Kronika e 2018, pazaret e drogës përgjakën Shqipërinë

“Koha Jonë”, sjell një përmbledhjeve të ngjarjeve kryesore të kronikës që tronditën vendin përgjatë vitit 2018

Nga Redjon Shtylla

Swiss Digital Desktop Reklama

2018 nisi dhe u mbyll me krime të rënda mes bandave të kanabisit. Pazaret e vjetra prenë koka dhe ekzekutimet më së shumti prekën qytetin e Shkodrës. Ekzekutimet e shqiptarëve u shtrinë edhe në Greqi, aty ku në dy muajt e fundit u vranë 7 shqiptarë. Debat shkaktoi edhe vrasja e ekstremistit grek në Bularat të Gjirokastrës, ku Konstandionos Kaçifas qëlloi ndaj policisë shqiptare dhe varrimi i tij u bë me thirrje Antishqiptare. Vrasjet në familje tronditën vendin, ku ngjarja më e rëndë është ajo në Resulaj të Selenicës, me tetë të vrarë nga një dorë e vetme. Plumbat i morën jetën grave, vajzave që refuzuan të kishin lidhje. Por ky viti kapi edhe disa banda në vend, nga 40 që prezantoi qeveria, u kapën 13-të por nga ana tjetër edhe disa banda u dënuan dhe disa dolën nga burgu. Fundiviti u përmbyll me dy krime të rënda. “Koha Jonë”, sjell një përmbledhjeve të ngjarjeve kryesore të kronikës që tronditën vendin përgjatë vitit 2018.

Swiss Digital Mobile Reklama

Ngjarjet e Janarit 2018

1 janar-Plumbat i marrin jetën 16-vjeçarit

2018 nisi me një viktimë, pasi plumbat e armës i morën jetën 16-vjeçarit Klajdi Gjeta. Gjatë natës së ndërrimit të viteve në Kurbin, ai kishte dalë në terracë për të hedhur fishekjzarre por u godit dhe sipas ekspertizës mjeko-ligjore, të ndjerit ju gjet një plumb në kokë. Djali kishte hipur në tarracë për të shpërthyer fishekzjarre kur u qëllua nga një plumb në kokë. Alban Lika, Ernis Lika dhe Arber Lika kanë qëlluar me armë zjarri teksa po qarkullonin në lagjen Sanxhak me automjet mesnatën e datës një janar 2018.

8 janar-Shkarkohet nga detyra Haki Çako

I akuzuar nga opozita për shkelje të ligjit, Haki Çako u lirua nga detyra si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Ministria e Brendshme, përmes një deklarate tha: “Me propozim të Ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, Këshilli i Ministrave miratoi lirimin nga detyra të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Haki Çako”. Çako akuzohet nga opozita si bashkëpuntorët i grupeve kriminale, duke favorizuar trafikun e drogës. Sot Çako është në krye të Emergjencave Civile dhe në krye të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, është Ardi Veliu.

15 janar-Vret shokun dhe vetëvritet

Fashti Gjorm në Vlorë u trondit në 15 janar nga një krim i dyfishtë. Artion Shenaj qëlloi me breshëri ndaj Mariglen Memës, duke i marrë jetën në vend. Memaj dhe Shenaj njiheshin me njëri-tjetrin, ndërsa dyshohet se kishin një konflikt të vjetër. Memaj ka qenë duke pirë kafe në lokal kur është qëlluar nga Shenaj i cili kishte vetëm tre ditë që ishte kthyer nga Franca ku kishte qenë dënuar për vjedhje. Fillimisht ka patur një grindje mes dy të rinjve dhe më pas Shenaj është larguar nga lokali për të marrë kallashnikovin në banesën e tij. Pas disa minutash 31-vjeç është rikthyer në lokal dhe ka qëlluar me armë zjarri 35-vjeçarin, duke e lënë të vdekur.

21 janar-Vritet Ariela Murati

Vrasja e studentes së Juridikut, Ariela Murati, pasditen e 21 janarit pranë Universitetit të Mjekësisënë Tiranë nga personi që kërkonte të kishte lidhje me të, tronditi mbarë opinionin publik. 23-vjeçari Aldison Belulaj, e kishte përndjekur prej kohësh Arielën dhe të dielën e 21 janarit e vrau me një plumb në kokë. Pas aktit tragjik, disa sekonda më vonë ai qëlloi edhe veten.

21 janar-Masakrohen nënë e bir

Olsin dhe nëna e tij Salkie Hoxhallarin i vranë për xhelozi, sepse dashnori nuk po takonte dot nusen e shtëpisë. Është kjo historia tragjike e 21 janarit në Vlorë, aty ku vrasësi Kasëm Pirjasi, një 26-vjeçar i martuar, baba i dy fëmijëve kishte lidhje jashtë martesore me gruan e të ndjerit, Hysnie Hoxhallarin. Që kur Olsi ishte kthyer nga Greqia për shkak të festave të fundvitit, ai nuk kishte me mundësi ta takonte 38-vjeçaren e cila është nga fshati Stungë i Fierit, andej nga është edhe vrasësi, e po ashtu mblesi për martesën mes Hysnies dhe Olsit. Bashkëpunëtorë në këtë masakër është edhe Hysnie Hoxhallari, e cila fshehu armën e krimit dhe pasi banesa u dogj plotësisht, njoftoi policinë se në shtëpinë e saj kishte rënë zjarr.

28 janar-Burri vret gruan

Krim i rëndë në familje. Ylber Bajrakurtaj vrt me sopatë gruan e tij, nënën e tre fëmijëve. Viktima disa herë ishte larguar nga shtëpia dhe çifti Barjakurtuaj përfundonte duke u rrahur. Autori vuante prej kohësh nga probleme mendore dhe për këtë gjë merrte dhe kurim herë pas here. Vetëm pak ditë para ngjarjes, ai mësohet se bashkë me vjehrrin e tij, kishte kryer vizitë te një mjek psikiatër. Mjeku psikiatër, Gjon Preçi, tregon se 42-vjeçari ka qenë i shtruar edhe në Spitalin Psikiatrik të Shkodrës. Ai kishte statusin e invalidit prej më se 20 vitesh me prapambetje mendore.

29 janar-Killeri grek vret Kasmin

Një nga ekzekutimet më misterioze është ajo e Devi Kasmit, mbrëmjen e 29 janarit në Tiranë. Për ekzekutimin e tij u pagua një killer grek, Eftimius Eftimiu. Kasmi u vra në derën e shtëpisë së tij dhe u qëllua disa herë me pistoletë në kokë dhe trup. Greku ka qenë më parë anëtar i forcave speciale greke por u përjashtua pasi u zbulua se ishte i përfshirë në trafik droge. Killeri grek kërkoi heqjen e masës së sigurisë “arrest me burg” por ndërkohë kishte dërguar një deklaratë për Gjykatën. “Dua të marr pjesë në gjyq por nuk dua të transportohem pasi ndjej pasiguri për jetën”. Deri më tani nuk dihet kush është porositësi i këtij ekzekutimi dhe se killer grek ende nuk ka marrë dënimin si vrasës. Dyshohet se ish-agjendi grek është paguar 25 mijë euro për këtë vrasje.

Ngjarjet e Shkurtit 2018

7 shkurt-Sasi kolosale droge nga Shqipëria

Policia italiane finalizoi një operacion të gjerë antidrogë, duke sekuestruar 800 kg marijuanë dhe vënë në pranga 15 trafikantë. Operacioni u krye në komunat Brindisi, Fasano, Oria dhe Katania, ku të arrestuarit akuzohen dhe për grabitje. Mediat fqinje raportojnë se lënda narkotike vinte nga Shqipëria, ndërsa nga hetimet e nisura që prej shkurtit të 2017, u identifikuan dy grupe kriminale, që merreshin me trafikun e drogës. Droga mbërriti në Itali me anije dhe kamionë, ndërsa gjatë aksionit të karabinierëve janë kapur dhe armë zjarri, që mbaheshin pa leje nga trafikantët.

18 shkurt-Tragjedia, shuhet familja

Tragjedia e familjes Preka në Velipojë, tronditi shqiptarët. Është aksidenti më tragjik i viti që lamë pas. Mjeti “Alfa Romeo”, ku udhëtonte familja Preka, babai, nëna dhe tre fëmijët e tyre u përplas me një fuoristradë, ku udhëtonin 2 persona të tjerë. Përplasja ishte fatale për babain 40-vjeçar, Edmond Preka dhe për tre fëmijët. Nëna, 36-vjeç është në një gjendje të rënduar psikologjike, pasi ky aksident i mori familjen.

21 shkurt-Shqipëria importuesja e drogës

Antimafia në Itali dorëzoi në komisionet e sigurisë të Parlamentit italian, raportin për vitin 2017. Mediat italiane, shkruajnë se rritja e aktivitetit të grupeve kriminale shqiptare, që për “007” italianë konsiderohet mafia më e rrezikshme e huaj. Raporti thekson se grupet shqiptare shtrijnë aktivitetin e tyre në të gjitha fushat e paligjshme, që nga trafiku i drogës, prostitucioni, grabitjet, gjobëvënia e deri tek vrasjet. Inteligjenca italiane shkruan në raport se grupet mafioze shqiptare janë importuesit kryesorë të drogërave të forta që mbërrijnë nga Azia, por edhe të hashashit në drejtim të Italisë nga Ballkani, duke bashkëpunuar me grupet italiane, kryesisht në Pulja dhe zonat e tjera të jugut të Italisë.

28 shkurt-613 kg kokainë në Durrës

Kokaina e kapur më 28 shkurt në Durrës, është sasia më e madhe e kapur ndonjëherë në Shqipëri. 613 kokainë e paketuar në kutitë e bananeve, tërbulloi për muaj me rradhë politikën. Arbër Çekaj mbahet i arrestuar në Gjermani, pasi Prokuroria e Krimeve të Rënda në Shqipëri e shpalli në kërkim ndërkombëtar pas caktimit të masës së sigurisë “arrest me burg”. Edhe pse u arrestua në bazë të urdhër-kërkimit ndërkombëtar të lëshuar nga Shqipëria, duket se autoritetet gjermane po e hetojnë Çekajn edhe për llogari të tyre. Pas gjetjes së 613 kilogramëve kokainë në kontenierin me banane, Prokuroria e Krimeve të Rënda arrestoi shoferin e kamionit si dhe menaxherin e firmës “Arbri Garden”, të cilët janë shprehur se nuk kishin dijeni mbi drogën e fshehur në dyshemenë e dyfishtë të kontenierit. Ndërsa nuk është identifikuar asnjë person tjetër i implikuar në këtë trafik ndërkontinental të drogave të forta, pronari i ngarkesës ku ishte fshehur droga vazhdon të mbahet nga autoritetet gjermane.

Ngjarjet e Shkurtit 2018

3 mars-Agur Vrenozi, heroi i vlerave 

Agur Vrenozi, humbi jetën pasi u përpoq të ndalonte grabitësit të cilit kishin shkuan në Exchange-in e shokut të tij për të grabitur. Lulëzim Demiraj dhe Zini Fyraj pasi parkuan makinën në brendësi të lagjes “Apollonia” erdhën nga Parku Qendror i qytetit për të hyrë në pikën e këmbimit valutor. Brenda ndodheshin  Gëzim Hoxha pronari, gruaja e tij dhe Agur Vrenozi. Ky i fundit doli jashtë për të kërkuar ndihmë, por pas disa minutash mori një karrige dhe qëndroi jashte derës. Qëllimi ishte të godiste autorët kur të dilnin gjë të të cilën edhe e tentoi por sapo ngriti karrigen u godit me plumb në ballë nga Demiraj. Veprimi dinjitoz i Vrenozit u vlerësua nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i cili i akordoi pas vdekjes “Dekoratën e Artë të Shqiponjës”. Dekorata ju dha nga Presidenti për “për aktin e tij vetmohues në mbrojtje të jetës së bashkëqytetarëve; për veprimin heroik e sublim, frymëzues për mbarë shoqërinë për të reaguar në përballjen me dhunën, krimin e rrezikun për jetën, paqen sociale, pronën e sigurinë qytetare”.

8 mars-Vrasje makabër në Fier

Një trup i dekompozituar gjendet në Fier dhe kjo ngjarje është kanibale. Kreshnik Beqiraj u vra nga shoku i tij, Albert Zekaj mbrëmjen e 26 qershorit të 2017. Zekaj i cili ishte edhe shok me viktimën, tha në polici se kishte qenë i dehur kur kishte kryer krimin dhe nuk kujtonte as motivet e ngjarjes. “Atë natë isha në një lokal tek Zogu i Zi në Fier dhe piva. Isha i dehur kur e vrava Kreshnikun, kur pashë që kishte vdekur e groposa. Kaq”, është shprehur ai.

13 mars-Nusja vret vjehrrën

Mariana Çmeta, në 2017 helmoi dhe më pas mbyti me duar vjehrrën e saj Lumtujire Lami. Ajo u vra tragjikisht pas përpjekjeve për të kërkuar ndihmë pas helmit të cilën nusja i kishte hedhur në një gotë me lëng portokalli. Hysen Shehu është ish-hoxha që shërbente në xhaminë në Qytetin Studenti në Tiranë, por që praktikonte edhe shërimin e sëmundjeve të ndryshme në banesë. Në këtë histori ai është personi me të cilën 21-vjeçarja rrëfeu krimin. Marjana e ka rrëfyer krimin ndaj vjehrrës 6 ditë pas ngjarjes, duke mos e ditur se hoxha po e regjistronte dhe po e filmonte të gjithë rrëfimin e saj.

16 mars-Arrestime në Lezhë

Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Fran Frrokaj, zyrtarë dhe ish-zyrtarë të tjerë të këtij institucioni u arrestuar më 16 mars, pas hetimeve për shpërdorim detyre, pasi u konstatn shkelje. Për të gjykata vendosi “arrest shtëpie” dhe më datë 10 maj, Gjykata e Lezhës zëvëndësoi masën e sigurimit ndaj kryetarit të bashkisë Fran Frrokaj nga arrest shtëpie në detyrim paraqitje. Frrokaj u kthye në zyrë për të ushtruar detyrën e tij por do të paraqitet dy herë në muaj pranë policisë gjyqësore te prokurorisë së Lezhës.

17 mars-30 mijë $ për në SHBA

Për megaoperacionin e policisë për goditjen e grupeve që trafikonin shqiptarë drejt SHBA-së dhe Kanadsë, kreu i policisë së Shtetit, Ardi Veliu, bëri me dije se në mesin e 39 të arrestuarve, janë edhe 4 punonjës të Policisë së Shtetit. Veliu bëri me dije se ata janë me detyrë kontrollorë në Pikat e Kalimit Kufitar, Hani i Hotit dhe Qafë Thanë, të cilët kanë shpërdoruar detyrën duke mos kryer regjistrimin e shtetasve të kontrabanduar në pikat e kalimit kufitar, në kundërshtim me ligjin. Këto shtatë grupe kriminale kanë arritur të dërgojnë në SHBA dhe Kanada plot 1mijë persona. Itineraret e ndjekur prej tyre janë Shqipëri-Itali-Mbretëri e Bashkuar, Shqipëri-Francë-Mbrëtëri e Bashkuar, Shqipëri-Bullgari-Belgjikë-Republikë Domenikane- SHBA- Kanada dhe Shqipëri-Spanjë-Amerikë Latine-SHBA-Kanada. Për çdo person paguhej nga 7 mijë paund për në Angli dhe 25-30 mijë dollarë për në SHBA dhe Kanada.

19 mars-Ushtria e Kananit, 38 të arrestuar

38 të arrestuar dhe 8 ton drogë e kapur. Ky është bilanci final i operacionit “Precizioni”, që çoi në kapjen e pjesës më të madhe të rrjetit të trafikut të drogës, që drejtohej nga Met Kanani. Trafikanti shqiptar është me pashaportë amerikane dhe kundër tij është aktivizuar edhe DEA, si dhe disa agjensi europiane. Rasti më i fundit i goditjes së grupit ndodhi në 19 mars 2018 , ku u bllokuan 1.1 tonë drogë dhe mes 11 shqiptarëve të arrestuar u kap edhe baroni i drogës Met Kanani. Ky i fundit shfaqet shpesh në komunikime telefonike me anëtarët duke folur herë shqip, herë anglisht e herë spanjisht.

23 mars-Tentativa e grabitjes, luftë me policinë

Pas ngjarjes së rëndë të 2 marsit në Fier, aty ku gjatë grabitjes të këmbimit valuator u qëllua për vdekje Agur Vrenozi, i cili u shpall edhe “Qytetar Nderi”, Fieri u trondit nga një ngjarje e ngjashme. Policia shkëmbeu zjarr me një grup prej gjashtë grabitësish të armatosur. Ata kishin shkuar në lagjen “29 Nëntori”, në derën e shtëpisë së Minella Muçit, i cili banon së bashku me bashkëshorten pensioniste. Dy të moshuarit kanë ndjerë se dikush kërkonte t’u shpërthente bravën e derës dhe njoftuan policinë. Policia mbërriti në hyrjen e pallatit dhe aty, dy ose katër persona me armë qëlluan direkt. Policia iu përgjigj zjarrit të armëve me zjarr dhe për pasojë, një nga grabitësit, Xhulian Sollaku nga Katund i Ri në Elbasan, u vra direkt, ndërsa Arben Muço u plagos. Nga shkëmbimi i zjarrit policët nuk janë lënduar.

31 mars- RENEA dhe FNSH “terror” në Kukës

E paralajmëruar nga Kryeministri Edi Rama se protesta në “Rugën e Kombit” ka autorë dhe se shkaktarët do të dënohen sipas ligjit, banorët e Kukësit u përballën me ndërhyrjen e Forcave Speciale RENEA dhe ato të Ndërhyrjes së Shpejtë. Pas aksionit të forcave RENEA-s dhe të shoqërimeve të banorëve që prej mbrëmjes së djeshme, mësohet se Policia e Kukësit lëshoi 23 urdhër-arresti për protestuesit, mbi të cilët rëndojnë katër akuza, siç janë: “Shkatërrim prone publike”, ”Goditje për shkak të detyrës”, ”Tubim i paligjshëm” dhe ”Kundërshtim i forcave të policisë”. Pas shumë seancave gjyqësore, disa muaj më vonë ata u liruan.

 Ngjarjet e Prillit 2018

10 prill-I refuzohet azili, vritet

Në një rrugicë pa ndriçim, maskat prisnin të kalonte 28-vjeçari Mario Majollari, dhe i zunë pritë mes pallateve, duke e ekzekutuar me tre plumba në kokë. Dyshimet e para ishin pikërisht për hakmarrje, pasi i ati i 28-vjeçarit, Avni Majollari vuan dënimin me burgim të përjetshëm për dy vrasje në vitin 2001. Vrasësi Kastriot Gjuzi, është vëllai i njërit prej viktimave të vrasjes. Majollari nga frika kishte kërkuar azil në Suedi por shteti atje nuk e besoi. Pavarësisht këtij fakti, familjarët e Gjuzit mohojnë që Kastrioti të jetë autor i vrasjes së Mario Majollarit, pasi sipas tyre ai nuk e ka hapur në familje temën për vrasjen e vëllait të tij, Ilir Gjuzi. Ky i fundit u ekzekutua bashkë me Armando Nelajn në vitin 2000 nga babai i Mario Majollarit, i cili aktualisht vuan dënimin me burgim të përjetshëm.

25 prill-Vrasja për 9600 lek

Grabitjet që kthen në tragjedi, nuk janë të pakta në vendin tonë. Familja Buçi në Kamëz nuk hapi si çdo ditë qepenin e minimarketit por dyert e mortit. Kryefamiljari Agim Buçi, baba i katër fëmijëve u vra barbarisht, edhe pse në xhiron ditore kishte vetëm 9.600 lekë. 53-vjeçari sakrifikoi veten, për të mbrojtur gruan dhe djalin 6-vjeçar. Ngjarja tragjike tronditi familjen, opinion publik por më së shumti djalin 6-vjeçar të familjes, që ishte dëshmitar i përleshjes dhe i skemës së vrasjes. Bashkëshortja e të ndjerit, Merita Buçi mbeti e plagosur. Vladimir Kurti dhe Ruzhdi Hoda janë autorët e krimit që tronditi mbarë shqiptarët.

25 prill-Athinë, ekzekutohet shqiptari

Një 23-vjeçar shqiptar u ekzekutua në sheshin e lagjes “Exarchia” të kryeqytetit të Greqisë, Athinë. Viktima është Mihal Kapurani nga Korça. Burime policore thanë se viktima u sulmua nga agresorët në sheshin e lagjes, pas një konflikti që pati mes tij dhe 3 bashkëkombasve të tij për shkaqe ende të panjohura. Fillimisht mes viktimës dhe 3 shqiptarëve të tjerë pati konflikt verbal, e pasi viktima u godit me levë, në vazhdim u godit edhe me thikë. Ndonëse u dërgua menjëherë në spital, mjekët nuk mundën ta shpëtonin 23-vjeçarin nga Përmeti.

 Ngjarjet e Majit 2018

6 maj-Mafia shqiptare rekrutoi zyrtarët kolumbianë

Shqiptarët janë në krye të bandës që trafikoi një ton kokainë nga Kolumbia në Madrid. Këtë e thotë shtypi spanjoll, ku thotë se të arrestuar për këtë ngarkesë janë dy shqiptarët Arjan Ndoci, që fshihej nën identitetin e vjedhur Dritan Gradica edhe Julian Deblini. Sipas medieve spanjolle, shqiptarët e trafikonin kokainën e pastër nga Kolumbia në Madrid, jo vetëm me avionë të vegjël por edhe të fshehur në kontenierët e bananeve. Ata e përshkruajnë rrjetin si shumë të fuqishëm, ndërsa kishin rekrutuar zyrtarë dhe punonjës të aeroporteve kolumbiane për të lëvizur kokainën. Mes autoriteteve të dy vendeve, Spanjës dhe Shqipërisë po hetohet nëse kokaina e kapur në Madrid ka lidhje me atë që u sekuestrua në Durrës në 28 shkurt, 613 kg kokainë, ndërsa deri tani ka tre të arrestuar, pronari i kompanisë që kishte kontenierin me banane, administratorin e ”Arbi Garden” dhe shoferin.

8 maj-Grabitet sekreti hetimor

Korrespodenca sekrete e Prokurorisë së Durrësit e sapo tërhequr nga posta u grabitur pak metra larg organit të akuzës. Dy persona të pa armatosur dhe të maskuar me kapele i kanë rrëmbyer nga dora korrierit të Prokurorisë një dosje me 6 akte hetimore, përmbajtja e të cilave nuk bëhet publike nga autoritetet. Teksa po ecte në këmbë, Ilir Kapxhiu është sulmuar në rrugicën pas filialit qendror të Postës, që gjendet pak metra larg Prokurorisë sapo ai ka tërhequr dokumentet. U konfirmua se janë vjedhur akte hetimore të rikuperueshme dhe jo akte të cilat klasifikohen si sekret shtetëror.

8 maj-Ekstradimi i shekullit, Haxhia në Tiranë

Pas 19 vitesh, Izet Haxhia rikthehet në Tiranë për të vuajtur dënimin me 25 vite burg që ka marrë nga të gjitha shkallët e gjyqësorit shqiptar për bashkëpunim në vrasjen e deputetit Azem Hajdari. I arrestuar që në vitin 2006, Izet Haxhia jetoi për më shumë se 11 vjet në pritje të ekstradimit, i cili erdhi vetëm pas kërkesës së bërë prej tij. Për shumë vite me radhë, Haxhia ka qenë bodigardi i ish-Presidentit Sali Berisha, detyrë që e la pas ngjarjeve të 14 shtatorit në Tiranë.

17 maj-Enea vdes në paraburgimin e Korçës

Enea Ftoj, ndërroi jetë në ambientet e Komisariatit të Korçës por ndërsa policia njoftoi zyrtarisht se vdekja ishte për shkaqe natyrale, familjarët e tij e kundërshtuan këtë fakt duke dëshmuar se ndaj tij ishte ushtruar dhunë. Lajmin për vdekjen e tij familjarët e mësuan në ambientet e gjykatës ku do të zhvillohej seanca për vendosjen e masës së sigurisë ndaj 27-vjeçarit i cili akuzohej për vjedhje me dhunë.

 Ngjarjet e Qershorit 2018

4 qershor-Ekzekutimi i biznesmenit në Vlorë

Shumë pista janë për ekzekutimin e Vasil Dervishajt, pronar i një bar-kafeje të quajtur “Gimoka”, dhe të një dyqani elektroshtëpiakesh, por ende arsyeja e vrasjes nuk është zbardhur, edhe pse duket se ka ardhur pas një sherri. Ai u ekzekutua me një plumb në kokë teksa dilte nga automjeti i tij, në lagjen “Pavarësia”, mbrëmjen e 4 qershorit.

7 qershor-Djali vret prindërit

Prindërit nuk ja dolën që me përpjekjet e tyre djalin 26-vjeçar ta kuronin nga depresioni, pasi u vranë mizorisht në derën e shtëpisë. 26-vjeçari Qemal Sela vetëm një natë qëndroi në shtëpi pas kthimit nga Anglia, dhe paraditen e së enjtes zbrazi kallashnikovin drejt dy prindërve në zonën e “Llixhave” në Peshkopi. Më pas, 26-vjeçari me armë në dorë ka dalë në derën e hotelit për t’u larguar, por aty rastësisht ka kaluar një automjet i forcave të policisë që ishte drejtuar për në poligonin e qitjes. Policët i kanë kërkuar që të ndalojë dhe i kanë marrë edhe armën me të cilën kreu vrasjen.

8 qershor-Dashuri vrastare, la gruan për Xhuljetën

E vrau se e refuzoi dhe historia e krimit të pasionit u përsërit në Tiranë. 19-vjeçarja Xhuljeta Çuni nga Mati u vra teksa po ikte për të dhënë provimin e Maturës Shtetërore nga 31-vjeçari Xhaferr Mata nga Kukësi, në zonën e “Don Boskos”. Ky i fundit ndërroi jetë një orë pas krimit të rëndë. Lidhur me hetimin që nisi për kallëzimin që Xhuljeta deponoi në komisariatin numër 3, reagoi edhe Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, i cili thotë se efektivët që trajtuan rastin nuk kanë asnjë përgjegjësi ligjore.

8 qershor-Vret gruan, “mos shko të punosh”

Në 8 qershor 2018, në zonën e ish-Kënetës në Durrës, 6 fëmijët e Adriana Shahullit nuk do ta kishin imagjinuar që mbrëmjen e së premtes, ata do të flinin pa puthjen e nënës, pasi babai i tyre vrau 40-vjeçaren pas një sherri banal. Në gjykatë, në seancën e 11 qershorit, babai vrasës shprehu pendesë për veprimin, duke u kërkuar falje gjashtë fëmijëve të tij. “E shtyva dhe kur ra në tokë ia përplasa kokën në dysheme disa herë”, ka thënë në sallën e gjyqit 43-vjeçari Shaholli nga Maliqi i Korçës e me banim në Durrës. Adriana Shaholli, nënë e një djali dhe 5 vajzave gjeti vdekjen në spital nga plagët e marra në kokë si pasojë e dhunës së ushtruar nga bashkëshorti.

17 qershor-Gruaja ekzekuton burrin

Krimi në familje godet sërish. Kësaj radhe gruaja ekzekutoi bashkëshortin e saj. Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e së dielës në Tregun e Milotit, ku çifti shiste për të siguruar jetesën e tyre dhe dy fëmijëve minorenë. Kujtim Donaj kishte humbur shuma të konsiderueshme parash duke luajtur bixhoz të shtunën në mbrëmje dhe sipas gruas ky ka qenë shkaku, krahas dhunës fizike, për rrjedhën tragjike të ngjarjes. Më pas, ai kishte shkuar në banesë dhe ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij, duke e akuzuar se e tradhtonte.

18 qershor-Ekzekutohet pronari i servisit

Shkodra ka njohur ditë të këqija me luftën mes bandave, që në këtë qytet veprojnë në bazë fisnore dhe kanunore. në datë 18 qershor u ekzekutua me armë zjarri Mehdi Kavaja. Pronari i një servisi makinash, 60-vjeçari Kavaja u qëllua me plumb në kokë në banesën e tij, ndërsa ende nuk dihen motivet dhe autorët. Fillimisht u mendua se vdekja e tij ka qenë për shkaqe natyrale, por pas hetimit të kryer nga ana e policisë dhe ekspertizës mjeko-ligjore rezulton se ishte vrarë.

24 qershor 2018- 3.4 mln euro tek “Toyota Yaris”

Tre milionë e 366 mijë e 700 euro dhe 80 mijë franga belge është shifra që u gjetën të fshehura në dyert dhe sediljet e dy “Toyota Yaris”, të cilat zbarkuan në portin e Durrësit. Sasia e padeklaruar e parave u gjet brenda dy automjeteve tip ”Toyota Yaris”, pa targa. Mjetet ishin pjesë e 9 makinave që transportoheshin me kamionë nga Belgjika dhe mbërritën me traget me linjën e Ankonës në Durrës. Mjetet transportoheshin nga subjekti Edi Lika, i cili është ndaluar nga policia.

Ngjarjet e Korrikut 2018

13 korrik-Elvis Rroshi dënohet me punë

Saga e Elvis Roshit merr fund me vendimin që Gjykata e Tiranës. Ish-kryetarin e Bashkisë së Kavajës e dënon me 5 muaj burg por ky dënim do të konvertohet në 60 orë punë në komunitet. Prokuroria kërkoi 7 muaj e 15 ditë burg, kërkesë e cila u pranua por iu ul një e treta e dënimit pasi pranoi akuzën dhe përfitoi gjykim të shkurtuar. Në sallën e gjyqit, Roshi pranoi falsifikimin dhe tha se për shkak të neglizhencës e ka plotësuar gabim formularin. Roshi u shkarkua nga detyra, pasi u akuzua se kishte falsifikuar formularin e dekriminalizimit.

27 korrik-12 mijë euro rruga drejt SHBA e Angli

Një tjetër bandë që dërgonte shqiptarë ilegalisht në SHBA dhe Angli, është shkatërruar nga një operacion i Policisë së Shtetit, i koduar “GARANTUESIT”. ky grup i mirë-organizuar kryente veprimtari kriminale në drejtim të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit drejt vendeve të Bashkimit Europian dhe SHBA-së. Këto veprime bëheshin kundrejt pagesës së shumave të ndryshme që varionin nga 8.000 euro deri në 12.000 euro. Rruga që ndiqnin personat ishte nga Shqipëria-(Sicili)-Itali-Maltë-Angli, si dhe nëpërmjet një rruge tjetër Shqipëri-Kosovë-Kroaci-Itali-Maltë-Angli-ShBA.

Ngjarjet e Gushtit 2018

10 gusht-Masakra me të 8-të të vrarë në Resulaj

8 arkivole dolën nga një derë, duke shuar përgjithmonë tre familje. 8 të vrarë mizorisht nga 24-vjeçari, Ritvan Zykaj. Trupat e pajetë u varrosën në tetë varre të hapura në tokat e tyre, pranë tokës me ullinj. Familjarët e familjes Zykaj, plotësuan amanetin e fundit që kishte lënë sa ishte gjallë Demir Zykaj, kryefamiljari i këtij trungu, se kur të vdiste donte të prehej në tokat e tij. E ndaj të afërmit vendosën që të gjithë viktimat të prehen në të njëjtin vend, mes pemëve të ullinjëve, që janë simbol i paqes. Pasditen e 10 gushtit, 24-vjeçari Ridvan Zykaj, shkoi në banesën e vëllait të moshuar të gjyshit të tij dhe qëlloi me breshëri automatiku duke vrarë atë dhe gruan e tij. Pasi vrau Demir Zukajn 75-vjeç dhe gruan e tij Perie, 72-vjeç, ai shkrepi automatikun ndaj djalit të Demirit, Azem Zykaj 45-vjeç dhe gruas së tij, Afërdita Zykaj 42-vjeç. Autori i masakrës nuk është ndalur me kaq. Pasi ka braktisur shtëpinë e tyre, ai ka shkuar në banesën e djalit tjetër të 75-vjeçarit, duke vrarë Besimin, 43-vjeç dhe gruan e tij Vasilika, 42-vjeç. Gjithashtu, ai ka vrarë edhe dy fëmijët e tij, Sara 16-vjeç dhe Ledioni 8-vjeç. Familjarët e mbetur kërkojnë që dikush t’i informojë për shkaqet e masakrës, pasi, sipas tyre krimi ka qenë i paralajmëruar përsa kohë autori lëvizte lirshëm me armë. Albi Zykaj, 17-vjeç, fëmija i tretë i Besim Zykajt është i mbijetuari i vetëm i masakrës që kreu kusheriri i tij, Ritvan Zykaj. Albi punonte në bregdet dhe nuk ishte në atë moment në shtëpi, në kohën kur Ritvan Zykaj qëlloi pa mëshirë me bresheri automatiku duke vrarë dy gjyshërit e tij, Demirin dhe Ferijen, babain dhe nënën Besim dhe Vasilika, vëllain e tij Ledjonin 6-vjeç, motrën Sara 17 vjeç por edhe xhaxhain Azemin, bashke me gruan e tij Afërdita.

23 gusht-Zhdukje misterioze në Shkodër

Gëzim Hysaj, 56-vjeç dhe nipi i tij Agron Molla, 47-vjeç janë larguar më 23 gusht nga banesa dhe nuk janë kthyer më. Saimira Hysaj, bashkëshortja e 56-vjeçarit nga Dobraçi i Shkodrës, ka rrëfyer bisedën e fundit me burrin e saj. Ajo thotë se ai doli të takonte një shok por që nuk u kthye më. Për nipin Agron Mollaj, Saimira thotë se ai është larguar një orë më pas nga burri i saj. Gëzim Hysaj është baba i katër fëmijëve ndërsa nipi i tij Agron Mollaj është baba i tre fëmijëve. Personi që Gëzimi takoi në të vërtetë nuk u gjet kurrë. Teksa muajt kanë kaluar, në familjen e Gëzimit shpresa mungon dhe apeli i familjarëve të tij është që të paktën të gjendet trupi. “Të gjendet të paktën një shenjë por varet se nga i kanë tretur ata”,-thotë i vëllai.

30 gusht-Krimi kërcënon gazetaren

Klodiana Lala është një nga emrat më të njohur të gazetarisë investigative dhe kronikës së zezë në Shqipëri.  Banesa e babait të gazetarës Klodiana Lala u sulmua me armë gjatë orëve të para të mëngjesit të 30 gushtit. Në banesën që ndodhet në zonë e Laknasit dyshohet se u qëllua disa herë me kallashnikov. Fatmirësisht, nuk pati të lënduar pasi në shtëpi ndodheshin në gjumë fëmijët e mitur të gazëtares.

Ngjarjet e Shtatorit 2018

14 shtator-Ermal Hoxha del nga burgu

Ermal Hoxha, nipi i diktatorit Enver Hoxha u lirua nga burgu tre vite pas dënimit për akuzën e trafikut të drogës në tentativë. Hoxha është liruar me kusht. Ai u kap pas një operacioni të policisë në Xibrakë në 14 janar 2015, ku ishte ndërtuar një laborator droge që merrej me përpunimin e kokainës. Në muajin nëntor 2017, Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda pranoi kërkesën e nëntë të pandehurve për dosjen “Xibraka”, të cilëve iu njoh gjykimi i shkurtuar. Rrjedhimisht, sipas trupës gjyqësore të Apelit, nga aplikimi i gjykimit të shkurtuar secili nga të pandehurit përfiton një të tretën e uljes së dënimit.

28 shtator-91 zjarre në 17 ditë

“Zjarret në shtator, janë fenomene kriminale”, kështu i cilësoi Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, situatën e fundit në vend. Ajo tha se në të gjithë vendin janë regjistruar 91 vatra zjarri në 17 ditë, nga data 10 shtator deri në 27 shtator. Në një deklaratë për shtyp, Xhaçka tha se zjarrvëniet janë të qëllimshme për djegien e kullotave apo konflikteve, ndërsa të gjithë autorët do të dalin para përgjegjësisë. Xhaçka theksoi se janë djegur 262 ha kullota, pemëtari dhe ullishte, ndërsa janë angazhuar në të gjithë vendin mbi 100 mjete zjarrfikëse.

 

Ngjarjet e Tetorit 2018

1 tetor-Vetëvritet gardisti

Ariol Mançe, 30-vjeç u gjet i pajetë brenda Gardës së Republikës, teksa ishte në krye të detyrës. Djali nga Përmeti kishte qenë turni i tretë, ndërsa u gjet i pajetë në vendin e punës. Mançe kishte tri vite që shërbente në Gardë, ndërsa ishte një ushtarak i kualifikuar. Po ashtu mësohet se i riu kishte qenë pjesë e misioneve paqeruajtëse jashtë vendit, si në Irak.

4 tetor-Luftë në ish-Bllok

Ka qenë ora 21:27 minuta e datës 4 tetor 2018, kur Ervis Martinaj, Eljon Hato, Redi Popescu dhe një i ri tjetër, i paidentifikuar hyjnë së bashku brenda lokalit “Monopol” në ish-Bllok. Pas tyre afrohen edhe dy shokë të tjerë të Ervis Martinajt, përfshirë Fabjol Gaxhën, i cili mbeti i vrarë nga kjo përplasje me armë. Sherri nis me grushte në orën 21:28 minuta e 30 sekonda. Në këtë moment shihen teksa dalin me vrap dhe të frikësuar personat që ishin brenda lokalit “Monopol”. Në orën 21:29 minuta dhe 20 sekonda dallohet teksa grupi i Ervin Matës konfliktohet me grushta më grupin e Ervis Martinaj. Në këtë moment me grushta zihen Ervis Martinaj me Ervin Matën, Fabjol Gaxhën si dhe Eljon Hato me komandon Mervjol Bilo. Të shtënat e para janë dëgjuar në orën 21:29 minuta e 30 sekonda, ku nga video shihet që komandoja Mervjol Bilo qëllon Eljon Haton. Disa sekonda pasi janë dëgjuar të shtënat, shihet se nga lokali Monopol dalin Mervjol Bilo, Ervin Mata, i dashuri i Elvana Gjatës, Geldo Hoti dhe një person i cili nuk dallohet qartësisht. Motivet e këtij krimi ende janë enigma, ku pistat janë që nga ngacmimi i këngëtares Elvana Gjata, pazaret e drogës, luftë mes bandave etj por deri më sot nuk ka asnjë shkak të qartësuar të luftës. Që prej datës 4 tetor, Elvana Gjata shkëputi çdo lidhje me botën e televizionit dhe postimi i fundit në rrjete sociale mban datën 27 shtator.

11 tetor-Masakër në Macukull

Vendi përjetoi një tjetër masakër, pas asaj me 8 viktima në Resulaj të Selenicës. 51-vjeçari Kujtim Hoxha, vrau 3 punonjësit e bashkisë së Matit dhe la të plagosur një tjetër. Në një lokal modest në fshatin Shëlli të Matit, ishte vendi ku katër punonjës të bashkisë të cilët ishin angazhuar për hapjen e një rruge në fshat, e shfrytëzonin për pushimin e drekës. Mentor Hoxha, Astrit Hani, Erzen Alija dhe Hamit Buçi po konsumonin ushqimin teksa drejt tyre u zbrazën breshëri automatiku nga 51-vjeçari Kujtim Koxha. Policia tha se mes tyre pati një debat verbal në lokal dhe Koxha më pas shkoi në shtëpi dhe u kthye me automatik duke vrarë në vend Mentor Hoxhën dhe plagosur tre të tjerët. Pak orë më vonë do të ndërronin jetë Erzen Alija dhe Hamit Buçi, njëri rrugës drejt Tiranës ndërsa tjetri në spitalin e Traumës.

18 tetor-Arrestohet Stresi

Arkimed Lushaj, i njohur ndryshe si Stresi, shprehte gjithmonë pasionin për armët, jo vetëm në videoklipe, por edhe në kohën kur ishte në shërbim prove dhe nuk duhej të kryente asnjë krim. “Po të jetë nevoja, do ta mbaj prapë armën”, deklaronte Stresi. 31-vjeçari u arrestua për të tretën herë. Stresi u vu në pranga në një hotel në periferi të Tiranës, ku uniformat blu i gjetën një pistoletë pa leje dhe një sasi të vogël kokaine. Sipas policisë, ai është anëtar i një grupi kriminal që vepron në Tiranë në fushën e trafikimit të narkotikëve dhe krimeve kundër personit.

28 tetor-Vritet ekstremisti grek, thirrje antishqiptare

Pas shkëmbimit të zjarrit me policinë, 35-vjeçari ekstremist Kostandinos Kaçifas që sulmoi me armë forcat e policisë shqiptare në Bularat të Gjirokastrës, mbeti i vrarë. Policia e Shtetit njoftoi se kjo ndodhi pas dy orësh përpjekje për ta arrestuar ekstremistin grek. Forcat RENEA ishin vënë në ndjekje të tij në faqen e malit mbi depon e ujit të fshatit Bularat dhe pasi e lokalizuan, ato i kanë bërë thirrje të hedhë armën dhe të dorëzohet. Kaçifa nuk ju përgjigjur thirrjes së herë pas hershme të policisë por hapi zjarr me armë duke rrezikuar jetën e efektiveve edhe për shkak të terrenit ku mundësia e mbrojtjes ishte e ulët. Forcat RENEA u kundërpërgjigjën dhe gjatë shkëmbimit të zjarrit Kaçifa u vra. Në një prononcim për televizionin grek “Skai”, kunati u shpreh pas ngjarjes se Kaçifa kishte mundësi të ikte por zgjodhi të vritej. Varrimi i tij u bë me thirrje Antishqiptare. Gjatë ceremonisë në fshatin Bularat të Gjirokastrës, nuk u shënuan incidente dhe policia ishte angazhuar për të monitoruar të gjithë territorin. Më herët në Kakavijë nuk u lejuan të hyjnë në territorin shqiptar disa shtetas grekë, që mbanin simbole antishqiptare dhe u shoqëruan në komisariat 4 të tjerë. Arkivoli me trupin  e Kacifasit, i mbuluar me një flamur grek përshkoi mes përmes fshatin, nga shtëpia e tij deri sa u përcoll në banesën e fundit. Gjatë rrugës ai u shoqërua nga një kortezh i madh me bashkëfshatarë por dhe shtetas të ardhur nga Greqia për të marrë pjesë në këtë ceremoni. Mes tyre ishin edhe mbështetës  të Agimit të Artë. Disa prej të pranishmëve në ceremoninë mortore të Kostandinos Kaçifas bënë thirrje me përmbajtje nacionaliste dhe antishqiptare. Mes përmes fshatit Bularat shpalosën një flamur të madh grek, kishin shkruar disa parrulla nacionaliste, mes të cilave edhe Vorio Epiri është Greqi. Persona të ndryshëm me prirje ekstremiste mbanin flamuj dhe në pankartat e tyre në gjuhën greke shkruhej “Bularati është Greqi, Kaçifas jeton, na udhëhiq dhe na prij”.

Ngjarjet e Nëntorit 2018

6 nëntor-Ekzekutim në Durrës

Një atentat i tipit mafioz në afërsi të Shkozetit në Durrës, i mori jetën Edison Harizajt. I plagosur rëndë, e më pas ndërron jetë në spital edhe miku i tij, Genci Çaçi. Në dosjen e prokurorisë janë vetëm gëzhojat e sekuestruara në vendngjarje dhe skeletet e dy makinave, një të djegur që autorët braktisën dhe makina e bërë shoshë nga plumbat, me të cilën udhëtonte Harizaj dhe shoku i tij.

12 nëntor-Në një vit u kapën 13 banda

Nëntori përkon me 1 vjetorin e nisjes së operacionit kombëtar “Forca e Ligjit”. Task Forcat e ngritura skeduan 41 grupe kriminale që operonin në vend. 1 vit pas nisjes së operacionit, nga përllogaritjet e të dhënave që vet policia deklaron, rezulton se deri më tani janë goditur 13 grupe ose e thënë ndryshe as gjysma e numrit total të bandave të evidentuara.

14 nëntor-Vritet tregtari i peshkut

Fatos Ferracaku, baba i 4 fëmijëve, tregtar peshku në Shkodër u ekzekuta me 8 plumba nga dy persona me maskë. Vrasja e radhës në qytetin e Shkodrës ndodhi në zonën e quajtur Merkata, në rus. Viktima ndodhej në një lokal ulur në tavolinë me një të njohur kur ka nisur breshëria e plumbave. Nuk dihet ende nëse vrasja e Fatos Ferracakut është kryer nga të njëjtit persona që ekzekutuan kushëririn e tij Arjan Ferracaku më 1 shtator të këtij viti. Atentati ndaj biznesmenit mbetet ende enigmë.

20 nëntor-AP: Burgu i Burrelit të mbyllet

Institucioni i Avokatit të Popullit, ka reaguar pas grevës së urisë së 18 të dënuarve në burgun e Burrelit me arsyetimin se kushtet ku vuajnë dënimin janë skandaloze. Avokati i Popullit, deklaron se prej tre vjetësh janë konstatuar kushtet e papërshtatshme të këtij institucioni dhe është kërkuar mbyllja e burgut të Burrelit për shkak të kushteve të vështira dhe aspak të përshtatshme. Ata thonë se nuk ka ujë të pijshëm, ushqimi është me papastërti, të dënuarit mbahen në izolim pasi nuk ka vende, ndërsa akuzojnë se ”duhet paguar nga 2-3 mijë euro për t’u transferuar”.

Ngjarjet e Dhjetorit 2018

1 dhjetor-Vlorë, 13 persona të zhdukur

Përmes një deklarate të përbashkët të Prokurorisë dhe Policisë së Vlorës, nisur nga transmetimi në “Top Channel” i një reportazhi, ku flitet për rreth 80 persona të zhdukur në vitet e fundit, një numër i cituar edhe nga foltorja e PD-së. Prokuroria dhe Policia e Vlorës, sqarojnë se në 3 vitet e fundit rezulton se numri total i personave të larguar nga banesa është 23. Sipas deklaratës së prokurorisë dhe policisë, 13 persona rezultojnë të zhdukur vetëm për vitin 2018. Shumë prej këtyre personave janë larguar me dëshirë nga banesa por dhe janë rikthyer. Megjithëse të gjitha rastet janë referuar në Prokurori, vetëm për 4 raste në 3 vitet e fundit janë konstatuar elementë të veprës penale dhe janë regjistruar në Prokurori si çështje, e ndërkohë po vijojnë hetimet për gjetjen e tyre.

4 dhjetor-Greqi, 13 shqiptarë të vrarë

Vrasja e shqiptarëve në Greqi, përgjatë 2018 është një alarm kombëtar. 13-të është numri i shqiptarëve të vrarëve në Greqi. 18-vjeçari Marios Isa u qëllua pas krahëve, në kohën kur po hynte për në banesën e tij. Ai u dërgua në spitalin rajonal por mjekët nuk mundën ta shpëtojnë. Autori i dyshuar i krimit pretendon se e ka qëlluar aksidentalisht viktimës. Paraprakisht thuhet se autori i vrasjes së shqiptarit Marios Isak nga Leskoviku është një bashkëmoshatar shqiptar, i cili ka pranuar krimin në polici. Pasditen e 22 nëntorit u vra në zonën e Janinës, 39-vjeçari Altin Mullai, pas një përplasje me armë zjarri me policinë greke. Mullai bashkë me 2 persona të tjerë tentoi të trafikonte 166 kg kanabis. Trafikantët hapën zjarr duke plagosur një polic, ndërsa 39-vjeçari humbi jetën pas të shtënave. Vrasja më e bujshme është ajo e 26 nëntorit kur u gjet i pajetë në këtë kanal në zonën e Korfuzit 63-vjeçari Petrit Zilfe i qëlluar me një armë gjahu. Për ngjarjen u arrestua një 44-vjeçar grek për të cilin mediat vendase raportojnë se i përket ekstremistëve të djathtë të Agimit të Artë. Përplasja mes të dyve nisi në lokal nisur nga debati për ekzekutimin e Kostandinos Kacifas në Bularat. Në rrethana të paqarta ka humbur jetën edhe një 35-vjeçar shqiptar që vuante dënimin në burgun e Trikallës në Greqi.

10 dhjetor-18 vite burg për Moisi Habilajn

“Ndëshkime shembullore”, kështu i përshkruajnë mediat italiane pretencën e Prokurorisë së Katanias për bandën e Habilajve. Pas një viti, Prokuroria ka mbyllur hetimet dhe ka çuar dosjen në Gjykatë, ku kjo e fundit do të vendosë për fatin e bandës. Për Moisi Habilajn, Prokuroria ka kërkuar 18 vite burg, i cili ndodhet pas hekurave prej fundvitit të 2017. Mediat italiane specifikojnë se po vazhdojnë hetimet për lidhjet e qeveritarëve me këtë grup kriminal dhe bën të ditur se është parë me lupë zmadhuese, i afërmi politik i Habilajt, ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. Grupi Habilaj u godit në tetor 2017, ndërsa Nazer Seiti u prangos në Vlorë për t’u ekstraduar më pas drejt Italisë. Hetimet në Shqipëri u hapën pas publikimeve në media, ndërsa u morën në Itali me mijëra faqe përgjime të grupit Habilaj ku ata përmendin edhe emrin e ish-ministrit Tahiri.

13 dhjetor-14 vite burg për Shullazin

Nga 8 akuza që rëndonin ndaj tij, Emiljano Shullazi u gjet fajtor vetëm për tre prej tyre. Për rrjedhim gjykata dha tre vite më pak burgim nga 17 që kishte kërkuar më herët Prokuroria. Ai dhe katër persona të tjerë të akuzuar si anëtarë të grupit dhe gjobëvënës pretenduan pafajësi edhe në mbyllje të gjykimit. Nga 64 vite që kishte kërkuar Prokuroria e Krimeve të Rënda, Gjykata shpalli për të gjithë 55 vite burgim në total. Pesë akuza u konsideruan të paprovuara dhe u rrëzuan nga gjykata. Shullazi u shpall fajtor për gjobëvënien e Ylvi Beqës, dëshmitari i mbrojtur i drejtësisë shqiptare, me të cilin 40-vjeçari problematik kishte lidhur marrëveshje për ta ndihmuar për fitimin e ish-“Vollgës”.

13 dhjetor-Mbyllet historia e Xhisielës

Historia e Xhisiela Malokut e cila ende është e veshur me mister, u mbyll këtë vit dhe do të shënohet në gazeta si një ndër ngjarjet e vitit por deri këtu, pasi Rexhep Rraja do të festojë festat e fundvitit në familjen e tij. Prokuroria e Krujës paraqiti në gjykatë pretencën ndaj Rexhep Rrajës, djalit të deputetit socialist Rrahman Rraja, i akuzuar për veprën penale të përndjekjes ndaj ish-të dashurës, Xhisiela Malokut. Sipas prokurorisë, Rexhep Rraja duhet të shpallet fajtor dhe të dënohet me 1 vit burg. Gjykata penale e Krujës ka dënuar me 1 vit burg Rexhep Rrajën por me kusht duke pezulluar dënimin dhe duke e kaluar atë në shërbim prove.

26 dhjetor-Atentat, vritet 17-vjeçarja

17-vjeçarja Griselda Gjikola u vra gjatë një atentati, ku i plagosur mbeti Erjon Benga. Policia ka arrestuar bashkëpunëtorin e vrasësit. I arrestuari është Roland M dhe ai raportohet të jetë personi që mbështeti autorin 19-vjeçar që ekzekutoi me plumb në kokë adoleshenten, me të cilën dyshohet se ka pasur një flirt më parë. Ka dyshime se ai e kishte planifikuar më parë vrasjen duke pritur Gjikolajn dhe Begën të dilnin nga lokali ku po konsumonin kafen. Mësohet se uniformat blu po kryejnë kërkime për të gjetur shtetasin Robert P, me operacione që po kryhen në Tiranë dhe Durrës, ku dyshohet se ai fshihet. Erjon Benga hoshi poshtë pretendimet se ai ishte i dashuri i 17-vjeçares. Në një deklaratë për “Fax Web”, tha se e ndjera ishte vajzë me parime dhe vijonte shkollën, ndërsa prej 10 muajsh ishte në lidhje me një mikun e tij.

28 dhjetor-Vjehrri vret me sopatë ish-dhëndrin

Fundviti mbyllet me një krim në familje, ku vjehrri vrau me sopatë pas kokës ish-dhëndrin. Ngjarja e rëndë ndodhi në fshatin Gjoricë të njësisë Administrative Topojan të Bulqizës. Viktima i cili shkaktoi plagosjen e dy personave, është Adriatik Jella. Ai ka qenë në burg përpara dy muajsh dhe se është liruar së fundmi. Sherri ka pasur zanafillën në Maqellarë, aty ku ish-dhëndri preu veshët me thikë vëllait të ish-gruas, Baftjar Çidhnokut. Ai shkoi në fshatin Topojan të rrethit Bulqizë për të marrë ish-bashkëshorten tek prindërit e tij por atje ai ka hasur rezistencën e vjehrrit dhe të afërmve të këtij të fundit. Kjo rezistencë u shndërrua më pas në përleshje, që përfundoi me vdekjen e tij dhe plagosjen e njërit të afërm të Veli Çidhnokut, Flamur Delishit. Vjehrri Veli Çidhnoku, 68-vjeç, është arrestuar për veprën penale të “vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare” në bashkëpunim.

29 dhjetor 2018-Masakra në Elbasan

Hetimet për atentatin me tre të vrarë mbrëmjen e së shtunës në Elbasan po kryhen nga specialistët e Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe janë shtrirë në disa pista, ndër më kryesoret është ajo e trafikut të drogës. Që pas kryerjes së krimit të rëndë, policia ka vepruar në të gjitha rrugët dhe lagjet, nisur nga dyshimet për autorët e mundshëm të krimit. Gjatë kontrolleve të ushtruara janë shoqëruar që në momentin e parë 15 persona. Tre personat që mbetën të vrarë në Elbasan kishin mbërritur në Shqipëri vetëm pak ditë më parë. Endrit Alibej, një person me precedentë të mëparshëm penalë, që njihej edhe me mbiemrin Dylgjeri, jetonte në Holandë, xhaxhai i tij Arben Dygjeri ishte emigrant në Angli dhe rezulton pa precedentë, ndërsa viktima tjetër, shtetasi turk Erdal Durunay dyshohet se ishte bashkëpunëtor i Endritit në krimin e trafikut ndërkombëtar të drogës. Shënjestra e atentatit ka qenë Endrit Alibej, pasi bashkë me të vëllanë Andrea Alibej ishin drejtuesit e një grupi kriminal të goditur në vitin 2013 në Itali, ku u arrestuan 34 persona, mes tyre 12 shqiptarë, ndërsa u sekuestrua kokainë me vlerë 10 milionë euro. Sipas raportimeve që u referohen burimeve të policisë, viktimat kishin qenë për darkë në një fshat të Peqinit dhe më pas ishin nisur drejt Elbasanit, ku edhe u ishte zënë pritë në hyrje të qytetit, pikërisht në zonën e metalurgjisë. Edhe pse hetimet nuk kanë nxjerrë deri më tani asnjë të dhënë dhe vetë policia është treguar maksimalisht e rezervuar në dhënien e informacionit, burimet thonë se autorët mendohet se janë vrasës me pagesë, nisur nga dinamika e ngjarjes. Nuk dihet sa persona kanë marrë pjesë në vrasje, sa automjete dhe sa armë janë përdorur, por shkak për përplasjen të paktën deri më tani si pistë e parë është ajo e larjes së hesapeve për pazaret e drogës.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A ka forcë Berisha të rrëzojë kryeministrin Rama, edhe pas skandalëve të fundit?