Kryebashkiaku Benet Beci takim pune dhe vlerësimi me drejtoreshën e Kadastrës Shkodër, Eglantina Frroku

Nga Albert Vataj
Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, ka ndarë në rrjetet sociale detaje nga takimi i tij i sotëm me drejtuesen e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Shkodër, znj. Eglantina Frroku, një takim që vlerëson vijimësinë e një bashkëpunimi institucional të konsoliduar dhe rezultate konkrete në shërbim të qytetarëve.
Në postimin e tij, kryebashkiaku Beci thekson rëndësinë e bashkërendimit mes Bashkisë dhe ASHK-së në procesin e verifikimit hartografik të paketës së maleve, si dhe në evidentimin e zonave prioritare ku kërkohet ndërhyrje e menjëhershme.
“Vetëm gjatë muajit tetor, ASHK Shkodër ka emetuar 212 vendime legalizimi, duke u renditur ndër drejtoritë me performancën më të mirë në rang republike dhe duke zënë vendin e parë në Shqipëri për dhënien e titujve të pronësisë për objektet e ndërtuara para vitit 1991”, shkruan Beci, duke nënvizuar se këto rezultate pasqyrojnë jo vetëm punën e palodhur të stafit, por edhe efikasitetin e një administrate të reformuar.

Ai shton më tej se drejtoria e Shkodrës po punon me ritme të larta për të përmbushur objektivin ligjor që parashikon përfundimin e të gjitha procedurave të legalizimit deri në vitin 2028.
“Jam i kënaqur që, falë këtij bashkëpunimi, kemi lënë pas zvarritjet dhe burokracitë, duke ndërtuar një administratë që punon me rezultate konkrete për qytetarët e Shkodrës”, shprehet kryebashkiaku.
Eglantina Frroku është një profesioniste me përvojë të gjerë në fushën e drejtësisë, administratës publike dhe menaxhimit të pronësisë. Emërimi i saj në krye të Drejtorisë Vendore të Kadastrës Shkodër shënoi një etapë të re në karrierën e saj dhe njëkohësisht një angazhim të ri moral ndaj qytetit që tashmë është bërë pjesë e jetës dhe kontributit të saj profesional.
Me një karrierë të konsoliduar që përfshin përmbarimin, legalizimet, auditin ligjor dhe procese të reformës pronësore, Frroku ka ndërtuar një profil të pakontestueshëm në drejtimin e institucioneve që kërkojnë rigorozitet, transparencë dhe kapacitete të larta menaxheriale. Ajo njihet si një njohëse e shkëlqyer e legjislacionit për pronësinë dhe administrimin e tokës, duke kontribuar në hartimin dhe zbatimin e reformave të rëndësishme kombëtare në këtë sektor.
Drejtoria Vendore e Kadastrës në Shkodër është një ndër më të rëndësishmet në rang vendi, për shkak të kompleksitetit të zonës, diversitetit të problematikave pronësore dhe rëndësisë administrative që mbart. Në këtë kontekst, drejtimi i saj nga Eglantina Frroku ka përfaqësuar jo vetëm një sfidë, por edhe një përgjegjësi të madhe për të garantuar një administratë efikase, transparente dhe të orientuar drejt shërbimit publik.
Në takimin e sotëm të zhvilluar në ambientet e Bashkisë Shkodër, Frroku i paraqiti kryebashkiakut Beci një panoramë të plotë të arritjeve të deritanishme, duke përfshirë performancën e lartë në legalizime, përparimin në proceset e verifikimit hartografik, si dhe identifikimin e zonave prioritare që kërkojnë ndërhyrje të koordinuar mes institucioneve.
Rezultatet e shënuara, të cilat Beci i cilëson si shembull të një bashkëpunimi të frytshëm dhe serioz, konfirmojnë angazhimin e përbashkët për të çuar përpara një administrim modern dhe në shërbim të qytetarëve të Shkodrës.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Mendoni se Berisha do ta bllokojë kryeministrin me turma popullore?