KQZ shpall rezultatin përfundimtar të 21 Qershorit, ja renditja
Vetëm pas 50 ditësh, KQZ-ja ka mundur të ketë një rezultat përfundimtar në rang vendi për zgjedhjet e 21 qershorit. Shkak për vonesat, procesi i numërimit dhe ai ankimor. Koalicioni i majtë ka marrë 991.609 dhe ai i djathtë 507.285 vota
Plot 50 ditë nga mbajtja e zgjedhjeve vendore, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur të shpallë rezultatin përfundimtar të tyre.
Kështu sipas këtij vendimi, në total vota të vlefshme për zgjedhjet vendore të 21 qershorit kanë qenë 1.562.161, nga të cilat 991.609 vota ose 63,48% të tyre i ka marrë koalicioni i majtë “Aleanca për Shqipërinë Europiane”.
Ndërkohë që në koalicioni i djathtë, “Aleanca Popullore për Punë dhe Dinjitet”, ka marrë përfundimisht 507.285 vota, ose e thënë me për qindje, 32,47. Ndërsa partitë jashtë dy koalicioneve të mëdha kanë siguruar 55.968 vota ose 3,58% të tyre.
Koalicioni i majtë
Koalicioni “Aleanca për Shqipërinë Europiane” rezulton të ketë plotë 7 forca politike që kanë marrë më shumë se 1% të votave.
Listën e kryeson Partia Socialiste si subjekti kryesor i këtij koalicioni 402.709 vota ose thënë ndryshe 25,78% të numrit total të votave të vlefshme.
Lëvizja Socialiste për Integrim është renditur e dyta, por me një rritje të ndjeshme në krahasim me zgjedhjet pararendëse.
Kështu, përfundimisht në rang vendi, LSI-ja është votuar nga 259.934 zgjedhës ose e përkthyer në përqindje, ka mundur të marrë 16,64% të votave, duke u rikonfirmuar forcë e tretë në vend, por me një diferencë të vogël me forcën e dytë.
Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet është konfirmuar në këto zgjedhje si forca e katërt në vend.
Si pjesë e koalicionit të majtë, PDIU ka marrë 59.701 vota ose 3,82% të votave në rang kombëtar.
Më pas renditet Fryma e Re Demokratike me 29.984 vota, Partia Demokristiane e Shqipërisë me 20.271 vota, Partia Demokracia Sociale me 20.064 vota dhe Partia Socialiste e Vërtetë 91 me 17.465 vota.
Koalicioni i djathtë
Nga ana tjetër në koalicionin e djathtë Aleanca Popullore për Punë dhe Dinjitet, vetëm 3 subjekte zgjedhore kanë mundur ta kalojnë pragun e 1%-t të votave.
Partia Demokratike si forca kryesore e këtij koalicioni ka mundur të marrë në rang vendi 317.620 ose 20,33% e numrit të total të votave të vlefshme.
Pra, ka marrë afro 80 mijë vota më pak sesa kundërshtarja e saj kryesore, Partia Socialiste.
Në vend të dytë në këtë koalicion renditet Partia Republikane me 53.784 vota ose 3,44%.
Me këtë rezultat, PR konsolidon pozitat e saja si forca e 5 më e madhe në vend.
Ndërkohë që forca e tretë e koalicionit të djathtë është renditur Partia Lëvizja për Zhvillim Kombëtar e cila ka marrë 19.644 vota ose 1,26%.