KQZ regjistron dy koalicionet, 37 parti nga e majta, vetëm 15 nga e djathta

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve regjistroi zyrtarisht dy koalicionet zgjedhore, si subjekte pjesëmarrës në zgjedhjet vendore të 21 qershorit.  Me votat e të shtatë anëtarëve Komisioni regjistroi koalicionin e majtë “Aleanca për Shqipërinë Europiane”, me shkronja nistore ASE, dhe koalicionin e djathtë “Aleanca Popullore Për Punë Dhe Dinjitet”, me shkronja nistore APPD.

Gjatë paraqitjes së aktit për regjistrimin e koalicionit ASE, administrata e KQZ-së sqaroi se ky formacion politik do të ketë të rreshtuara 37 parti politike, nga 39 që ishin paraqitur. Lëvizja Punëtore Shqiptare, me kryetar Shefqet Musaraj dhe Partia Toleranca e Re e Shqipërisë, me kryetar Avdi Keçi nuk janë regjistruar si subjekte zgjedhor, ndaj këto parti politike nuk mund të jenë pjesëtare në një koalicion.

Ndërsa koalicioni i djathtë “Aleanca Popullore Për Punë Dhe Dinjitet”, përfshin 15 parti pjesëmarrëse në zgjedhje.  

Nisur nga numri i partive, duket se e majta është më e favorizuar para zgjedhjeve.  Mirëpo emrat e shumë  partive që janë përfshirë në koalicione, për opinionin e gjerë publik janë gati anonime. Duhet theksuar se fakti se gjatë formimit të koalicioneve, ka pasur përçarje dhe largime.   

Në mbledhjen e sotme KQZ vendosi regjistrimin e Gjergj Ndrekës dhe të Ilirjan Sadikut, si kandidatë të  propozuar nga zgjedhësit respektivisht për Këshillin e Bashkisë Lezhë dhe Këshillin e Bashkisë, Elbasan.

SHKARKO APP