Kreshnik Spahiu: Pas fushatës antishqiptare me plazhe bosh, e njëjta “dorë” po i vë zjarrin bregdetit
Juristi Kreshnik Spahiu sheh një lidhje mes fushatës anti shqiptare ndaj turizmit me zjarret orët e fundit në pjesë të ndryshme të vendit.
“Dua të them prej disa javësh, mediat janë përfshirë në një fushatë anti shqiptare sa i përket turizmit. Është përballur me një fushatë denigruese, kundër bizneseve, kundër bregdetit duke e konsideruar si një vend i braktisur. Duke i bërë vulnerabël të gjithë bizneset. Duke e bërë bregdetin shqiptar vulnerabël. Në këto kushte është krijuar një frymë në disavantazh dhe muaji gusht parashikoj më i vështirë. Elementi kriminal ka gjetur një Shqipëri të brishtë përballë një sulmi anti kombëtar. Shqipëria e papërgatitur në këtë situatë. Shqipëria ka një legjislacion shumë të ashpër sa i përket krimeve kundër mjedisit. Por jemi vendi kampion që nuk ndëshkojmë subjekte që kryejnë krime ndaj mjedisit.
Dhe subjekte që kryejnë veprimtari kriminale mbeten të pandëshkuar. Sa ndëshkohet nga kodi penal kjo që ka ndodhur në Shëngjin? Deri në 20 vite heqje lirie. Ata që shkatërrojnë pronën, nga 10 deri 20 vite heqje lirie. Sot në burgje nuk gjen asnjë subjekt, që të jetë dënuar me 20 vite heqje lirie për vënie zjarresh. Kriminelët ndjehen të lirë për ta bërë Shqipërinë tokë të djegun. Ka një terren të jashtëzakonshëm sepse institucionet janë pasive. Ka një vendim të Prokurorisë që urdhëron institucionet lokale të informojnë prokurorinë për vënie zjarre.
Pushtetet lokale janë tërësisht pasive. Ju e keni parë se ç’ndodh në çdo rrugë të Shqipërisë, sheh tym që digjen plehrat. Edhe sikur të mos kemi zjarre të qëllishme, Shqipëria është jashtë kontrollit pasi djegin plehrat kudo. Në 40 gradë digjen në mënyrë barbare dhe nuk ndodh as në zonat turistike afrikane. Nuk e gjen këtë situatë që në çdo 200 metra të djegësh mbetjet urbane”, ka thënë Spahiu në një intervistë për Report TV.