Kroacia dhe Kosova: Nuk do t’i bashkohemi ”Open Balkan”
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, priti me nderime të larta homologun e saj kroat, Zoran Milanoviç. Në konferencën për shtyp, presidentët zbuluan qëndrimet e tyre për ”Open Balkan”, nismën rajonale të Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut. Kroacia dhe Kosova janë kundër.
“Derisa Serbia ka rol kyç në këtë indikativë dhe nuk e njeh Kosovën natyrisht që ne nuk mund të presim nga presidenti Vuçiç që ka qëllime të mira në raport me shtetin tonë apo në raport me rajonin sepse vetë militarizimi i Serbisë që po ndodh këto vitet e fundit dhe tendencat e tyre destabilizuese në raport me shtetet e rajonit tregon që cili është qëllimi i tyre i vërtetë”, u shpreh Osmani.
“Nëse kjo iniciativë nuk e trajton Kosovën si të barabartë, atëherë detyrimisht është e pakuptimtë. Serbia duhet të vendosë vetë se çfarë dëshiron me këto marifete me Ballkanin e Hapur. Nuk është më viti 1914. Është diçka e mirë, njerëzit duhet të udhëtojnë lirshëm, por pa Kosovën, qëllimet janë të paqarta. Nuk janë shumë humane”, tha Zoran Milanoviç, president i Kroacisë.
Presidenti kroat një kritikë pati dhe për disa vende anëtare të BE-së duke theksuar se nuk e kupton pse ende nuk e kanë njohur Kosovën.