KQZ propozon datën e njëjtë si PS për zgjedhjet në 2025
Kryekomisioneri zgjedhor Ilirjan Celibashi, gjatë takimit me Presidentin Bajram Begaj propozoi datën e njëjtë si PS, 11 maj 2025 për zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare. Më herët gjatë ditës së sotme, kreu i shtetit zhvilloi dhe një takim me përfaqësues të Partisë Socialiste, të cilët propozuan gjithashtu 11 majin 2025 si datë për zhvillimin e zgjedhjeve.
”Ne si institucion përgjegjës për përgatitjen e zgjedhjeve shohim datën 11, edhe pse kuptova që paska goxha diskutime për datat e mundshme. Ndryshimet në Kodin Zgjedhor lidhur me votimin nga jashtë ku u bënë mjaft vonë, në të njëjtën kohë kur ngeli diskutimi në KQZ për të përgatitur nga pikëpamja rregullatore këtë proces, natyrisht që na shtyn të nxisim Presidentin e Republikës të jetë data më e përshtatshme. Ajo që ne konsiderojmë është thjesht dhe vetëm mundësia dhe koha që duhet në dispozicion për organizimin e zgjedhjeve”, tha Celibashi.
Në 21 nëntor presidenti pati takim me Partinë e Lirisë. Ata kërkuan nga presidenti të dekretojë çdo datë që i lejon Kodi Zgjedhor, veç asaj që kërkon PS. Kreu i shtetit zhvilloi takime edhe me krerët e tjerë të partive të vogla opozitare që kërkuan zgjedhje më 4 maj.