Kreu i Kuvendit, Meta: Të nxisim punësimin tek të rinjtë

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, mori pjesë në inaugurimin e CCP ( Call Center Paskuqan) ku janë punësuar 100 të rinj të moshës (18-35 vjeç) dhe që shumë shpejt numri i të punësuarve pritet të arrijë në 500.

I shoqëruar nga Zv. Ministra e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Gentjana (Mara) Sula, Drejtori i Përgjithshëm i Inspektoriatit Shtetëror të Punës, Dritan Ylli si dhe Drejtori i Autoritetit Shëndetësor Rajonal të Tiranës Edmond Stojku, Kryetari i Kuvendit  u njoh me kushtet e punës dhe me perspektivën e këtij aktiviteti për t’u zgjeruar.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryetari i Kuvendit Ilir Meta përshëndeti inaugurimin e këtij biznesi, si një mundësi më shumë për të punësuar të rinjtë.

“Unë dua të shpreh kënaqësinë më të madhe që marr pjesë sot në inaugurimin e këtij aktiviteti kaq të mirëpritur këtu në Paskuqan, ku si rezultat i iniciativës të disa sipërmarrësve të këtij komuniteti të mrekullueshëm, më shumë se 100 të rinj dhe të reja sot kanë filluar punë në shërbimin e “Call Center-it”. Një shërbim me mjaft perspektivë për të punësuar shumë të rinj dhe të reja të cilët dëshirojnë të punojnë në kushte mjaft të mira dhe premtuese”, theksoi z. Meta.

Kryetari i Kuvendit shprehu mbështetjen e institucioneve shtetërore për zhvillimin këtij aktiviteti me qëllim hapjen e vendeve të reja të punës. 

“Le të shpresojmë që shumë shpejt të vijmë për të inauguruar shtimin e kapaciteteve të këtij aktiviteti i cili synon që pas një viti të arrijë një numër mjaft kuptimplotë për këtë komunitet, rreth 500 të rinj dhe të reja. Kështu që është një nisje e mbarë, një nisje konkrete që gëzon respektin dhe mbështetjen tonë më të plotë. Kjo është rruga e punësimit, rruga e zgjerimit, të këtij aktiviteti kaq të rëndësishëm i cili në fushën e shërbimeve po zë një peshë gjithnjë e më të madhe pasi ne kemi shumë të rinj dhe të reja të cilët kanë aftësi për të përdorur teknologji, për të mësuar dhe për t’u thelluar në gjuhët e huaja dhe të ofrojnë një shërbim mjaft të kualifikuar për kompani të huaja dhe për kompani vendase që realizojnë këto shërbime”, tha z. Meta.

Edhe zv/ Ministra e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Gentjana (Mara) Sula vlerësoi hapjen e këtij biznesi si një mundësi për kualifikimin e të rinjve dhe të punësimit të tyre.

“Është një iniciativë e mrekullueshme. Nuk është vetëm për plotësimin e nevojës të një komuniteti në nevojë, por njëkohësisht është kualifikimi profesional dhe punësim i shpejtë dhe me kushte të mira. Shoh që kompania ka plane për zgjerim dhe i bëj thirrje edhe rinisë që të vijë të marrë kualifikimet profesionale në gjuhët e huaja dhe me teknikën e shitjen përmes “Call Centerit”. Kështu që  është një shërbim i cili po vë pikat mbi “i”, pikërisht aty ku janë plagët, tek punësimi rinor. I uroj suksese të mëtejshme biznesit dhe këtyre të rinjve që sot po provojnë shijen e punës për herë të parë”, tha zv/ Ministra e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.

Një nga administratoret e këtij biznesi, znj. Suela Shehu falënderoi institucionet shtetërore për mbështetjen, ndërsa shprehu dëshirën për të zgjeruar edhe më tej aktivitetin duke krijuar vende të reja punësimi.

“Kemi ardhur me dëshirën më të madhe këtu në Paskuqan pasi nevoja është jashtë mase e madhe. Nuk është eksperienca e parë, pasi ne aktualisht kemi edhe dy “Call Center-a” të tjerë me dëshirën më të madhe që t’i japim tregut shqiptar punë për rininë”, tha znj. Shehu.

Ndërsa Presidentja e Institutit “Gloriouse Skills” që është marrë me trajnimin e të rinjve me gjuhën italiane, Xhenisa Kapxhiu, u shpreh se në të ardhmen synohet punësimi i 500 të rinjve, pasi shumë shpejt pritet lidhja e marrëveshjeve edhe me Gjermaninë dhe me Austrinë.

“Ne bëmë shkollën e parë profesionale në të gjithë Shqipërinë që është trajnimi dhe punësimi për 100 të rinj dhe të reja të Paskuqanit. Filluam punë sot me nivelin A1 dhe i përfunduam ato me nivelin B2 të gjuhës italiane në një kohë rekord prej 3 muajsh, ku çdo ditë një grup të rinj dhe të rejash prej 100 vetash bënin një kurs intensiv prej 4 orësh. Pas tre muajsh, ata jo vetëm që arritën një rezultat të shkëlqyer në gjuhën italiane, por gjithashtu mësuan dhe shitjet në kufje. Prandaj dhe ne e quajmë shkolla e parë pilot që është në të gjithë Shqipërinë dhe që është bërë në Paskuqan”, tha znj. Kapxhiu.

Hapja e këtij “Call Center-i” është në zbatim të projektit “ Për një rini Europiane Paskuqan”, lançuar në shtator 2014.  

SHKARKO APP