Kreu i Shtetit shqiptar shpreh ngushëllimet për ndarjen nga jeta të ish-Presidentit turk Demirel
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani i ka dërguar një mesazh ngushëllimi Presidentit të Republikës së Turqisë, Sh.T.Z. Rexhep Taip Erdoan për ndarjen nga jeta të ish-Presidentit Sylejman Demirel.
“I nderuar Zoti President,
Ndarja nga jeta e Presidentit të 9-të të Republikës së Turqisë, Sylejman Demirel, më trishtoi pa masë. Me hidhërim të thellë, ju përcjell Juve dhe nëpërmjet Jush, familjarëve, të afërmve, miqve dhe popullit mik turk, ngushëllimet më të ndjera e të sinqerta.
Presidenti Demirel, ishte politikan dhe burrë shteti që ka lënë gjurmë të thella në politikën e Turqisë. Por, ai do të kujtohet gjithmonë me respekt të thellë edhe nga shqiptarët, si një mbështetës dhe mik i sinqertë i tyre dhe i Shqipërisë. Presidenti Demirel i është gjendur pranë shqiptarëve, si në momentet e para të rimëkëmbjes së vendit pas ndryshimeve demokratike dhe viteve të para të tranzicionit në Shqipëri, ashtu edhe gjatë ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë. Në shenjë mirënjohje për mbështetjen dhe kontributin në forcimin e miqësisë tradicionale mes dy popujve dhe paqes në rajonin e Ballkanit, Shqipëria e ka dekoruar Presidentin Demirel me një prej medaljeve të saj më të larta.
Në këtë ditë trishtimi, unë dhe të gjithë shqiptarët, gjendemi pranë familjarëve dhe popullit mik turk, duke u lutur që Presidenti Demirel të prehet në paqe!” – përfundon mesazhi i Presidentit Nishani.