Kreu i Prezencës së OSBE-së në zyrën e Berishës: Zgjedhjet e 25 prillit me rëndësi të madhe për vendin

Ish-kryeministri Sali Berisha zhvilloi paraditen e së enjtes një takim në zyrën e tij me kreun e Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Vincenzo Del Monaco.

Përmes një njoftimi të shkurtër në rrjetet sociale, ku dhe publikon pamje nga ky takim, Berisha bën me dije se temë e diskutimit me ambasadorin Del Monaco ishte rëndësia e madhe që kanë zgjedhjet e 25 prillit.

“Takim me ambasadorin e OSBE, z. Vincenzo Del Monaco!

Të dashur miq, sot prita në një takim Kryetarin e Prezencës së OSBE në vendon tonë, zotin Vincenzo Del Monaco.

Pasi i urova mirëseardhjen ambasadorit Del Monaco, i shpreha atij vlerësimin për rolin dhe kontributin e çmuar të OSBE ndër vite në zhvillimet në Shqipëri dhe se ky rol është i mirëpritur për konsolidimin e standardeve demokratike në këtë vend.

Me ambasadorin Del Monaco pata një shkëmbim të gjerë të mendimeve mbi zhvillimet aktuale në vend dhe Rajon. Diskutuam bashkërisht dhe mbi rëndësinë e madhe që kanë zgjedhjet e 25 prillit.

Takimi ishte i hapur dhe miqësor”, shprehet në njoftimin e tij, ish-kryeministri Sali Berisha.

SHKARKO APP