KQZ: Numërimi mbaroi në kohë rekord, votuan 1.6 milion zgjedhës
Është mbyllur dje procesi i numërimit të votave në gjithë vendin. KQZ bëri të ditur ditën e djeshme përfundimin e numërimit të votave edhe për kutitë e mbetura për këshillin e Bashkisë Malësi e Madhe, të cilat për shkak të problemeve që dolën në zonë, u transferuan dhe u numëruan në Tiranë.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bën me dije se sot përfundoi procesi i numërimit të votave për kryetarë dhe për këshilltarë në rang vendi, pra ka përfunduar procesi i numërimit të votave edhe në Malësinë e Madhe në KZAZ-në nr.1, numërim i cili me vendimin nr. 751 që KQZ mori një natë më parë, u krye në shkollën ‘1 Maji’ këtu në Tiranë.
Pavarësisht zvarritjes së numërimit të votave nga KZAZ nr.1, në Malësinë e Madhe, procesi i numërimit të votave krahasuar më zgjedhjet e kaluara është përmbyllur në një kohë më të shkurtër”, – bëri të ditur zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxhaj. Ajo bëri të ditur edhe disa statistika lidhur me pjesëmarrjen, e cila sipas këtij institucioni në këto zgjedhje ishte në nivelin e 47.6 për qind.
Sipas zëdhënëses, në zgjedhjet vendore të datës 21 qershor 2015 morën pjesë në votime 1.606.231 zgjedhës, pra 47.63 % ndërsa në zgjedhjet për Kuvendin në vitin 2013, morën pjesë në votime 1.749.278 zgjedhës, pra 53.46%, dhe në zgjedhjet vendore të vitit 2011 morën pjesë në votime 1.618.360 zgjedhës pra 51.10%. Gjithashtu, ajo bëri të ditur se nga 1.606.231 zgjedhës që ushtruan të drejtën e votës, 45.02% ishin votuese femra.
Hoxhaj bëri të ditur gjithashtu se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po punon intensivisht për të bërë të mundur miratimin e Tabelave Përmbledhëse të Rezultateve për 10 bashkitë të cilat janë administruar nga më shumë se një Komision i Zonës së Administrimit Zgjedhor.