KQZ shqyrton kërkesën e PD për Këlcyrën: Pavlefshmëri dhe rinumërim votave?!
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shqyrton ankesën e Partisë Demokratike (PD) që kundërshton rezultatin për bashkinë Këlcyrë.
Përfaqësuesi ligjor i PD-së, Ivi Kaso paraqiti pretendimet e subjektit zgjedhor që ai përfaqëson për parregullsitë e konstatuara në këtë zonë zgjedhore.
“Kërkojmë nga KQZ që të thellohet hetimi administrativ në kuadër të shqyrtimit të ankesës sonë duke administruar materialet e qendrave të votimit 4209 dhe 4168, pasi kemi dyshime të arsyeshme, të ardhura nga vetë zgjedhësit, të cilët pretendojnë se është votuar në emër të tyre, ndërkohë që nuk kanë qenë në territorin e Republikës së Shqipërisë”, u shpreh juristi Kaso.
Sipas tij, kandidati i pavarur në këtë bashki nuk ka pasur numëruesit e tij, as komisionerë, madje në një rast edhe vëzhguesin ia kanë rrahur.
Përfaqësuesi ligjor i PD-së paraqiti dy kërkesa në lidhje me Bashkinë e Këlcyrës, pavlefshmërinë e zgjedhjeve dhe rinumërimin e votave.
Por përfaqësuesi ligjor i Partisë Socialiste në KQZ kërkoi nga kolegu i tij demokrat që të qartësojë qëndrimin.
"Nëse kërkon pavlefshmëri të procesit, atëherë nuk ka asnjë kuptim kërkesa për rinumërimin e votave. Nëse kërkon rinumërim, atëherë bie poshtë kërkesa për pavlefshmëri.
Ndaj përpara se të nisim shqyrtimin, PD duhet të shprehet se cilën nga këto kërkesa do shqyrtojmë", theksoi Salianji, përfaqësuesi ligjor i PS-së.
Në anën tjetër Kryetarja e KQZ kërkoi nga përfaqësuesi ligjor demokrat paraqitjen e provave dhe fakteve, që provojnë se në procesin e votimit është votuar edhe për shtetas që janë emigrantë apo të vdekur, sikundër pretendohet nga PD.
"Nëse ti vjen këtu dhe na thua se në lista janë emra të emigrantëve apo të personave që nuk jetojnë më, kjo nuk do të thotë se këta persona kanë votuar. Ne s'mund t'i hyjmë listave zgjedhore dhe të shohim emigrantë", theksoi Lefterie Luzi.