Kreu i KQZ, Celibashi pret ambasadorin e OSBE: 10 muaj kohë punë që edhe emigrantët të votojnë

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi priti sot në takim ambasadorin e ri të Prezencës së OSBE në Tiranë, Michel Tarran me të cilin bashkëbiseduan për mbështetjen e dhënë ndaj KQZ dhe rrugën në vijim. Ambasadori Tarran theksoi se ka trashëguar një raport të shkëlqyer bashkëpunimi me KQZ dhe se do të vijojë thellimin e bashkëpunimit dhe mbështetjes institucionale.

Celibashi bëri të ditur se “në takim u diskutua me detaje mbi afatet e realizimit të reformës zgjedhore dhe votimit nga jashtë dhe ishim në të njëjtën frekuencë në lidhje me kohën për realizim, kohë e cila po shkurtohet ditë pas dite”.

Ambasadori Tarran nënvizoi se mbeten vetëm 10 muaj kohë për të nisur nga zero procesin e votimit të shqiptarëve jashtë vendit dhe se do të jetë tejet e vështirë për KQZ për t’u kryer, pasi votimi nga jashtë mbetet problematik nga pikëpamja teknike edhe për vende shumë më të zhvilluara se Shqipëria. Celibashi e falënderoi ambasadorin Tarran për bashkëbisedimin e sinqertë dhe përpjekjet e tij për të garantuar mbështetjen e Prezencës së OSBE për KQZ.

SHKARKO APP