Kreu i Ballit Kombëtar, Bashës: Çilimi, kujdes me fjalën “ballist”
Kryetari i partisë Balli Kombëtar, Adriatik Alimadhi denoncon kreun demokrat, Lulzim Basha se sipas tij, ai e ka keqpërdorur termin “ballist” duke i dhënë një kuptim pezhorativ. Ja reagimi i plotë i tij:
***
“Gjatë intervistës së kryetarit të Partisë Demokratike, z. Lulzim Basha në emisionin “Tonight Ilva Tare” në televizionin ‘Ora News’, është shkëputur një sekuencë ku përdoret fjala “Ballist”. Kam për 48 orë rresht që e dëgjoj dhe ridëgjoj këtë fjalë. Është për të ardhur shumë keq se z. Basha keqpërdor fjalën Ballist, e cila është fjalë amaneti e identitetit të plotë kombëtar! Kjo fjalë simbolizon me qindra e mijëra dëshmorë të kombit në trojet etnike shqiptare. Kjo fjalë e burrave të kombit, e atdhetarëve dhe patriotëve e një plejade profesorësh dhe intelektualësh të nacionalizmit të kulluar shqiptar, të burrave të mençur të këtij kombi nuk mund t’i jepet një sens pezhorativ sot! Gjendemi sot në 25 vite të shkuara të menduara si demokraci e aq më keq nga ai që pretendon të jetë lideri i opozitës së djathtë! Ç’do të thonë nëna, motra, bijtë e tyre për fjalën e keqpërdorur në këtë rast!? Në këtë moment mendoj dhe dua t’ju bëj me dije kulturën dhe mendësinë e tij komuniste përderisa përdor fjalë të mëdha me sens pezhorativ. Nuk paska lexuar asgjë nga historia! Sjellje e një të papjekuri, e një çilimiu! Si kryetari i Partisë Balli Kombëtar i kërkoj zyrtarisht z. Basha dhe Partisë Demokratike të prononcohen se cili është qëndrimi i tyre zyrtar dhe politik me keqpërdorimin e fjalës “Ballist”?”.
KOHA JONË SONDAZH

