Kreu i Këshillit të Qarkut të Vlorës, Sadrit Danaj: Reforma Kokëdhima në PS
Kreu i Këshillit të Qarkut të Vlorës, Sadrit Danaj, mbrojti dje reformën që ka bërë Koço Kokëdhima në PS-në e rajonit Vlorë-Gjirokastër. Në një postim në faqen e tij në “Facebook”, Danaj u shpreh se reforma e nisur nga Kokëdhima është një kontribut shumë i madh jo vetëm për PS-në, por për mbarë politikën shqiptare.
Më poshtë është statusi i plotë i Danajt për Kokëdhimën:
“Kemi dëgjuar shpesh kohët e fundit të flitet për reformën “Kokëdhima” në PS. Kjo reformë është shoqëruar me debate të shumta pro dhe kundër. Mendimi im është se kjo reformë është një kontribut shumë i madh jo vetëm për PS-në, por edhe për të gjithë tregun e politikës shqiptare. Kjo reformë u hapi dyert të rinjve dhe të rejave, u pranuan rreth 16 mijë të rinj e të reja në qarqet Vlorë e Gjirokastër dhe u përtërinë drejtuesit dhe forumet me djem e vajza të shkolluar krahas të “vjetërve” më të mirë. Asambleja e PS-së së Vlorës përpara reformës ishte e punësuar thuajse e gjitha në bashki. Tani kemi një asamble përfaqësuese të opinionit të gjerë publik. Sektori i politikës ndoshta ishte i vetmi treg monopolist qysh nga vitet ’90, dhe reforma “Kokëdhima” e ktheu atë në një treg konkurencial. Ajo u dha mundësin të gjithëve, por në veçanti të rinjve si dhe të papërfshirëve në këtë treg që të kontribuojnë dhe të konkurrojnë për t’u zgjedhur në organet drejtuese të Partisë dhe për të përmirësuar situatën në politikë dhe në qeverisjen e vendit. Vetëm në reformën e Kokedhimës u bënë zgjedhje të vërteta e statutore në parti ku morën pjesë mijëra vetë. Zgjedhjet në PS u bënë kaq masive e serioze sa u përjetuan si një ngjarje me përmasa popullore.
Nëse ju të “vjetrit” mendoni se duhet të udhëhiqni tashmë duhet ta fitoni këtë rol. Roli juaj nuk trashëgohet me vite e dekada pa zgjedhje dhe as nuk ju falet si më parë. Nëse ju të “rinjtë” dëshironi të udhëhiqni dhe të influenconi në politike duhet të luftoni dhe të fitoni. Edhe vetëm kaq mjafton që ne t’i jemi mirënjohës reformës “Kokëdhima”.
KOHA JONË SONDAZH

