Kriza politike, Fleckenstein nis misionin e pajtimit në Tiranë

Raporteri i PE, Knut Fleckenstein ka nisur turin e takimeve në Tiranë me liderët politikë dhe krerët e lartë të shtetit për të ndërmjetësuar për arritjen e një marrëveshje që do të mundësonte rikthimin e opozitës në Kuvend.

Takimine parë Fleckenstein e ka zhvilluar me kreun e Kuvendit Ilir Meta , i cili ka theksuar se mazhoranca mbetet e hapur për t’i garantuar të gjitha hapësirat opozitës, duke mundësuar rikthimin e saj në parlament. Ndërsa ftoi PD për të bërë propozime konkrete për dekriminalizimin e Kuvendit.

“Ne kemi qenë dhe mbetemi të hapur për çdo iniciativë që do të propozohej nga opozita e cila ka ngritur këtë pretendim disa herë edhe në drejtim të një kontrolli më të mirë të figurës së parlamentarëve dhe të gjithë përfaqësuesve publikë sot edhe në të ardhme. Por një propozim apo një draft i tillë ende nuk mund të konfirmohet nga askush”, tha Meta.

Eurodeputeti është pritur më pas në selinë e qeverisë nga kryeministri Rama në një takim të zhvilluar pa praninë e medias. Ndërkohë ditën e premte ai do të takohet me kryeopozitarin Lulzim Basha, i cili nga ana e tij gjatë takimeve të zhvilluara këtë të enjte në Bruksel me zyrtarë të Partive Popullore Europiane ka përsëritur edhe njëherë qëndrimin e palëkundur të PD për plotësimin e kushteve të opozitës për rikthim në parlament.

“Shpresat dhe besimi im është që përmes reflektimit në përputhje me problemet kryesore që shkaktuan këtë gjendje, qe ishte përdorimi i dhunës me skenarë të mirëorganizuar në Kuvendin e Shqipërisë kundër opozitës si dhe shkelja flagrante e kushtetutës dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga shumica, të tejkalojmë këtë situatë përmes një marrëveshje politike, do t’i hapim rrugë rikthimit të normalitetit të parlamentit të Shqipërisë”, u shpreh Basha.

SHKARKO APP