KQZ: Njësitë vendore të paraqesin inforacionet mbi qendrat e votimit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u ka bërë apel njësive vendore dhe krerëve të saj që të dorëzojnë pranë këtij institucioni informacionin e kërkuar lidhur me caktimin e Qendrave të Votimit në njësinë përkatëse të qeverisjes vendore.

Zëdhënësja e KQZ-së Drilona Hoxhaj  ka shprehur shqetësimin se pavarësisht se ishin paralajmëruar më parë, nga 383 njësi vendore, vetëm 183 prej tyre kanë dorëzuar informacionin e kërkuar.

Sipas Hoxhaj njësitë vendore më problematike janë Shkodra, Lezha, Kukësi, Tirana dhe Vlora.

"Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bën me dije se në zbatim të Kodit Zgjedhor për përgatitjen organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore, të datës 21 Qershor 2015, u ka kërkuar kryetarëve të njësive të qeverisjes vendore, informacionet e nevojshme pas publikimit të ekstratit të përbërësve zgjedhore për caktimin e Qendrave të Votimit në njësinë përkatëse të qeverisjes vendore. 

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve konstaton me shqetësim se deri sot nuk kanë sjellë informacion për Qendrat e Votimit 183 njësi të qeverisjes vendore nga 383 njësi vendore në total. Tërheqim vëmendjen dhe i bëjmë thirrje kryetarëve të njësive të qeverisjes vendore, të bashkive dhe komunave, që sa më shpejt të depozitojnë pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve informacionin e kërkuar.

Situata më shqetësuese paraqitet në Qarkun e Shkodrës nga 33 njësi vendore 13 prej tyre nuk kanë sjellë asnjë informacion, Qarku i Kukësit nga 27 njësi vendore 14 prej tyre nuk kanë sjellë asnjë informacion, Qarku i Lezhës nga 21 njësi vendore 11 prej tyre nuk kanë sjellë asnjë informacion, Qarku i Tiranës nga 39 njësi vendore 20 prej tyre nuk kanë sjellë asnjë informacion dhe Qarku i Vlorës nga 26 njësi vendore 16 prej tyre nuk kanë sjellë asnjë informacion. 

Shqetësues mbetet dorëzimi i hartave zgjedhore, ku nga 200 njësi vendore që kanë përcjellë informacion pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Hartën e njësisë te qëndrës së votimit për zgjedhje e kanë sjellë deri tani vetëm 77 njësi nga të cilat 16 njësi vendore kanë sjellë harta të parregullta. 

Sipas përcaktimeve të nenit 62 pika 9 e Kodit Zgjedhor dhe Udhëzimit të KQZ-së, Nr.01, datë 12.12.2012, afati i fundit për dorëzimin e këtij informacioni nga kryetarët e njësive të qeverisjes vendore është dita e sotme. Me anë të kësaj deklarate j’u bëjmë edhe njëherë thirrje drejtuesve të organeve të qeverisjes vendore që të shpejtojnë punën e tyre dhe të sjellin sa më parë dokumentacionin ligjor në perputhje me përcaktimet e Kodit Zgjedhor dhe te Udhëzimit të KQZ-së Nr.1, datë 12.12.2012 pasi në të kundërt Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të procedojë me vendosjen e saksioneve administrative në ngarkim të personave përgjegjës. 

Kujtojmë se referuar nenit 169 i Kodit Zgjedhor, shkeljet e konstatuara apo refuzimi për të bashkëpunuar ose për të dhënë informacione KQZ-së që parashikohen me ligj, nga ana e personave të ngarkuar me detyra sipas këtij Kodi, ndëshkohet me gjobë", thuhet në deklaratën e KQZ.

SHKARKO APP