Kreu i Kuvendit, Meta: S’ka më arsye për vonesa. Të miratojmë reformën

Kreu i Kuvendit Ilir Meta i ka bërë thirrje të gjitha palëve që të përafrojnë qëndrimet në mënyrë që Reforma në Drejtësi të miratohet sa më parë. Kryeparlamentari është shprehur se për çështjet që ndajnë palët në leximin e opinionit final të Venecias, do duhet kërkuar këshillat e OPDATE-it dhe EURALIUS-it. Sipas tij, reforma në drejtësi është thelbësore dhe se udhërrëfyesi i ardhur nga Komisioni i Venecias është tashmë i pakontestueshëm.

Nuk ka më asnjë arsye që të vonohemi në dakortësimin e tekstit përfundimtar të ndryshimeve kushtetuese. Ka patur disa çështje ku janë shprehur mendime të ndryshme dhe mendoj që një lexim objektiv dhe i paanshëm i këtyre rekomandimeve na ndihmon për t’u dhënë zgjidhje gjithë këtyre çështjeve. Aty ku ka lexime kemi Euralius dhe Opdat dhe me këta mund t’i bëjmë një lexim më objektiv çdo mendimi të Venecias”- theksoi Meta.

Meta ka theksuar se duhet mbajtur fokusi tek reforma në Drejtësi dhe t’i jepet fund veprimeve taktike që bëhen me apo pa dashje nga forcat politike, të cilat synojnë të çfokusojnë objektivin kryesor që është reforma në drejtësi.

Në rast se dëshirojmë të krijojmë pretekste, të krijojmë alibi, të merremi me takticizma nga më të ndryshmet, kjo gjë padyshim që asnjëherë nuk na bashkon dhe nuk na çon drejt konsensusit. Por unë dua të besoj në vendosmërinë e të gjithëve për ta çuar përpara këtë reformë në interesin e vendit.”- tha Meta.

Në lidhje me Byronë Kombëtare të Hetimit, kreu i kuvendit, njëkohësisht dhe i LSI-së tha se rëndësi ka funksionimi i këtij isntitucioni dhe jo se në varësi të kujt është.

Lëvizja Socialiste për Integrim ka pasur gjithnjë vullnetin e saj të plotë për ta mbështetur krijimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit si në fillim, kur ishte në varësi të Ministrisë së Brendshme apo të Policisë së Shtetit, gjë që ndodhi në Parlament, edhe më pas. E kam theksuar, për ne nuk ka rëndësi se në varësi të kujt është. Për ne ka rëndësi të funksionojë. Për ne ka rëndësi që të japë atë kontribut që duhet, pra atë kontribut të munguar për fat të keq deri tani në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe absolutisht që do të votohet çdo variant i cili i shërben këtij qëllimi dhe që ka dhe mbështetjen e ekspertëve ndërkombëtarë.”- theksoi Meta.

Me publikimin e opinionit përfundimat të Venecias, palët politike e lexuan ndryshe atë. Maxhoranca e pa raportin si një vulosje të draftit të eskpertëve me disa sugjerime të tjera, ndërsa opozita si një fitore të sajën përballë rrezikut për kapjen politike të sistemit nga ana e Kryeministrit.

Prononcimi i plotë dhe pyetje përgjigjet me gazetarët

Me rastin e ardhjes së opinionit përfundimtar përpara seancës zyrtare të Komisionit të Venecias për ndryshimet kushtetuese, të cilat i paraprinë gjithë Reformës në Drejtësi, vlerësoj se është koha që forcat parlamentare të fillojnë menjëherë punën për hartimin e një axhende për miratimin e saj sa më parë në Kuvend.

Me këtë rast dua të shpreh një vlerësim të veçantë dhe falënderim për punën, përkushtimin dhe profesionalizimin e të gjithë ekspertëve vendas e të huaj, dhe në mënyrë të veçantë për punën e madhe dhe voluminoze të EURALIUS-it dhe të OPDAT-it për adresimin e drejtë të çështjeve të shumta që trajton dhe synon të zgjidhë kjo reformë themelore si dhe kontributin dhe konsulencën e jashtëzakonshme të Komisionit të Venecias si një udhërrëfyes i pakontestueshëm gjatë gjithë këtij procesi për arritjen e standardeve më të mira evropiane.

Pas një pune shumë të gjatë të bërë në nivel ekspertësh, vendas e të huaj, pas investimit të vazhdueshme të Komisionit të Venecias, në axhendën e punëve dhe të prioriteteve të Kuvendit shtrohet çështja e miratimit të ndryshimeve kushtetuese pa vonesë, në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe me konsensus sa më të gjerë, pasi nuk kemi më kohë për të humbur.

Këto ndryshime janë të domosdoshme për t’u kryer sikurse të gjithë palët kanë shprehur vendosmërinë e tyre, sepse i çelin rrugën reformës më të thellë dhe më të rëndësishme për forcimin e shtetit ligjor dhe të ardhmen europiane të vendit.

Çështje të tilla si riorganizimi i disa institucioneve kushtetuese të drejtësisë, procesi i vetingut apo edhe çështje që ndihmojnë përshpejtimin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, janë objektiva politike të përbashkëta të gjithë forcave politike parlamentare të cilat i artikulojnë këto në mënyrë vazhdueshme. Tani është moment që së bashku të punojmë për një përqasje sa më konsensuale, jo thjeshtë numrash parlamentar, por një konsensus të substancës që të garantojë besueshmërinë dhe jetëgjatësinë e kësaj reforme.

Qëndrimi përfundimtar i Komisionit të Venecias na nxit ne të gjithëve të bashkëpunojmë për të ndërtuar një sistem gjyqësor efektiv, të shpejtë, profesional, me integritet dhe që vendoset mbi çdo pushtet politik dhe i pa ndikuar nga ky i fundit.

Kjo është koha që ne së bashku të biem dakord për të hartuar një axhendë konkrete dhe një kalendar politik veprimi në Kuvendin e Shqipërisë.

Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën në Drejtësi tashmë duhet të fillojmë menjëherë nga puna për materializimin përfundimtar të këtij procesi pas ardhjes së rekomandimeve të fundit të Komisionit të Venecias.

Me këtë rast dëshiroj t’ju bëj thirrje të gjithë palëve për të afruar qëndrimet e tyre në një mënyrë sa më konstruktive dhe për të arritur në një lexim dhe kuptim sa më objektiv dhe të paanshëm të rekomandimeve të Komisionit të Venecias për çështjet e debatuara.

Për të gjitha ato çështje që palët kanë kuptime apo interpretime ende të ndryshime, besoj se i kemi të gjitha mundësitë që të bashkëpunojmë dhe të konsultohemi përsëri me ekspertët ndërkombëtar të EURALIUS-it dhe të OPDAT-it për të gjetur zgjidhjet më të mira dhe përfundimtare dhe konkretizuar këtë reformë historike për vendin dhe për të ardhmen e tij evropiane.

Pyetje nga gazetarët

  1. Meta, dje opozita tha se i takon mazhorancës të bëj hapin e parë dhe të gjejë një formë për të dialoguar. Mendoni se përveç se tezës së Komisionit të Reformës Zgjedhore do të ketë një format tjetër dialogu për negociata politike?

Mendoj se do të adresojmë me përgjegjësi çdo shqetësim të opozitës. Në këtë drejtim nga sa jam i informuar, edhe nga kontaktet e zhvilluara midis Shërbimeve të Kuvendit dhe përfaqësuesve të opozitës që ndjekin zbatimin e ligjit të për dekriminalizimin, po punohet në mënyrë që sa më shpejt Kuvendi të përmbushë të gjithë detyrimet e tij për të hyrë në fuqi të plotë zbatimi i ligjit për dekriminalizimin.

Për reformën në drejtësi mendoj që të gjithë janë shprehur pozitiv dhe kanë vlerësuar opinionin përfundimtar të shprehur nga Komisioni i Venecias dhe mendoj që tani nuk ka më asnjë arsye që të vonohemi në dakordësimin e tekstit përfundimtar të ndryshimeve kushtetuese.

Për shumë çështje nuk ka patur kundërshtime, përkundrazi ka patur dakordësi. Ka patur disa çështje ku janë shprehur opinione të ndryshme dhe i është kërkuar opinioni edhe Komisionit të Venecias. Dhe unë mendoj tani që leximi objektiv, i paanshëm i këtyre rekomandimeve na ndihmon për t’i dhënë zgjidhje gjithë çështjeve në mënyrë më profesionale dhe më të përgjegjshme.

E theksova edhe më parë, aty ku mund të ketë lexime apo kuptime të ndryshme për çështje të caktuara, ne përsëri kemi misionin e EURALIUS, kemi misionin OPDAT-it dhe së bashku me ta mund të bëjmë një lexim më objektiv të çdo opinioni për çështje të caktuara të Komisionit të Venecias.

Në rast se dëshirojmë të krijojmë pretekste, të krijojmë alibi, të merremi me takticizma nga më të ndryshmet, kjo gjë padyshim që asnjëherë nuk na bashkon dhe nuk na çon drejt konsensusit. Por unë dua të besoj në vendosmërinë e të gjithëve për ta çuar përpara këtë reformë në interesin e vendit.

Prej disa ditësh një grup tregtarësh e sipërmarrësish në kryeqytet janë në protestë përsa i përket një politike të re fiskale të bashkisë së kryeqytetit. A mendoni se kërkesat e tyre janë të drejta? Mendoni se ka vend për një rishikim të kësaj politike fiskale?

Kjo është një çështje mendoj e rëndësishme përderisa ka një debat. Por është një gjë shumë e mirë që ka një dialog dhe që ky dialog po vazhdon dhe për këtë çështje.

Qeveria pas insistimit të opozitës, por dhe të eksponentëve të LSI-së, siç është z. Spartak Braho, e miratoi në qeveri draftin që parashikon që Byroja Kombëtare e Hetimit të jetë pjesë e ligjit për Policinë e Shtetit. Edhe në axhendën e punimeve të Kuvendit është miratuar përfshirja e këtij drafti për t’u diskutuar dhe për t’u shqyrtuar. Por a do të kalojë ky draft si pjesë e reformës në drejtësi apo do të duhet t’i kalojë Komisionit të Ligjeve për t’u shqyrtuar?

Mendoj që tani në momentin kur kemi dhe opinionin përfundimtar të Komisionit të Venecias, gjithçka është e vendosur në një kuadër më të gjerë dhe më të plotë. Lëvizja Socialiste për Integrim ka pasur gjithnjë vullnetin e saj të plotë për ta mbështetur krijimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit si në fillim, kur ishte në varësi të Ministrisë së Brendshme apo të Policisë së Shtetit, gjë që ndodhi në Parlament, edhe më pas.

E kam theksuar, për ne nuk ka rëndësi se në varësi të kujt është. Për ne ka rëndësi të funksionojë. Për ne ka rëndësi që të japë atë kontribut që duhet, pra atë kontribut të munguar për fat të keq deri tani në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe absolutisht që do të votohet çdo variant i cili i shërben këtij qëllimi dhe që ka dhe mbështetjen e ekspertëve ndërkombëtarë.

Si pjesë e reformës në drejtësi?

Kjo nuk është çështja më e rëndësishme për ne. Ne jemi të hapur për ta votuar që sot. Madje sot jemi vonë, ta votonim që dje.

  1. Vasili dje dhe ju sot, nxisni le të themi një orë e më parë të nisë punë në Komisionin e Posaçëm për Reformën në Drejtësi. Por në fakt kjo nismë duhet të merret nga mazhoranca. Çfarë e pengon komisionin që ende nuk ka një datë për t’u rimbledhur për të filluar atë që keni kërkuar edhe ju, dialogun mes forcave politike për draftin e Venecias?

Unë besoj se kjo do të fillojë, pasi dihet që edhe opinioni ka ardhur vetëm ditët e fundit dhe tani ky është një opinion përfundimtar, pavarësisht se do të ketë një seancë zyrtare, por seanca bazohet te ky opinion. Pra gjithçka është e qartë. Nuk duhet të humbasim kohë. Duhet të ndërtojmë një kalendar konkret duke filluar mendoj me çështjet më të thjeshta, pra me ato që na bashkojnë, sepse një pjesë shumë të madhe të draftit është e pakontestuar.

Çështjet të cilat kanë qenë të debatuara, tashmë kanë një opinion nga Komisioni i Venecias. Mendoj se për shumicën e çështjeve ekziston një lexim i qartë. Për ato çështje që mund të ekzistojë një lexim apo interpretim i ndryshëm, besoj se përsëri ne kemi asistencën e EURALIUS, kemi përsëri asistencën e OPDAT-it, si dy misione të pavarura dhe me eksperiencë të rëndësishme ndërkombëtare në mënyrë që të bëjmë një lexim të përbashkët për çdo çështje, dhe të ecim me një draft konsensual për ndryshimet kushtetuese. Mendoj se procesi është shumë i thjeshtë.

Nëse gjendet ky konsensus me opozitën z. Meta, a është mazhoranca e vendosur që drafti duhet të jetë patjetër konsensual?

Ne jemi të bindur që askush nuk ka arsye të mungojë në dhënien e kontributit, dhe këtu flas në emër të LSI-së, në këtë reformë shumë të rëndësishme.

Natyrisht që ne nuk mund t’i imponohemi askujt. Kjo është një reformë që kërkon shumicën e qytetarëve shqiptarë dhe në këtë mënyrë mendoj që të gjithë duhet të përfaqësojmë dhe të shkojmë në atë drejtim, që kërkojnë qytetarët që kjo reformë të realizohet sa më shpejt.

Secili mban përgjegjësitë e tij. Për ne është e rëndësishme që të krijojmë një klimë sa më pozitive, bashkëpunuese, konstruktive, që kjo reformë të bëhet sipas frymës , por edhe opinioneve përfundimtare të dhëna nga Komisioni i Venecias.

Nëse deri në fund s’do të ketë konsensus a do të tentojë LSI deri në fund për të pasur dakordësi me opozitën. Në mënyrë të vazhdueshme LSI është shfaqur si negociatore mes PD e mazhorancës. Kur flisni për takticizma, siç e cilësuat ju e keni fjalën për kërkesën e PD-së për një tryezë politike dhe pse kjo tërheqje nëse po? Nuk e kishit refuzuar asnjëherë një mundësi për një tryezë politike?

Unë takticizëm quaj çdo lëvizje që zhvendos debatin me qëllim apo edhe pa dashje nga fokusi kryesor. Fokusi kryesor është reforma në drejtësi. Kemi pritur deri tani opinion përfundimtar të Komisionit të Venecias. Ky opinion erdhi dhe tani nuk ka më asnjë përse të mos ndërtohet procesi politik, kalendari i komisionit të posaçëm këtu në Parlament, por edhe i çdo dialogu të mundësh, të nevojshme politik që e kurorëzon këtë reformë sa më shpejt të jetë e mundur.

Ky është një mesazh i qartë, që është dhënë edhe nga BE, edhe nga përfaqësuesit e dy grupeve kryesore z. Kukan dhe z. Fleckenstein, të cilët vizituan në emër të Parlamentit Evropian Shqipërinë përpara disa javësh, është dhënë dhe nga komisioneri Hahn. Besoj që do të jepet edhe nga përfaqësuesja për Politikën e Jashtme, znj. Mogherini gjatë ditëve të ardhshme këtu në Tiranë. Pra, është dhënë nga të gjithë, atëherë nuk ka më asnjë arsye se përse të vonohemi. Ka pretendime për çështje të caktuara PD-ja apo çdo parti tjetër në parlament? Ato patjetër që duhet ndjekur në përputhje me Rregulloren e Kuvendit dhe duhet të ecim përpara për zbatimin e ligjit për dekriminalizimin dhe për gjithçka tjetër.

Qëndrimi LSI-së nëse nuk arrihet konsensusi z. Meta?

LSI-ja mbështet në mënyrë të vendosur të gjitha rekomandimet e Komisionit të Venecias. Ju do të thoni po në qoftë se LSI ka një lexim të ndryshëm të disa çështjeve, nga forcat e tjera politike?

Edhe kjo gjë mund të ndodhë. Atëherë ne do t’i besojmë misionit të EURALIUS, për të lexuar në mënyrë përfundimtare rekomandimet e Komisioni të Venecias . Kushdo që ka dëshirë që kjo reformë të shkojë përpara, mendoj që le të ecim me këtë drejtim. Unë besoj që të gjitha forcat politike në Parlament apo edhe jashtë Parlamentit, sepse nuk është një reformë që i takon thjesht Parlamentit. Parlamenti është ai që do të marrë përgjegjësinë përfundimtare për ta votuar, është një reformë që i takon të gjithë qytetarëve, të gjithë forcat politike. Por edhe jashtë forcave politike ka ekspertë shumë të mirë, të cilët në mënyrë objektive dhe të paanshëm, pa syze partiake mund të lexojnë shumë qartë rekomandimet e Komisionit të Venecias.

Por ja edhe që ndodhi që syzet nuk punojmë shumë mirë, atëherë të mbështetemi tek interpretimi përfundimtar që do të bëjë EURALIUS përderisa është një mision shumë i rëndësishëm që ndihmon edhe përqasjen e legjislacionit tonë me standardet e BE. Këtë reformë e bëjmë për të forcuar shtetin ligjor në Shqipëri, por e bëjmë edhe për të përafruar institucionet tona dhe standardet tona të ligjit me ato të BE-së, ku duam të anëtarësohemi.

Ja përsëri kemi një institucion po themi konsensual që na ndihmon ta lexojmë në mënyrë përsëri sa më të paanshme, Venecian.

Aleati juaj në mazhorancë, z. Rama dje ka folur për një plan “B” në rast se opozita nuk do të votonte reformën në drejtësi. A mund të na thoni çfarë parashikon një plan “B” i mazhorancës, kalimi në referendum të reformës apo zgjedhje të parakohshme ndoshta?

Mund t’iu them se ekziston që në fillim në mendjen time vetëm një plan, për miratimin e reformës dhe për miratimin e saj sipas standardeve të Komisionit të Venecias. Plane të tjera çdo forcë politike mund të ketë, por unë mendoj që të gjitha energjitë pozitive duhet t’i përqendrojmë te ky plan. Nuk është koha për t’u zhvendosur nga përpjekja për ta materializuar këtë reformë, sepse është bërë një punë e madhe, është bërë punë shumë e madhe. Ka përpjekje për të krijuar tensionime të panevojshme me çështja të cilat nuk janë përparësia kryesore e vendit, por unë besoj te përgjegjësia e të gjithë aktorëve politikë, tani të përqendrohemi këtu.

Besoj se interpretimi i Opinionit të Venecias është i qartë edhe për çështje të caktuara apo të ndërlikuara, por e nënvizoj edhe një herë; edhe në rast se nuk arrijmë dot të kemi një lexim apo një interpretim të njëjtë të aktorëve politikë apo parlamentarë, atëherë do t’i kërkojmë asistencën Misionit EURALIUS apo edhe të OPDAT-it për të bërë një lexim përfundimtar të opinionit të Venecias për ato çështje ku kemi lexim të ndryshme. Por për shumicën e çështjeve besoj se të gjithë jemi të dakordësuar.

Me afrimet dhe largimet që ka opozita me mazhorancë, me interpretimet nga pozicioni i secilit për Opinionin e Venecias, a rrezikohet objektivi që i keni vënë vetes për miratimin kësaj reforme në pranverë?

Unë jam shumë optimist që kjo reformë do të miratohet, sepse nuk shikoj asnjë arsye serioze apo madhore që të mos realizohet. Vullneti politik është konfirmuar, domosdoshmëria e bërjes së një reforme të thellë është konfirmuar dhe nga Komisioni i Venecias, edhe nga vetë forcat politike. Riorganizimi i shumë institucioneve të drejtësisë është rikonfirmuar, procesi i vetingut është pranuar dhe është mbështetur. Për disa çështje më konkrete tani kemi opinionin më konkret, por edhe nëse kemi lexim të ndryshme, përsëri kemi Misionin e EURALIUS apo edhe atë të OPDAT-it, me të cilët ne mund të bëjmë një lexim të paanshëm, objektiv dhe profesional për çdo çështje të caktuar.

Në rast se nuk duam të miratojmë reformën, mund të gjejmë 100 sebepe, pretekste, alibi, etj. Por unë besoj që të gjithë do të ecim në përputhje me atë dëshirë dhe vullnet që ka shumica e qytetarëve tanë, por edhe asaj kërkesës që kanë partnerët tanë, të cilët e kërkojnë këtë reformë edhe si një mbështetje të mëtejshme për ecjen drejt hapjes së negociatave të Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimin Europian.

  1. Meta, çfarë po ndodh me koalicionin qeverisës? I referohem këtu PDIU-së, pasi Shpëtim Idrizi së bashku me deputetët e grupit të tij parlamentar në seancën e fundit ka dalë salla e seancave në mënyrë demonstrative duke mos votuar dekretet e Presidentit Nishani, por nga ana tjetër në takimin e asaj që njihet si njësia koordinative e koalicionit, ka refuzuar të jetë i pranishëm. Çfarë ka ngjallur këto pakënaqësi të z. Idrizi?

Nuk kam asnjë informacion të caktuar, mendoj që gjërat po shkojnë normalisht.

A keni marrë masa si institucion për të mos lejuar vezët në sallën e seancave? Kemi parasysh se opozita i ka quajtur si të vetmin mjet demokratik që ka në dispozicion për t’iu dëgjuar fjala….

Unë besoj që opozita ka nevojë për argumente, më shumë dhe për qetësi më shumë që t’i dëgjohet fjala më shumë. Sa i takon vezëve, mendoj se është një formë e rëndomtë e komunikimit dhe e luftës politike, dhe shpresoj që të ketë qenë hera e fundit seanca e ditës së enjte, pasi unë besoj se qytetarët tanë kanë nevojë të na shohin duke punuar së bashku për këto çështje që janë më të rëndësishme.

Ka opozita disa shqetësime, disa mendime të saja, ato janë në axhendën tonë, përfshirë edhe zbatimin e detyrimeve të Kuvendit për dekriminalizimin, për të cilën presim diskutimin e z. Bylykbashi dhe z. Balla sot. mund të mbledhim edhe Këshillin e Rregullores dhe Mandateve gjatë ditës së nesërme.

Nëse ka pretendime për çështje të tjera të caktuara, do t’i vendosim në rendin e ditës sipas rregullores, por Kuvendi nuk mund të funksionojë me ultimatum, që ose do të bëhet kjo gjë tani o s’ka! Sepse kjo do të thotë të provokosh një tension të panevojshëm në mënyrë të vazhdueshme dhe të nxisësh një klimë konfliktuale që nuk ndihmon në zgjidhjen e problemeve reale që ka dhe vetë opozita.

SHKARKO APP