Kreu i SPAK, Arben Kraja: Prokurorët e dinë kë të hetojnë. E dinim që do kishim presione, por nuk duam t’ia dijmë

Arben Kraja, drejtuesi i SPAK-ut ka paraqitur sot para Këshillit të Lartë të Prokurorisë raportin vjetor të SPAK për vitin 2021.

Raporti i tij ishte pas presionit dhe kritikave të forta të Kryeministrit Rama, por edhe nga opozita.

Edi Rama në thelb insiston se “pse hetoni vetëm PS”, kurse opozita bërtet se “pse nuk hetoni Ramën!”.

Një lojë dyshe pozitë-opozitë për të mos u hetuar nga SPAK.

Kreu i SPAK-ut Arben Kraja tha në KLP se “na kanë ardhur mbi 756 kërkesa nga qytetarët. Është shtuar ndjeshëm numri për informacion nga strukturat shtetërore si KPK, KLP, KLGJ për çdo verifikim, si dhe nga komisioni i jashtëm i verifikimit për policinë mbi 824 gjatë 2021). Gjatë këtij viti kishim objektiv forcimin e bashkëpunimit sepse lufta e krimit të organizuar dhe korrupsionit nuk bëhet vetëm, ndaj kemi patur prioritet bashkëpunimin me policinë e shtetit, me agjensinë e mbikëqyrjes policore me SHISH dhe KLSH me të cilët kemi pasur bashkëpunim perfekt.
Kemi pasur kontakte me shtetet e BE që kanë oficerë në vendin tonë dhe kjo na ka lehtësuar, kemi vazhduar kontaktet me shtetet qe lidhim lidhur marrëveshje eurojust, Interpol. Kemi lidhur marrëveshje me prokurorinë e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, kemi bashkëpunim me antimafia dhe gjatë 2021 aplikuam skuadrat e përbashkëta hetimore duke qenë se grupet e drogës janë shtrirë kudo duke u vendosur edhe në vendet e origjinës”- tha Kraja.

Pyetje: Këto ditë retorikë politike ka diskutuar për ngadalësi për hetimin e dosjeve. A ndiheni të kërcënuar dhe nën presion?

Pyetja e dytë çfarë ka qe nuk shkon mes BKH dhe SPAK?

Arben Kraja: Të gjithë prokurorët e hetuesit janë të ndërgjegjshëm kë hetojmë, e dimë që do ketë opinione të ndryshme, presione. E rëndësishme për ne të jemi korrekt me ligjin, të vlerësojmë provat. Këto u kam thënë edhe prokurorëve, të vijojnë punët me provat, nuk është problem shqetësues për ne. Në lidhje me pyetjen e dytë, unë mendoj se ne punojmë në koherencë me BKH. Oficerët janë të rinj, por po mësojnë.

Pyetje: Për pjesën si paraqitet gjendja në këtë fazë te BKH, a i kanë përmbushur ata detyrimet ligjore? A i kanë zbatuar me korrektësi detyrat për hetimin e çështjeve? A është ngritur dhe është funksional komisioni?

Arben Kraja: BKH është trup e pavarur në funksion të SPAK. Ideja është për një institucion të përbashkët që bën një produkt. Hap pas hapi jemi munduar ta konsoludojmë. Te zgjedhja e personelit na është dashur shumë punë, energji. Nga ana profesionale akoma nuk janë aty ku do të donim, pasi vijnë nga fusha të tjera. Por me rëndësi për mua është që kanë vullnetin, do shtohet nurmi i tyre, trajnimet, mbështetja e prokurorëve. Kemi problem ambientet, por numri i madh në organikë e bën të pamundur qëndrimin. Presim të marrim një objekt diku aty afër për të sistemuar të gjithë. Kemi ngritur një komision mbikëqyrës për BKH”- shtoi kreu i SPAK.

“Prokurorët e dinë kë të hetojnë. E dinim që do kishim presione, por nuk duam t’ia dijmë’- tha si përfundim Arben Kraja.

SHKARKO APP