Kreu i KQZ-së: Më 11 janar nis regjistrimi i emigrantëve për të votuar më 11 maj
Kryetari i KQZ, Ilirjan Celibashi, ka thënë ditën e sotme se më 11 janar do të nisë procesi i regjistrimit të emigrantëve për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025.
Celibashi deklaroi se, para Krishtlindjeve do të ketë një demonstrim të funksionaliteteve të platformës elektronike të regjistrimit të votuesve nga jashtë, me qëllim që në datën 11 janar 2025 kjo platformë të jetë funksionale dhe të fillojë procesi i regjistrimit të votuesve nga jashtë.
Në fjalën e tij në nënkomisionin e Kuvendit për diasporën dhe migracionin, në lidhje me përgatitjen dhe mbarëvajtjen e procesit të votimeve për qytetarët nga jashtë Shqipërisë, Celibashi tha se procesi i përgatitjes së votimit nga jashtë ka shkuar në përputhje me të gjithë parashikimet e Kodit Zgjedhor, përfshi këtu edhe afatet që ky kod ka përcaktuar për aspekte të ndryshme të karakterit normativ apo organizativ të votimit nga jashtë.
“Tashmë Komisioni Rregullator pranë KQZ ka miratuar thuajse të gjitha aktet kryesore normuese me qëllim realizmin e votimit nga jashtë. Besoj që para Krishtlindjeve do të kemi një demonstrim të funksionaliteteve të këtij sistemi me qëllim që në datën 11 janar kjo platformë të jetë funksionale dhe ashtu sikurse e ka parashikuar Kodi Zgjedhor të nisë procesi i regjistrimit të votuesve nga jashtë”, u shpreh Celibashi.