Krah Vjosa Osmanit, Presidenti Meta: Heroizmi nga martirët e kombit duhet të na bashkojë
Presidenti Ilir Meta dhe kryetarja e shtetit të Kosovës, Vjosa Osmani vendosën kurora me lule te Heroi i Kombit, Edmond Hoxha, si edhe tek dëshmorët dhe martirët e kësaj treve. Thirrja që Presidenti Meta bën është që heroizmi nga martirët, duhet të na bashkojnë për të mirën e Kosovës dhe Shqipërisë. ”Shumë gjak është derdhur për Kosovën e lirë dhe të pavarur për të mbërritur në këtë ditë”,-shkruan Meta në facebook.
Postimi i plotë
Sot në Junik, së bashku me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani vendosëm një kurorë me lule dhe u përulëm me nderimin më të thellë para veprës së Heroit të Kosovës Edmond Hoxha, dëshmorëve dhe martirëve të kësaj treve të shquar patriotike të dëshmuar në shekuj.
Shumë gjak është derdhur për Kosovën e lirë dhe të pavarur për të mbërritur në këtë ditë.
Heroizmi dhe sakrificat më sublime të martirëve të kombit do të na bashkojnë gjithmonë për të punuar për të mirën e Kosovës, Shqipërisë dhe mbarë shqiptarëve kudo janë, sidomos për t’i edukuar fëmijët dhe të rinjtë, me ndjenjat e atdhedashurisë në mbrojtjes të lirisë, pavarësisë dhe sovranitetit të vendeve tona.