashtu, po në këtë dispozitë të Kodit Zgjedhor përcaktohet se koha e përgjithshme e transmetimit të reklamave politike gjatë gjithë fushatës zgjedhore nga secila radio dhe televizion privat, nuk mund të jetë më shumë se 90 minuta për secilën parti apo kandidat  të regjistruar për zgjedhje”.

Po ashtu, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përcakton afatet për zbatimin e  urdhërimeve të Kodit Zgjedhor sa i përket publikimit të tarifave zyrtare të transmetimit të reklamave politike në faqen zyrtare të institucionit, http://www.cec.org.al,  kërkon  nga  të gjithë Operatorët Radiotelevizivë, që brenda datës 15 maj 2015, pesë ditë përpara hapjes zyrtare të fushatës zgjedhore, të dorëzojnë në KQZ tarifat e transmetimit të reklamave politike për çdo segment kohor gjatë fushatës zgjedhore.

Gjithashtu, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tërheq edhe një herë vemendjen e kryetarëve të njësive të qeverisjes vendore, të cilët në kundërshtim me Kodin Zgjedhor, nuk kanë sjell ende informacionin për Qendrat e Votimit  dhe hartat zgjedhore, sipas përcaktimeve të Kodit Zgjedhor dhe të Udhëzimit të KQZ-së Nr.1, datë 12.12.2012.

“Pavarësisht kërkesave të vazhdueshme nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, janë 90 njësi të qeverisjes vendore që nuk kanë sjell informacion për Qendrat e Votimit dhe 235 njësi që nuk kanë sjellë informacion për hartat zgjedhore. J’u rikujtojmë kryetarëve të njësive të qeverisjes vendore, të bashkive dhe komunave, që të sjellin informacionin e kërkuar, pasi në të kundërt Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në zbatim të nenit 169 të Kodit Zgjedhor, do të procedojë me vendosjen e  saksioneve administrative (gjobë) në ngarkim të personave përgjegjës”, përfundon deklarata e Komisionit Qendror te Zgjedhjeve.

SHKARKO APP